BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin konkludues te Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 28.04.2004

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvilloi sot paradite takimin konkludues me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të drejtuar nga z. Julio Escolano, shefi i Misionit dhe i shoqëruar nga z.Jan Peter Olters, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Tiranë.

Në fjalën e tij, shefi i Misionit z.Escolano vlerësoi arritjet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të Memorandumit të Politikave Ekonomike dhe Financiare të nënshkruar mes autoriteteve shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndër zhvillimet kryesore veçohet mbajtja e inflacionit sipas objektivave të Bankës së Shqipërisë, 2-4 për qind, një kurs këmbimi relativisht I qëndrueshëm, modernizimi i sistemit financiar dhe bankar etj..

Sipas, Memorandumit, edhe për vitin 2004 politika monetare synon mbajtjen e inflacionit sipas objektivave të Bankës së Shqipërisë ndërsa zhvillimet më domethënëse pritet të jenë në rritjen e kreditimit dhe zgjerimin e shërbimeve të ofruara nga sistemi bankar, presione relativisht të ulta për inflacionin, rezerva valutore për të mbuluar më shumë se 4 muaj importe, përmirësimin e mundshëm të deficitit të llogarisë korente etj.

Guvernatori Cani shprehu vlerësimet mbi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të Memorandumit dhe seriozitetin e Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e angazhimeve të saj në këtë Memorandum.

"Nisur nga zhvillimet e fundit të inflacionit dhe treguesve të tjerë makroekonomikë si dhe ecurinë e normave të interesit të euros dhe dollarit amerikan, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë po shikon mundësitë e uljes së lehtè të normës bazë të intreresit", u shpreh z.Cani.

Programi i Bankës së Shqipërisë për reduktimin e parasë cash në ekonomi ishte një tjetër çështje e rëndësishme e takimit të sotëm. Guvernatori u shpreh se autoritetet Shqiptare janë të përfshira intensivisht dhe me seriozitet në një program afatmesëm për reduktimin e parasë cash dhe sistemi bankar është i gatshëm të presë një fluks më të madh klientësh.
Misioni i FMN-së përfundoi sot takimet në kuadër të Misionit të 14-28 prill 2004.