BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e punës organizuar nga Banka e Shqipërisë me temë: Kërkimet ekonomike në Evropën Juglindore

Data e publikimit: 15.11.2007

 

Në datat 15 dhe 16 nëntor, Banka e Shqipërisë organizoi në ambientet e hotel "Tirana International" takimin e punës me temë "Kërkimet ekonomike në Evropën Juglindore". Të ftuar në këtë aktivitet ishin përfaqësues të departamenteve të kërkimeve të bankave qendrore të rajonit, si dhe përfaqësues nga bankat qendrore të Austrisë, Hungarisë, Turqisë dhe Rumanisë. E pranishme në këtë takim pune ishte edhe Dr. Rebecca Newmann, profesore në Universitetin e Wisconsin-Milwaukee.

Në këtë takim u prezantuan dhe u diskutuan 16 materiale studimore me fokus aktivitetin ekonomik, politikën monetare dhe sektorin e jashtëm të ekonomisë. Aktiviteti kishte për qëllim inkurajimin e bashkëpunimit dhe të dialogut ndërmjet studiuesve dhe specialistëve të fushës kërkimore ekonomike të departamenteve përkatëse të bankave qendrore të Evropës Juglindore, nxitjen e frymës së debatit rreth çështjeve ekonomike të rëndësishme që ndikojnë në procesin e vendimmarrjes në këto vende, shkëmbimin e përvojave në fushën e studimeve empirike, si dhe forcimin e etikës dhe të standardeve në fushën e kërkimeve.

Në fjalën e tij të hapjes me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, vlerësoi organizimin e këtij takimi pune duke u shprehur se ai shërben si një katalizator për një shkëmbim më të intensifikuar të përvojave në fushën e kërkimeve ekonomike në rajonin tonë.

Duke patur parasysh dinamizmin e integrimit të shpejtë të ekonomive të rajonit, kërkimet ekonomike të sakta dhe në kohë konsiderohen jetike për hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike të shëndosha, në funksion të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe nxitjes së një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani theksoi nevojën e përmirësimit të cilësisë së të dhënave ekonomike, të intensifikimit të bashkëpunimit midis institucioneve të administratës publike dhe të akademisë, si dhe domosdoshmërinë e thithjes dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore për krijimin e një kulture të re të kërkimeve për ruajtjen e standardeve në fushën e kërkimeve. Në kuadër të bashkëpunimit me agjentët e tjerë të tregut, Banka e Shqipërisë ka prezantuar "Serinë e seminareve të së premtes". Gjithashtu, është bërë tashmë traditë organizimi nga Banka e Shqipërisë i "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë", i cili inkurajon studentët shqiptarë në universitetet e vendit dhe ato të huaja, që të angazhohen seriozisht në punë kërkimore, të përqendruar kryesisht në çështje që kanë të bëjnë me fushat e veprimtarisë së një banke qendrore.

Pas fjalës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, takimi vijoi me prezantimet dhe diskutimet e përfaqësuesve nga Banka e Shqipërisë dhe nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, të cilat në fokus të tyre kishin çështjet që lidhen me kërkimet ekonomike dhe me aspekte të tjera të lidhura me to.