BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me përfaqësues të Raiffeisen Bank gjatë kalimit të pronësisë së Bankës së Kursimeve

Data e publikimit: 15.04.2004

 

Sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u takua me z. Herbert Stepic, zëvendëskryetar i Bordit Drejtues të Raiffeisen Zentralbank, përfaqësuesi i aksionerit të ri të Bankës së Kursimeve.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë e vlerëson si shumë pozitiv rezultatin e privatizimin të Bankës së Kursimeve nga banka e njohur Raiffeisen. "Për vetë peshën dominuese që ka Banka e Kursimeve në sistemin tonë bankar, si dhe rolin tradicional që ka luajtur për kursimet e publikut në Shqipëri, kalimi i saj tek një investitor i besueshëm, i shëndoshë financiarisht dhe me përvojën e duhur në veprimtarinë bankare, ishte i një rëndësie maksimale", u shpreh z.Cani. Pasi u uroi suksese në aktivitetin bankar në Shqipëri, i njohu dhe i dorëzoi përfaqësuesit të RZB vendimet e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mbi kalimin e pronësisë së Bankës së Kursimeve nga shteti shqiptar te banka Raiffeisen dhe lejimin e kreditimit të Bankës së Kursimeve.

Nga ana e tij, z.Stepic u shpreh se Raiffeisen I shpreh falenderimet të gjithë autoriteteve Shqiptare që I besuan bankën më të madhe të sistemit dhe se bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë do të jetë shumë I ngushtë në të gjitha drejtimet dhe nismat që do të ndërmerren në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të sistemit bankar.

Sipas vendimit "Mbi miratimin për shitjen e 100 përqind të aksioneve të kapitali aksioner të Bankës së Kursimeve sh.a.", Banka e Shqipërisë miratoi kërkesën për transferimin e aksioneve të Bankës së Kursimeve nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë tek Raiffeisen Zentralbank, Austri. Kërkesa mbështetur në ligjin nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", ishte e shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Sipas dokumentacionit të paraqitur, Raiffeisen Zentralbank, Austri do të zotërojë 100 përqind të aksioneve të bankës. Kontrata e shitjes midis palëve u nënshkrua më datë 13.01.2004 nga Ministria e Financave dhe Raiffeisen Zentralbank, në vijim të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Raiffeisen Zentralbank, Austri është themeluar në vitin 1927 dhe aktualisht është një nga bankat tregtare dhe të investimeve lider në Austri dhe ndër bankat kryesore në Europën Qendrore dhe Lindore. Segmentimi i aktiviteteve të RZB konsiston në biznesin me korporatat, thesarin dhe bankingun e investimeve, retail banking, shërbimet e transfertave, pjesmarrjet dhe të tjera. RZB është vlerësuar nga agjencitë kryesore të rating-ut ndërkombëtar si Standard & Poor's dhe Moody's si dhe është vlerësuar me cmime ndërkombëtare nga revistat "Global Finance" dhe "The Banker".

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë krahas miratimit të transferimit të pronësisë së aksioneve të Bankës së Kursimeve tek Raiffeisen Zentralbank Osterreich Aktiengesellschaft, miratoi dhe lejimin e ushtrimit të aktivitetit kredidhëndës për Bankën e Kursimeve.
Banka e Shqipërisë ka kufizuar aktivitetin kredidhënës për Bankën e Kursimeve nisur nga kujdesi për të mos lejuar mundësinë e përkeqësimit të cilësisë së aktiveve të saj si edhe për të ruajtur vlerën e saj deri në përfundim të procesit të privatizimit.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në vendimin e tij nr. 74, datë 05.09.2001 "Për heqjen e kufirit të kredive me probleme ndaj totalit të kredive të bankës", ka vendosur që të vazhdojë ndërprerja e aktivitetit kredidhënës i Bankës së Kursimeve , deri në përfundimin e procesit të privatizimit të saj.…"
Pas miratimit të aksionerit të ri të Bankës së Kursimeve nga Banka e Shqipërisë, dhe me hyrjen në fuqi të kontratës së shitjes së 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve procesi i privatizimit të saj konsiderohet i përfunduar.

Kështu Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shfuqizoi kufizimin e mësipërm. Në momentin kur Raiffeisen Zentralbank do të figurojë ligjërisht si aksioner i Bankës së Kursimeve banka do të zhvillojë aktivitetin e saj plotësisht sipas licencës së dhëne nga Banka e Shqipërisë, pa kufizime.

Pas takimit, z.Cani dhe z.Stepiç dhanë nga një prononcim për mediat e pranishme.