BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi tryezën e diskutimit të Bankës së Shqipërisë me sistemin bankar “Zhvillimi i tregut ndërbankar”

Data e publikimit: 25.11.2011

 

Në datën 24 nëntor 2011, Banka e Shqipërisë organizoi një tryezë diskutimi me temë “Zhvillimi i tregut ndërbankar”, ku ishin të ftuar drejtues të sistemit bankar në Shqipëri dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë ka filluar zbatimin e projektit të binjakëzimit të Bankës së Shqipërisë me Bankën e Italisë dhe të Francës. Ky projekt synon forcimin e kapaciteteve institucionale, si dhe përafrimin e kuadrit ligjor dhe operacional të Bankës së Shqipërisë me standardet më të mira të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Një prej moduleve të këtij projekti është “Zhvillimi i tregut ndërbankar”.

Zhvillimi i tregut ndërbankar është një objektiv thelbësor i Bankës së Shqipërisë për vetë rolin e rëndësishëm që ai luan në drejtim të përmirësimit të mekanizimit të transmetimit të politikës monetare në ekonomi.

Arritjet në drejtim të zgjerimit dhe thellimit të tregut financiar në përgjithësi, dhe më konkretisht atij të parasë, janë të dukshme. Vëllimet e tregtimit janë rritur në të gjithë segmentet përbërës, ndërkohë që luhatshmëria e përqindjeve të interesit ka ardhur në rënie.

Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani u shpreh se pavarësisht progresit të bërë, rruga që duhet ndjekur në këtë drejtim është e ende gjatë.

Në këtë takim, u theksuan përpjekjet këmbëngulëse të Bankës së Shqipërisë për zhvillimin e tregut ndërbankar të parasë dhe të tregut dytësor të titujve qeveritarë, përpjekje këto të cilat kanë nevojë të mbështeten me iniciativa nga sistemi bankar.

Gjatë takimit, drejtues të bankave tregtare u njohën me masat shtesë të propozuara nga Banka e Shqipërisë për zhvillimin e tregut ndërbankar, ku një vend të rëndësishëm në realizimin e këtij procesi zë bashkëpunimi me aktorët e tregut.

Në përfundim, Guvernatori vuri në dukje se: “Zhvillimi i tregut financiar, në të gjithë segmentet përbërës, përbën një objektiv strategjik, për të cilin vëmendja dhe këmbëngulja jonë do të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Ju ftoj ti bashkëngjiteni pa asnjë hezitim përpjekjeve tona, duke mbajtur parasysh se të gjithë do të jemi të fituar”.