BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtarinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 23.04.2018

 

Në datat 20-22 prill 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

498 IMG 0978

Shqipëria mori pjesë në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë - me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, Zj. Elisabeta Gjoni, si dhe drejtues të tjerë të lartë të saj - dhe nga Ministria e Financave - me përfaqësues Zëvendësministrin e Financave, z. Erjon Luçi, dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se: “…rritja globale është forcuar më tej dhe mbështetet gjithmonë e më shumë në një bazë të gjerë, e nxitur nga rikuperimi i fortë i investimeve dhe tregtisë. Rreziqet janë gjerësisht të balancuara në afatin e shkurtër, por mbeten të anuara për poshtë, përtej disa tremujorëve të ardhshëm. Rritja e dobësive financiare, rritja e tensioneve në aspektet tregtare dhe gjeopolitike, dhe borxhi historikisht i lartë në nivel global, kërcënojnë parashikimet për rritjen globale. Faktorët demografikë dhe rritja e ulët e produktivitetit mund të reduktojnë potencialin për rritje më të lartë dhe më përfshirëse në të ardhmen.”.

 

Takimi me Presidentin e Bankës Kombëtare të Gjermanisë, Dr. Jens Weidman...

 

IMG 0918

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: përfaqësues të FMN-së - z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, z. Alessandro Leipold, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Anita Tuladhar, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Dong He, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së - z. Cyril Muller, Zëvendëspresident për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Linda van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; z. Marcelo Guigale, Këshilltar pranë BB-së, zj. Arunma Oteh, Zëvendëspresidente për Thesarin etj.

Përveç takimeve me përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve, Guvernatori Sejko gjithashtu zhvilloi edhe takime të tjera të rëndësishme, ndër të cilat mund të veçojmë takimin me: zj. Elke König, Kryetare e Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Single Resolution Board -SRB); me Presidentin e Bankës Kombëtare të Gjermanisë, Dr. Jens Weidmann; dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya. Gjatë takimeve me homologët e bankave qendrore, u vlerësuan marrëdhëniet ndërinstitucionale të deritanishme, si dhe u diskutua për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Takimi me përfaqësuesit e Bankës Botërore

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Ai shtoi se zbatimi politikës monetare stimuluese ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit. Më konkretisht, në lidhje me zhvillimet në ecurinë e çmimeve të konsumit, z. Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë e fokusuar në përmbushjen e objektivit të saj kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Inflacioni po kthehet gradualisht në nivelin e synuar, duke ardhur në rritje, dhe parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.

Më tej, Guvernatori Sejko, shtoi se Banka e Shqipërisë, nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj si autoritet monetar, ka kontribuuar në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit. Në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar. Gjatë diskutimeve, Guvernatori nënvizoi se për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme mbetet jetik bashkërendimi në vazhdimësi i politikës monetare me atë fiskale.

Takimi me z

Lidhur me sistemin bankar në vend, z. Sejko u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të mirë financiarë, megjithatë vuri theksin se nxitja e kreditimit dhe vijimi me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, mbetet një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen. Ai shtoi se zbatimi i këtij të fundit, ka ndihmuar në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në muajin dhjetor 2017 në vlerën 13.2%.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunimin me institucionet e tjera në vend, për stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare. Guvernatori theksoi se qëllimi kryesor i këtij angazhimi është përmirësimi i efektivitetit të politikës monetare dhe ulja e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.

Takimi me z  Poul Thomsen Drejtor i Departamentit Evropian prane FMN

Në përfundim, Guvernatori Sejko shtoi se institucioni që ai drejton do të vijojë me përmirësimin e vazhdueshëm të rolit të tij mbikëqyrës, përqasjes proaktive të rregullimit bankar, rritjes së sigurisë së sistemit bankar dhe nxitjes së zhvillimit të sistemit të pagesave, duke ndjekur standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së gjetën rastin të inkurajonin Bankën e Shqipërisë në angazhimin e mëtejshëm lidhur me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare.

Më tej, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se Shqipëria duhet të përfitojë nga trendi i rritjes ekonomike, stabiliteti financiar dhe sistemi i sigurt financiar, për të tërhequr investime të huaja, në mënyrë që kjo rritje ekonomike të jetë e shëndetshme në afat të gjatë.

498 Foto e Grupit

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, përshëndetën rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ata u shprehën se për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit, mbetet i një rëndësie të veçantë vazhdimi i reformave strukturore në vend.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.