BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani

Data e publikimit: 10.06.2005

 

Javët e fundit Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani ka marrë pjesë në dy takime të ndryshme të zhvilluara në kuadrin e nismës për bashkëpunim ekonomik midis vendeve të Detit të Zi, nisëm ku aderon edhe vendi ynë.

Nga data 26 deri më 29 maj 2005, në qytetin e Shën Peterburgut u zhvillua takimi i rradhës i Klubit të Guvernatorëve të Azisë Qendrore, Detit të Zi dhe vendeve të Ballkanit. Kjo nisëm, e cila përmbledh bashkëpunimin e vazhdueshëm të bankave qendrore të këtij rajoni tashmë është kthyer në një traditë të rregullt, ku 18 Guvernatorë në mënyrë të vazhdueshme ballafaqojnë idetë dhe eksperiencat e vendeve që përfaqësojnë me ato të rajonit, dhe më gjerë, me standardet më të përparuara ndërkombëtare.

Në takimin e radhës referues kryesorë ishin zotërinjtë Malcolm D. Knight, Menaxher i Përgjithshëm i Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare të Bazelit (Bank for International Settlements BIS) dhe Leszek Balcerowicz, President i Bankës Kombëtare të Polonisë.

Në dy referatet e prezantuara theksi u vu mbi eksperiencat e fundit në fushën e sistemit bankar, të ecurisë së tregjeve dhe veçanërisht stabilitetit financiar, me një fokus më të veçantë për ekonomitë në tranzicion dhe ato të anëtarësuara kohët e fundit në Bashkimin Evropian.

Guvernatorët e vendeve të ndryshme në diskutimet e tyre u ndalën në problemet konkrete që kishin të bënin me ekonomitë dhe me sektorët financiarë të vendeve që ato përfaqësonin, duke i vënë theks gjithnjë e më të madh përshpejtimit të reformave strukturore.

Nga ana e tij z. Fullani pasi bëri një ekspoze të shkurtër mbi zhvillimet më të fundit ekonomike si dhe ecurinë aktuale të sistemit bankar shqiptar u ndal edhe në trajtimin e disa problemeve të tjera, që në një kuptim të përgjithshëm përbëjnë sfida për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore.

Në zhvillim të kësaj ideje, për herë të parë u zhvillua një takim informal me të pestë guvernatorët e rajonit, ku ndërmjet të tjerash u diskutua ideja e krijimit të një Klubi të Guvernatorëve të Vendeve të Evropës Juglindore.
Gjithashtu z. Fullani pati takime të veçanta me zotin Knight, Menaxher i Përgjithshëm i Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare të Bazelit dhe me zotin Balcerowicz, President i Bankës Kombëtare të Polonisë.

Z. Fullani, duke përfituar nga rasti ftoi të dy personat e shquar për të marrë pjesë në Forumin e Hapur që Banka e Shqipërisë do të organizojë në ditët e para të muajit dhjetor 2005, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi. Qëllimi i këtij takimi do të jetë shqyrtimi i disa parakushteve që lidhen me zbatimin e regjimit të politikës monetare të inflacionit të shënjestruar. Pjesëmarrës në të do të jenë personalitete të spikatura ku veçohen: z. Marko Skreb, ish - Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë, zoti Herbert Taylor, Zëvendëspresident i Bankës së Reservës Federale të Filadelfias, zoti Zdenek Tuma, Guvernator i Bankës Kombëtare të Çekisë, zoti Radovan Jelasic, Guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë, akademikë të shquar, ekspertë të FMN-së, BIS, të bankave qendrore etj.

Takimi tjetër i përket pjesëmarrjes së zotit Fullani në Mbledhjen Vjetore të Bankës për Tregti dhe Zhvillim të Detit të Zi (Black Sea Business Day e BSTDB), e cila u zhvillua ditën e hënë më datë 6 qershor, në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë.

Në këtë takim zoti Fullani ishte i ftuar nderi në panelin që i kushtohej stabilitetit dhe zhvillimeve më të fundit të sektorit financiar në vendet e rajonit të Ballkanit. Në fjalën e tij, zoti Fullani bëri një përmbledhje të arritjeve dhe problemeve më të spikatura që kanë karakterizuar kohët e fundit sistemet financiare të vendeve të Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe vendi ynë.

Shkurtimisht u theksua se në përputhje edhe me konstatimet e FSAP, këto vende duhet t'i vënë kujdes më të madh segmenteve të tjera të sektorit financiar të cilat nuk janë në hapin dhe arritjet e sistemit bankar.

Ky i fundit, megjithë zhvillimet e spikatuara dhe një lloj konsolidimi relativ të prekshëm pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, përsëri ka shumë sfida përpara tij. Disa episode në të kaluarën tregojnë se ende sistemet bankare të rajonit janë të ndjeshme karshi disa zhvillimeve të caktuara.

Sistemi bankar në secilin prej vendeve të rajonit ka nevojë për reformim të mëtejshëm ku veçanërisht spikat përfundimi i procesit të privatizimit, rritja e mëtejshme e rolit të tij në ndërmjetësimin financiar dhe në shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar midis vetë vendeve të rajonit.

Kryerja e reformave të shpejta e shoqëruar me hapa të sigurtë në drejtim të modifikimit të legjislacionit, do të bënte që ëndrra e rajonit për një anëtarësim në Evropë të jetë më e vërtetë. Nga ana tjetër, kjo do të rriste konfidencën e vendeve të veçanta dhe të rajonit në përgjithësi, duke hapur kështu rrugën për më shumë investime te huaja direkte (FDI), dhe për më shumë investitorë cilësorë.

Gjatë qëndrimit në Jerevan, zoti Fullani, pati një takim të veçantë me zotin Tigran Sargsyan, Kryetar i Bankës Qendrore të Armenisë. Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në vendet respektive, me theks të veçantë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e disa segmenteve të tregut financiar, si ai i bonove të thesarit dhe kredive hipotekore. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se duhet shfrytëzuar më mirë potenciali i degës së bujqësisë, pasi kështu do të sigurohen ritme më të qëndrueshme rritjeje dhe do të jepet një kontribut i prekshëm edhe në drejtim të rritjes së punësimit dhe uljes së varfërisë, në përgjithësi. Për këtë qëllim, duhet që të rritet mbulimi i kësaj dege me financime si nga sistemi bankar ashtu edhe nga institucione të specializuara.

Ndërmjet të tjerash, gjatë qëndrimit në Armeni, zoti Fullani zhvilloi dhe takime me zyrtarë dhe përfaqësues të lartë të Banka e Detit të Zi si dhe me personalitete të ndryshme që mernin pjesë në këtë takim.

Sqarim:
Në nismën e bashkëpunimit ekonomit të vendeve të Detit të Zi bëjnë pjesë këto shtete:

  1. Shqipëria
  2. Maqedonia
  3. Greqia
  4. Turqia
  5. Mal i Zi
  6. Serbia
  7. Republika e Maqedonisë
  8. Bosnja dhe Hercegovina
  9. Rumania
  10. Bullgaria
  11. Federata Ruse
  12. Armenia
  13. Azerbaixhan
  14. Ukraina
  15. Moldavia
  16. Gjeorgjia
  17. Kazakistani
  18. Kirgistani