BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 30.09.2005

 

Nga data 22 deri në datën 26 shtator 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Ardian Fullani, duke kryesuar delegacionin e Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

DSC01840 964 0

Gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C., Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë të FMN, BB, Rezervës Federale, dhe të FSVC. Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN dhe të BB, pala shqiptare u përfaqësua me pjesëmarrjen e përbashkët të Ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, dhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani.

Takimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar
Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të FMN-së, u zhvilluan diskutime intensive me: z. Michael Deppler, Drejtor i Evropës në FMN, z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Istvan Szekely, Shef i Missionit të FMN për Shqipërinë dhe ekipin e tij, z. Julio Escolano ish-Shef i Misionit të FMN, zj. Marta Branco, Shefe për Evropën në Departamentin e Sistemeve Monetare dhe Financiare, z. Alfredo M. Leone, Departamenti i Statistikës, FMN etj.

Në të gjitha takimet, nga të dyja palët iu kushtua vëmendje e veçantë ecurisë së mëtejshme të marrëdhënieve midis FMN-së dhe Shqipërisë. Nga pala shqiptare, në unison të plotë, iu kërkua FMN-së që të fillojë sa më shpejt negociatat me autoritetet përkatëse për një marrëveshje të re afatmesme bashkëpunimi midis FMN-së dhe Shqipërisë. Për këtë qëllim, në fillim të muajit nëntor 2005, misioni i Departamentit Evropian, i kryesuar nga zoti Istvan Szekely, do të vijë në Tiranë për të diskutuar me autoritetet shqiptare, modalitetet dhe treguesit kryesorë për periudhën trevjeçare në vazhdim.

Gjatë takimeve u diskutuan probleme dhe çështje të ndryshme lidhur me politikën fiskale, me politikën monetare dhe me politikat e tjera në ekonomi, të cilat do të përbëjnë bazën e marrëveshjes së re të mundshme me FMN.

Një tjetër temë e rëndësishme, ishte dhe diskutimi rreth problemit kompleks që lidhet me administrimin e borxhit publik. Për këtë qëllim, nga pala shqiptare u kërkua ndërtimi i një pakete masash specifike, të cilar do të prekin jo vetëm eficiencën e administratës fiskale, por që do të synojnë edhe në vazhdimin e reformës strukturore, dhe zgjerimin e thellimin e mëtejshëm të tregut financiar, veçanërisht në drejtim të prezantimit të instrumentave të rinj financiarë.

Në këtë kontekst, me rëndësi u vlerësua konsolidimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik, veçanërisht në drejtim të rritjes ekonomike dhe të kontrollit të presioneve inflacioniste. Për këtë qëllim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një ekspoze të gjerë mbi zhvillimet ekonomike dhe ato monetare, duke dhënë dhe argumentet përkatëse në lidhje me zhvillimet e fundit në tregun e parasë dhe lëvizjet e kohëve të fundit në interesat e bonove të thesarit.

Gjithashtu, në këto takime u diskutua rëndësia që Shqipëria të ketë një "credit rating" (vlerësim ndërkombëtar i rrezikut të një vendi), i cili do ta ndihmojë shumë Shqipërinë dhe do ta kualifikojë Qeverinë Shqiptare të dalë vetë në treg për gjetjen e fondeve, ndërkohë që do të ndihmojë në rritjen e investimeve direkte të huaja.

Një argument tjetër i rëndësishëm ishte dhe raporti mbi sistemin financiar në Shqipëri i njohur nën siglën FSAP (Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar), misioni i përbashkët i FMN dhe BB. Për këtë qëllim, nga Guvernatori u kërkua që ky raport t'i përcillet publikut shqiptar nëpërmjet një aktiviteti të përbashkët të autoriteteve shqiptare dhe FMN e BB. Më tej, pjesë e këtij aktiviteti do të ishte edhe ndërtimi e prezantimi publik i një plani veprimesh për të përmbushur rekomandimet e lëna në këtë raport.

Nga përfaqësuesit e lartë të FMN u shpreh gadishmëria për të vazhduar asistencën për Bankën e Shqiperise dhe për Ministrinë e Financave, me projekte dhe asistencë teknike në realizimin e reformave strukturore, në zhvillimin e tregut financiar, në përmirësimin e administrimit të borxhit të brendshëm, në realizimin e vlerësimit ndërkombëtar të rrezikut të vendit "credit rating" etj.

Në takimin me përfaqësuesit e Departamentit të Statistikës, përveç problemeve teknike, u diskutua dhe mundësia që një mision i këtij departamenti (ROSC -Vlerësimi i Standarteve dhe i Kodeve në Statistikë) të vijë në Shqipëri pranë Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe INSTAT-it në fillim të vitit 2006, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të statistikave shqiptare, si dhe dhënien e asistencës teknike stafit të institucioneve të sipërpërmendura.

Takimet me Bankën Botërore
Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të BB, u zhvilluan diskutime intensive me: Z. Shigeo Katsu, Zëvendëspresident i Rajonit ECA, Z. Biaggio Bossone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë pranë BB, Znj. Orsalia Kalantzopoulos Drejtore e Rajonit BB, z. Myles D. Brennan, Drejtor i Departamentit të Investimeve në BB, z. Keneth G. Lay, Zëvendes i Thesarit dhe Drejtor i Departamentit të Financës në BB, etj.

Në këto takime të përbashkëta të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, u vlerësuan marrëdheniet e mira të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe intensifikimi i këtyre marrëdhënieve.

Gjatë këtyre takimeve, nga ana e tij, z. Ardian Fullani, i njohu përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore me zhvillimet makroekonomike në Shqiperi dhe me synimet e saj për të konsoliduar arritjet e deritanishme, veçanërisht mbajtjen nën kontroll të inflacionit brenda intervalit të synuar 2 - 4 për qind.

Z. Fullani u shpreh i kënaqur për përfundimin e projektit të sistemit të shlyerjes së pagesave në shuma të vogla, duke qenë i bindur se përdorimi i tij do të jetë shumë efikas edhe në drejtim të reduktimit të cash-it në ekonomi. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, synon të mbledhë edhe njëherë në nje forum të përbashkët përfaqësuesit e grupeve të interesit ekonomik që lidhen me realizimin e shërbimeve utilitare në ekonomi.

Z. Fullani u shpreh gjithashtu optimist për realizimin e projektit të përbashkët me Bankën Botërore, që lidhet me ngritjen e Zyrës së Informacionit të Kredive, dhe kërkoi nga Banka Botërore të fillojë sa më shpejt realizimin e tij.

Firmoset marrëveshja për administrimin e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë me Bankën Botërore
Me rëndësi të veçantë ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes me BB "Për Administrim dhe Konsulencë të Investimit të Rezervës Valutore, në datë 23 shtator 2005, në selinë e Bankës Boterore.

Kjo marrëveshje e nënshkruar midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore për administrimin e pjesshëm të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, është një marrëveshje specifike, e cila përveç ekspertizës në administrim do të sjellë edhe asistencë e programe kualifikuese për stafin teknik të Bankës së Shqipërisë.

Forumi i Guvernatorëve mbi administrimin e rezervave valutore
Në datë 23 shtator 2005, Departamenti i Thesarit të Bankës Botërore, në bashkëpunim me Departamentin Monetar dhe Financiar të FMN, organizuan Forumin e Guvernatorëve mbi administrimin e rezervave valutore.

Në këtë forum, z. Fullani moderoi panelin me temë "Përbërja e Monedhave në Rezervën valutore, Kapitali dhe Rregullat e Shpërndarjes së Fitimit". Në këtë panel midis personaliteteve të tjera të larta, morën fjalën dhe znj. Anne O. Krueger, Zëvendësdrejtore e Parë e Fondit Monetar Ndërkombetar, si edhe Prof. Stanley Fischer, Guvernator i Bankës së Izraelit.

Takim me Korpusin e Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare (FSVC)
Gjatë qëndrimit në SHBA, zoti Fullani zhvilloi një takim me zotin Andrew Spindler, Shefin Ekzekutiv të Korpusit të Vullnetareve të Shërbimeve Financiare (FSVC). Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me FSVC, veçanërisht në drejtim të asistimit të departamenteve të ndryshme të Bankës së Shqipërisë dhe e siguroi zotin Spindler për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, zoti Fullani diskutoi mundësinë e angazhimit më të drejtpërdrejtë të FSVC, në realizimin e Konferencës së 6-të të Bankës së Shqipërisë, që do të mbahet vitin që vjen me temë qendrore stabilitetin financiar. Zoti Spindler nga ana e tij, siguroi zotin Fullani që FSVC do të vazhdojë këshillimin në sektorë dhe departamente, ku Banka e Shqipërisë ka më shumë nevojë sipas një plani të përgatitur bashkarisht. FSVC do të ndërmjetësojë gjetjen e ekspertëve të kualifikuar, si edhe do të ofrojë ndihmesë teknike edhe në hartimin e politikave afatgjata dhe të strategjisë së komunikimit të Bankës së Shqipërisë.