BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani

Data e publikimit: 04.07.2005

 

Nga data 26 - 27 qershor 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipësisë zoti Ardian Fullani, mori pjesë në mbledhjen vjetore të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS) me qendër në Bazel të Zvicrës. Këtë vit kjo bankë e njohur për rolin e saj rregullator në ambientin e përgjithshëm bankar dhe financiar festoi 75 vjetorin e krijimit të saj, përvjetor cili përkon me një rol të spikatur të saj në drejtim të eficiencës dhe të konsolidimit të stabilitetit monetar ndërkombëtar.

Kontributi aktual i BIS është rritur veçanërisht në drejtim të standardizimit të rregullave të mbikëqyrjes për segmente të ndryshme të sektorit financiar ku veçohen ato që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e sistemit bankar. Nga ana tjetër BIS po jep një kontribut gjithnjë e në rritje edhe në drejtim të çështjeve që kanë të bëjnë me qeverisjen e institucionit bankë qendrore.

Mbledhja zyrtare, e cila u kryesua nga ish President i Bankës Federale të Gjermanisë zoti Hans Tietmeyer, pati si temë qendrore kooperimin midis bankave qendrore, duke u ndaluar në mësimet e nxjerra nga e kaluara dhe në perspektivat që hapen përpara.

Në këtë takim morën pjesë autoritete të larta të bankave qendrore dhe të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare të cilët me ndërhyrjet e tyre sollën shumë argumente në favor të rritjes dhe të forcimit të bashkëpunimit dhe të kooperimit midis vetë bankave qendrore si dhe midis tyre e insitucioneve ndërkombëtare të cilat kanë rol rregulles dhe koordinues në rrafshin ndërkombëtar.

Një eveniment i rendësishëm sidomos nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, ishte dhe forumi i datës 27 qershor 2005 në qendër të të cilit ishte diskutimi i rastit të Bankës së Shqipërisë në kontekstin e përmirësimit të qeverisjes së saj institucionale. Që nga vitit 2004, BIS e ka shndërruar në një traditë organizimin e forumit në lëmin e qeverisjes ku autoritete të larta nga bankat qendrore të të gjithë botës diskutojnë mbi zhvillimet e fundit, praktikat e ndryshme të vendeve që ato përfaqësojnë si dhe përgjithësime të ndryshme që bëhen nga stafet eksperte të BIS.
Në këtë forum, i cili kryesohej nga zoti Joseph Yam, Shefi Ekzekutiv i Autoritetit Monetar të Hong Kongut, ku merrnin pjese edhe guvernatore nga vende te tjera, u diskutua gjerësisht në lidhje me statusin aktual dhe disa ide të reja të Bankës së Shqipërisë, ide të cilat u bënë prezente nga ana e Zotit Fullani. Nga ana e guvernatoreve të pranishmëve në forum u sollën eksperienca të ndryshme dhe u bënë propozime konkrete të cilat synonin modernizimin e mëtejshëm të Bankës së Shqipërisë, bërjen e saj më të pushtetshme në përballimin e sfidave të reja të momentit dhe të perspektivës. Në thelbin e këtyre propozimeve qëndron ideja e krijimit të disa komiteteve të specializuara në argumente specifike që kanë të bëjnë me politikën monetare, funksionimin e tregjeve, stabilitetin financiar, menaxhimin e likuiditetit dhe çështje të tjera të lidhura.

Kjo do të rriste më tej efektivitetin e politikës monetare, kryesisht nëpërmjet perfeksionimit të mekanizmit të transmisionit të politikës monetare dhe nëpërmjet përsosjes së transparencës në fushën e vendimarrjes së politikës monetare. Kjo do të krijonte mundësi që të rritet ndjeshëm përgjegjësia në punë si dhe shfrytëzimi i burimeve njerëzore do të ishte më efektiv.

Nga të gjithë pjesmarrësit në forum u konkludua se përmirësimet e mundshme në qeverisjen e Bankës së Shqipërisë në analizë të fundit do të çonin në arritjen e një shkalle më të lartë të pavarësisë, të transparencës dhe të përgjegjshmërisë. Nuk duhet lënë pa përmendur se edhe komunikimi me publikun do të fitojë dimensione të reja, në drejtim të emetimit në publik të një informacioni më të qartë, më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm në drejtim të realizimit të objektivit final të Bankës së Shqipërisë rruajtjes së stabilitetiti të çmimeve.

Rëndësia e këtij forumi të dedikuar Bankës së Shqipërisë pati një rëndësi të madhe pasi krijoi hapsira për një përfshirje permanente të Bankës së Shqipërisë në këtë forum prestigjoz për problemet që lidhjen me qeverisjen e bankës qendrore. Privilegji i pjesmarrjes në këtë forum lejon thithjen e ekspertizës më të mirë në këtë fushë si dhe njëkohësisht mundëson njohjen e eksperiencave më të mira nga bota e bankave qendrore.

Gjatë qëndrimit të tij në Bazel, zoti Fullani u takua dhe me disa prej personaliteteve të pranishëm në takim si me: zotin Mervyn King, Guvernator i Bankës së Anglisë, Zotin Jean-Claude Trichet, Guvernator i ECB, zotin Klaus Liebscher Guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë, Zotin Antonio Fazzio, Guvernator i Banca d'Italia dhe Zotin Malcolm D Knight, Drejtues Ekzekutiv i BIS. Ky i fundit ndër të tjera pranoi me kënqaësi ftesën e zotit Fullani, për të marë pjesë në Forumin e Hapur të Bankës së Shqipërisë që do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor 2005 në qytetin e Tiranës, ku theks i vecante do t'i vihet qeverisjes se ketij institucioni.