BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtarinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 22.04.2014

 

Në datat 11-13 prill 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington D.C., SHBA.

Këto mbledhje të përvitshme shërbejnë si forume në të cilat pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë botërore, si dhe shkëmbejnë opinione mbi politikat dhe masat e duhura për trajtimin e problemeve.

2014imfgovernorgroup 6567 0


Në këtë kuadër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me personalitete të rangut të lartë, ku mund të veçojmë: z. Min Zhu, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar; zj. Laura Tuck, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore; z. Andrea Montanino, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Reza Moghadam, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB; z. Jose Vinals, Drejtor i Departamentit Monetar dhe i Tregjeve Kapitale në FMN; z. Nadeem Ilahi, Shef i Misionit të FMN-së në Shqipëri; si dhe me z. Per Jansson, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Suedisë.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në ekonominë shqiptare,duke u fokusuar kryesisht mbi ato në sektorin bankar. Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive të hasura si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, ekonomia shqiptare gëzon stabilitet të plotë. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit makrofinanciar në vend ka luajtur dhe Banka e Shqipërisë, kjo falë masave të ndërmarra prej sajnë fushën e politikës monetare dhe mbikëqyrjes bankare. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe marrja e masave të duhura për të garantuar rritjen ekonomike të vendit. Në këtë drejtim, Guvernatori Fullani siguroi të pranishmit se Banka e Shqipërisë po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm. Ai theksoi rëndësinë e akteve ligjore të miratuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë,të cilat synojnë nxitjen e kreditimit dhe uljen e nivelit të kredive me probleme në vend.

Në kuadër të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, Guvernatori Fullani mori pjesë dhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Guvernatori Fullani mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës 2.0.