BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me komunitetin e biznesit, bankat e nivelit të dytë, shoqërinë civile dhe mediat në qytetin e Vlorës

Data e publikimit: 13.05.2004

 

Dje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, u takua me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të bankave të nivelit të dytë, të shoqërisë civile si dhe me përfaqësues të mediave të Prefekturës së Vlorës. Tematika e takimit kishte të bënte me programin «Përtej parasë», që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë, program i cili synon në inkurajimin e veprimeve dhe të iniciativave për reduktimin e cash-it në ekonomi dhe për kanalizimin e transaksioneve në sistemin bankar.

Në fjalën e tij, z.Cani prezantoi shkurtimisht programin e Bankës së Shqipërisë, platëformën e veprimit, duke vënë theksin në efektet pozitive, që pritet të ketë mbi ekonominë e individët në përgjithësi një iniciative e tillë, si dhe në bashkëpunimin e domosdoshëm dhe të nevojshëm të të gjitha palëve : autoritete vendimmarrëse, banka, biznese, organe tatimore, fiskale e konsumatorë.

Në këtë pikë, ai nënvizoi se roli i sistemit bankar në fushatën e reduktimit të cash-it është nga më impenjuesit dhe prej tij kërkohet ndër të tjera edhe rritja e pranisë në terren nëpërmjet shtrirjes së infrastrukturës bankare dhe përmirësimit e ofrimit të shumëllojshëmrisë së produkteve e shërbimeve, si dhe një bashkëpunim më i frytshëm me bizneset. Zbatimi i projektit për pagesat në vlerë të vogël (AECH - Automatic Electronic Clearing House), i cili mendohet të përfundojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2005, do t'i japë një shtysë cilësore dhe sasiore këtyre shërbimeve.

Nga ana tjetër, biznesi konsiderohet si palë e rëndësishme në këtë përpjekje, pasi një biznes i sensibilizuar dhe i ndërgjegjësuar do të synojë në bërjen evidente të përparësive të sistemit bankar, të dobishmërisë së mbështetjes nga ky sistem të një biznesi të shëndoshë, të rritjes së reputacionit të një biznesi të caktuar kur është klient i besuar i një banke, të sigurisë që i shtohet çdo biznesi kur ka një marrëdhënie korrekte afatgjatë me bankën tregtare. Biznesi duhet të kuptojë që mënyra e vetme për të përfituar nga shërbimet bankare, në mënyrë të vecantë nga shërbimi i kredisë, është hapja dhe përdorimi i llogarive bankare.

Ndërkohë, mbështetja e shoqërisë civile dhe medias pritet t'i sigurojnë shkallë të lartë besueshmërie zhvillimit të të gjithë programit dhe do të rrisë masën e suksesit të tij. Kjo, jo sepse besimi i publikut tek banka kalon nëpërmjet medias dhe shoqërisë civile, por sepse shkalla e mirëkuptimit dhe dëshira e publikut për të përqendruar vëmendjen e tij në çdo zhvillim të ri, që fillon të ravijëzohet në ambientin e përgjithshëm të shoqërisë sonë, janë mjaft të përcaktuara nga vëmendja dhe pozicionimi i shoqërisë civile ndaj tij.

Guvernatori Cani nënvizoi rolin e veçantë që duhet të luajë në këtë drejtim edhe komuniteti lokal i prefekturës së Vlorës, e cila dallohet për një potencial biznesi jo të neglizhueshëm dhe mbështetet nga një infrastrukturë bankare, që pretendon të shtrihet në planin ekstensiv dhe intensiv. Aktualisht, në këtë prefekturë zhvillojnë veprimtarinë e tyre rreth 8 degë të bankave të nivelit të dytë dhe ka një komunitet biznesi të hapur, që e mbështet projektin për kalimin e transaksioneve financiare nëpërmjet sistemit bankar.

Përfaqësuesit e biznesit në takim, ngritën në diskutimet e tyre disa shqetësime, ku përmendim : mundësinë e kreditimit të klientëve (individëve) me kredi për strehim; rritjen e bazës së tatimpaguesve që presupozon rritjen e transaksioneve bankare; problemin e pagesës së faturave pa TVSH për biznesin e vogël; ngritjen e infrastrukturës së nevojshme ligjore e bankare për bankingun elektronik; përdorimin e kartave të debitit dhe të kreditit etj..

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bankave shprehën shqetësimin lidhur me ndërhyrjen direkte të organeve tatimore në llogaritë e klientëve, duke e konsideruar këtë si një faktor të mundshëm për largimin e klientëve; ata u angazhuan për rritjen e përpjekjeve për një marketing bankar më efektiv, që sipas tyre do të ndikojë në rritjen e kredibilitetit të sistemit bankar.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, degë të bankave në këtë prefekturë, kanë ofruar shumëllojshmëri të formave të produkteve e shërbimeve; kështu vlen të përmendet vendosja e një bankomati nga Procredit, kalimi në llogari i pagave të punonjësve të shoqërive publike si Ujësjellësi, Porti, e disa shoqërive private, ofrimi i fasiliteteve si overdrafti deri në një pagë mujore etj..

Sot, Guvernatori do të vazhdoje takimet me bazë të gjerë në rrethin e Sarandës dhe nesër në atë të Gjirokastrës.