BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me Presidenten e Western Union International

Data e publikimit: 01.09.2004

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani priti sot në një takim një delegacion të Western Union International të kryesuar nga Presidentja e tij, znj.Cristina Gold dhe që shoqërohej nga Drejtori Ekzekutiv i Unionit Financiar, përfaqësues i Western Union për Shqipërinë, z.Edmond Leka.

Në fjalën e tij, Guvernatori pasi bëri një përshkrim të zhvillimeve kryesore në ekonominë shqiptare, u ndal më gjerësisht në Programin e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e parasë në dorë (cash) në ekonomi. Në këtë proces, vijoi z.Cani, kemi gjetur mbështetjen edhe të Western Union, i cili falë një rrjeti të plotë të shpërndarjes gjeografike ka arritur të mbulojë transfertat kryesisht të emigrantëve thuajse në të gjithë Shqipërinë.

Përfaqësuesit e Western Union vlerësuan mbështetjen dhe kontributin e Guvernatorit Cani në zhvillimin e sektorit dhe shërbimeve financiare dhe paraqitën projektet e reja për shërbimet e Unionit Financiar në Shqipëri. Vendosja e ATM (makinave të tërheqjes së parave) dhe kryerja e pagesave të faturave të shërbimeve publike janë në projektet e ardhshme të mundshme që Western Union do të zbatojë në Shqipëri.

Një pjesë interesante e bisedës iu referua edhe ecurisë së remitancave dhe konkurencës në rritje të transfertave të parave mes bankave dhe Western Union, si në drejtim të komisioneve për klientët ashtu edhe shtrirjes gjeografike. Znj.Gold u shpreh se është në favor të zhvillimit të konkurencës, e cila në fund të fundit do të sillte më shumë përfitime për klientët.

Unioni Financiar në Shqipëri vepron që nga viti 1995 duke kryer përgjithësisht shërbimin e transfertave(remitancave) të emigrantëve shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të botës.