BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi takimin konkludues të fushatës së Bankës së Shqipërisë kundër rritjes spekulative të çmimeve në prag të festave të fundvitit

Data e publikimit: 22.01.2004

 

Banka e Shqipërisë zhvilloi sot takimin konkludues të Fushatës Kundër Rritjes Spekulative të Çmimeve në prag të Festave të Fundvitit. Takimi, i drejtuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u zhvillua në formën e një tryeze të rrumbullakët me me të ftuar përfaqësues nga INSTAT, Ministritë e Financës dhe Ekonomisë, institucioneve publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile të lidhur ngushtësisht me mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe qytetarëve, gazetarë të medias së shkruar dhe asaj elektroike etj.

Guvernatori paraqiti në mënyrë të koncentruar argumentat mbi të cilat u ngrit dhe u zhvillua Fushata, debatet që e shoqëruan, mbështetjen e medias në përgjithsi, rezultatet e fushatës në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut dhe konkluzionet nëpërmjet shifrave të zhvillimeve të indeksit të çmimeve të konsumit gjatë muajit dhjetor 2003.

Sipas z.Cani, "inflacioni është objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, ashtu siç është përgjithsisht i bankave qendrore moderne në botë dhe Banka e Shqipërisë, për të realizuar këtë objektiv kryesor, përdor të gjitha mjetet në dispozicion, duke filluar nga ato klasike dhe të përhershme siç janë vendimet dhe instrumentet e politikës monetare e deri tek ato me karakter të përkohshëm, me ndikim të shpejtë, më të thjeshta dhe më të drejtpërdrejta për t'u kuptuar nga publiku. Një gjë e tillë është dhe rasti konkret i fushatës kundër spekulimeve me çmimet në prag të festave të fundvitit".

Duke u ndalur në karakterin ndërgjegjësues të fushatës, Guvernatori u shpreh se "arritëm me sukses, për ta kthyer publikun aleat në misionin tonë dhe sigurisht që këtu shikojmë edhe përfitimet afatgjata të një procesi të hapur dhe transparent, gjithëpërfshirës sidomos. Fakti më i rëndësishëm dhe pikësynues i fushatës, ishte të përçonte te publiku këtë shqetësim të Bankës së Shqipërisë që lidhej me një "kapërcim" artificial të inflacionit në muajin dhjetor, por që në konkluzion është i rëndësishëm për gjithësecilin pasi të gjithë jemi konsumatorë dhe të gjithë në një mënyrë apo një tjetër jemi të interesuar të kemi stabilitet të çmimeve".

Synimi i fushatës, e dyta rradhazi që ndërmerret në prag të festave, ishte të ndërgjegjësonte konsumatorët, biznesin dhe organet shtetërore se rritja e çmimeve ishte spekulative dhe se gjithësecili mund të luante rolin që i takonte në mënyrë që edhe shqiptarët të festonin si e gjithë bota, me çmime normale.

Pjesë të veçantë në fushatë zinte dhe roli i organeve shtetërore. Ndryshe nga mbështetja e organeve doganore, të cilat nuk ndryshuan çmimet e referencës, praninë e organeve tatimore e vlerësojmë anemike, sidomos përsa i përket monitorimit në terren të tregjeve, të paktën për të kalkuluar detyrimet fiskale të tregtarëve sipas çmimeve të shitjes apo vetëm për efektin psikologjik të pranisë së tyre në treg.

Banka e Shqipërisë e vlerëson të suksesshme fushatën mbështetur përgjithsisht në dy argumente kryesore: reagimin e publikut dhe medias, që nënkupton arritjen e efekteve sensibilizuese dhe referencat e shifrave të zhvillimeve në muajin dhjetor 2003, krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme.

Synimi kryesor i fushatës, ndërgjegjësimi i publikut, i konsumatorit por edhe i komunitetit të biznesit, u arrit me sukses nëse i referohemi ambienteve të zakonshme publike, përgjigjeve të njerëzve në anketat e Bankës së Shqipërisë dhe reagimit mediatik, në përgjithësi. Fushata e këtij viti duket se ka depërtuar më thellë në mendjet e gjithësecilit, pavarësisht këndvështrimeve dhe opinioneve, pozitive apo negative, të shpallura ose jo.

Fushata e Bankës së Shqipërisë dhe deklaratat e drejtuesve të saj gjatë ditëve të zhvillimit të fushatës ishin për një normë inflacioni pozitive dhe brenda intervalit objektiv 2-4 për qind. Por, ndryshe nga konstatimet pa shifra, Banka e Shqipërisë me konservatorizmin që e karakterizon, ishte e detyruar të priste rezultatin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, që si ndryshim vjetor për muajin dhjetor nënkupton inflacionin vjetor. Ky Indeks, publikohet nga INSTAT dhe si ndryshim vjetor në muajin dhjetor rezultoi 3.3 për qind, pra brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë.

Fushata ishte e suksesshme sepse pikësëpari Banka e Shqipërisë arriti, për të pestin vit rradhazi, objektivin e saj për të patur një normë inflacioni brenda intervalit të parashikuar dhe të publikuar që në fillim të vitit.

Nga ana tjetër, referuar raportit të INSTAT, gjatë muajit dhjetor u regjistruan edhe zhvillime "suprizë" në treguesin e indeksit të çmimeve të konsumit, kur kompania publike Albtelekom vendosi rritje të çmimit të pagesës së telefonisë prej 68.8 për qind, e cila dha efektin e saj prej 0.7 pikë përqindjeje në rritjen mujore të çmimeve të konsumit. Kjo rritje është jashtë argumenteve të fushatës së Bankës së Shqipërisë dhe për rrjedhim, ajo duhet zbritur.

Po ashtu, fushata rezulton e suksesshme, pasi javën e fundit të vitit 2003 çmimet e grupit ushqimor u rritën me vetëm 0.9 pikë përqindjeje, krahasuar me 2.1 pikë përqindjeje që ishte rritja në vitin 2002 dhe rreth 3 pikë përqindjeje që ishte rritja e çmimeve për të njëjtën periudhë të vitit 2001. Nga të dhënat e survejuara nga Banka e Shqipërisë bie në sy që rritja e çmimeve në grupin "problematik" "fruta dhe perime" ka ardhur në rënie dhe kjo përbën një argument më shumë në favor të fushatës.

Megjithëse është ende shpejt, Bankën e Shqipërisë anon nga opinioni se nuk është e nevojshme përsëritja e fushatës në fund të vitit 2004. Gjithësesi, ecuria e çmimeve gjatë vitit 2004 do të na japë një indikacion më shumë nëse do të angazhohemi për një fushatë tjetër. Por, nga ana tjetër Banka e Shqipërisë gjykon se një nismë të tillë mund ta ndërmarrë cilido subjekt.

Gjithësesi, Banka e Shqipërisë vlerëson se konkluzionet e fushatës janë si vijon:.

  1. Megjithëse nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar ofertën për produktet ushqimore, duke gjykuar nga disa indikatorë të tërthortë (për shembull të dhënat nga importi për muajin dhjetor), arrihet në përfundimin se kërkesa e shtuar ballafaqohet me një ofertë të shtuar, duke eleminuar kështu një shkak logjik, që mund të çonte në rritje kaq të pakontrolluar të çmimeve. Pra mund të konkludohet se edhe gjatë vitit 2003 përsëri pati spekulime me çmimet e artikujve ushqimorë më të kërkuar gjatë festave të fundvitit.
  2. Eksperienca e vitit 2003 tregoi se rritja e çmimeve gjatë festave të fundvitit është kthyer në një mendësi që pranohet në një shkallë relativisht të gjerë nga popullsia. Nga vrojtimi i kryer nga Banka e Shqipërisë del qartë se 92 për qind e popullsisë në pritshmëritë e saj parashikonte rritjen e çmimeve gjatë dhjetorit. Ka ardhur koha që individët e thjeshtë duhet të kuptojnë se ata vetë me pritshmëritë e tyre kthehen në një faktor që ndikon jo pak në fytyrën që do të ketë treguesi specifik në të ardhmen. Më konkretisht, duke qenë se konsumatori shqiptar manifeston një pritshmëri të tillë, gjatë festave të fundvitit, ai kthehet vetë në një faktor që nxit spekulimin në treg.
  3. Fenomeni spekulues është i pranishëm në të gjitha hallkat e tregtimit të artikujve ushqimorë tradicionalë për këto festa. Ashtu siç u evidentua dhe nga analiza e monitorimit të çmimeve, tregu i shumicës është hallka që shërben si "start" për rritjen spekulative të çmimeve. Efekti zinxhir i rritjes së çmimeve përforcohet nga hallkat e tjera të tregtimit, sipas forcës së tyre në përcaktimin e çmimeve.
  4. Fushata e sivjetshme ndërmjet të tjerash evidentoi edhe një herë domosdoshmërinë që institucionet shtetërore të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Ndërkohë që u bë realitet premtimi i ish - Ministrit të Financave se nuk do të ketë ndryshim në tarifa si dhe nuk do të ketë presion fiskal mbi subjektet tatimore, duhet theksuar se pritej një sjellje më aktive nga organet tatimore. Ajo çka prisnim në këtë drejtim kishte të bënte me praninë fizike të këtij institucioni publik nëpër tregje dhe vjelja e tatimit mbi fitimin e shtuar.
  5. Nga ana tjetër duhet përshpejtuar zhvillimi i tregjeve, shtimi i konkurrencës si për shembull përhapja e eksperiencës së tregjeve provizorë, ku të tregtohen veçanërisht produktet fruta - perime. Ndoshta Bashkitë në bashkëpunim me shoqatat e agrobiznesit dhe me tregtarët e mëdhenj të fruta - perimeve, mund të gjejnë gjuhën e përbashkët në këtë drejtim.
  6. Përdorimi si referencë e vazhdueshme e tregut të shtrenjtë të fruta perimeve në sheshin "Avni Rustemi" nga disa media ka efekte negative. Nga monitorimet që ne kemi bërë rezulton se ky treg frekuentohet nga një pjesë e vogël e konsumatorëve, kryesisht të pasur dhe të huaj. Referimi në mënyrë të vazhdueshme i çmimeve të këtij tregu, përveçse të largon nga e vërteta krijon edhe një efekt psikologjik që shtrihet si te konsumatorët ashtu edhe tek tregtarët.
  7. Në planin afatshkurtër, fushata ka ndikuar në zbutjen e efekteve negative të këtij fenomeni në normën mujore të inflacionit gjatë muajit dhjetor të vitit 2003. Në krahasim me 4 dhjetorët e fundit, inflacioni mujor i nëngrupeve "Fruta" dhe "Zarzavate përfshirë patate" në muajin dhjetor 2003 rezultoi më i ulët.
  8. Në përfundim, vlerësohet se fushata ishte e suksesshme sidomos në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik. Vendi i madh që ajo zuri në median e shkruar dhe në atë vizive, reagimi i shumë intelektualëve me edukim të profileve të ndryshme, shifrat e publikuara nga INSTAT si dhe ato të dala nga monitorimi i Bankës së Shqipërisë, nuk lënë mëdyshje në këtë drejtim.