BANKA E SHQIPËRISË

INFORMACION
Mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret “Për funksionimin e sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS” dhe “Për funksionimin e sistemit të klerimit

Data e publikimit: 07.03.2011

 

Në mbledhjen e tij të datës 23 shkurt 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregulloret e funksionimit të sistemeve të pagesave: AIPS (Sistemi ndërbankar i pagesave me vlerë të mëdha) dhe AECH (Sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël). Ndryshimet e propozuara synojnë uljen e kostove të shërbimeve bankare duke i bërë më transparente ndaj publikut.
Masat e propozuara në këtë  vendim konsistojnë në:

1-  Rritjen e vlerës kufi të pagesave që procesohen në sistemin e klerimit për pagesat me vlerë të vogël AECH nga 1 milion në 1.5 milion lekë. Rritja e shumës synon të nxisë përdorimin e këtij sistemi më gjerësisht nga bankat, të favorizuara nga tarifat më të leverdishme që ky sistem ofron (aktualisht tarifa e një pagese në sistemin AECH kushton 4 lekë kundrejt 250 lekë të tarifës që aplikohet në sistemin AIPS për një pagesë që shlyhet në kohë reale). Rritja e vlerës limit për pagesat e vogla nënkupton që bankat mund të përdorin sistemin AECH për të ekzekutuar pagesat e klientëve deri në 1.5 milion lekë, duke përfituar nga tarifat e ulta të klerimit të pagesave.

2 - Shtimin e seancave të klerimit të pagesave në sistemi AECH, duke ju mundësuar bankave të shlyejnë pagesat e klientëve pothuaj në kohë reale, me një komision të ulët. Aktualisht zhvillohen dy seanca dhe vlerësojmë se shtimi i një seance të tretë të klerimit, do të bëjë një shpërndarje pothuajse të njëtrajtshme të pagesave të kleruara gjatë një dite pune.

3-  Ndryshimin e tarifave të pjesëmarrjes së bankave në sistemet AIPS dhe AECH kundrejt kërkesës për ulje të komisioneve për shërbimet e pagesave ndaj klientëve. Rishikimi i tarifave në ulje, në parim, kërkon të ndihmojë përdorimin me eficiensë të sistemeve të pagesave nga ana e bankave, por nëse kostoja e shërbimit për këtë produkt do të vazhdojë t’ju aplikohet “apriori” tërësisht klientëve nga bankat dhe jo sipas një politike ose metodologjie, ky rishikim në ulje nuk do të japë efektin e kërkuar ose të llogaritur nga Banka e Shqipërisë. Për këtë qëllim, vendimi i aplikimit të tarifave në ulje është shoqëruar me ndryshime të kontratës së pjesëmarrjes nga bankat sipas pikës 4 si më poshtë. Njëkohësisht, vendimi parashikon aplikimin e tarifave të diferencuara sipas seancës në të cilën klerohet pagesa si një politikë, e cila zbatohet në disa prej vendeve të rajonit (si Bullgari, Bosnjë, Slloveni, Serbi, etj..). Tarifat për sisteme të ngjashme në vendet e rajonit dhe në veçanti në vende që kanë hyrë në Bashkimin Evropian, variojnë nga 0.01 në 0.30 Euro (BSh aktualisht aplikon një tarifë prej 0.03 eurour për pagesën në sistemin AECH dhe tarifën 1.9 euro për një pagesë të shlyer në sistemin AIPS. Diferencimi i tarifave sipas seksioneve stimulon/nxit përdorimin e sistemeve të pagesave  nga bankat gjatë orareve të fillimit të ditës, pasi tarifa në seksionin  e parë kushton 2 herë më lirë se tarifa e seksionit të fundit (nga 4 në 8 lekë), me synimin e shpërndarjes së pagesave gjatë gjithë ditës, për të pakësuar dërgimin e pagesave në oraret pikë të trafikut të transmetimit. 

4-  Ndryshimi i kontratës së pjesëmarrjes në sistemet AIPS dhe AECH, me qëllim përcaktimin e një çmimi tavan që bankat mund t’u aplikojnë klientëve të tyre për pagesat/transaksionet që procesohet nëpërmjet këtyre sistemeve. Zbatimi i një praktike të tillë është i rrallë midis vendeve të ngjashme me Shqipërinë, por kjo është një zgjidhje e drejtë që do t’i japë një hov të ri besueshmërisë së publikut në sistemin tonë bankar si dhe  gjykohet i nevojshëm në vijim të propozimit të tretë.