BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani gjatë zhvillimit të mbledhjeve pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar si edhe takimet të zhvilluara me Rezervën Federale

Data e publikimit: 29.04.2006

 

Nga data 21 deri më datën 26 prill 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe njëkohësisht Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjen e Pranverës të Grupit të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjithashtu, z. Fullani mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Financiar të Fondit Monetar (IMFC), si dhe në mbledhjen e Komitetit të Zhvillimit të Bankës Botërore (WBDC).

Gjatë qëndrimit në SHBA, z. Fullani zhvilloi takime në Rezervën Federale Qendrore në Washington DC, në Rezervën Federale të New Yorkut dhe me FSVC-në (Korpusi i Vullnetarëve për Shërbimet Financiare). Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN-së dhe të BB-së, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, ishte e përbashkët me Ministrin e Financave, zotin Ridvan Bode.

Takimi me znj. Susane Bies, Guvernatore në Bordin e Sistemit të Rezervës Federale.

Në datën 26 prill 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani zhvilloi një takim në selinë qendrore të Bordit të Guvernatorëve me një nga Guvernatorët e këtij Bordi, znj. Susane Bies. Z. Fullani i shprehu mirënjohjen dhe falenderimet Guvernatores Bies për ndihmën e vazhdueshme dhe asistencën teknike që Rezerva Federale i ka dhënë Bankës së Shqipërisë.

Fullani Bies 1070 0

(Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me
Guvernatoren e Rezervës Federale, zj. Susane Bies)

Më pas, biseda u përqendrua rreth zhvillimeve ekonomike dhe situatës makoroekonomike në Shqipëri, si zhvillimet në sektorin bankar dhe atë financiar, objektivat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë lidhur me zbatimin në të ardhmen e regjimit të inflacionit të shënjestruar, për zgjerimin e tregut të bonove të thesarit, kreditimin dhe zhvillimin e tregut të kreditimit hipotekor, tregu i ndërtimit, çështjet ligjore, çështjet e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, sistemet e pagesave etj..

Gjatë takimit Guvernatorja Bies theksoi rëndësinë e rritjes profesionale dhe të kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare për administrimin më të mirë të rreziqeve të aktiveve, të kreditimit dhe të kapitalit të bankave. Z. Fullani e informoi dhe e siguroi znj. Bies për hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për angazhimin dhe realizimin e këtyre objektivave dhe sfidave.

Guvernatorja Bies nga ana e saj, shprehu edhe një herë gatishmërinë e Rezervës Federale për të vazhduar ndihmën për Bankën e Shqipërisë me asistencë teknike dhe me ekspertë, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, për marrjen e masave për adoptimin e standardeve të mbikëqyrjes të kërkuara nga marrëveshja BAZEL II, si dhe për analizimin e ndërlikimeve që sjell përdorimi i këtyre standardeve.

Takimi me Z. Timothy F. Geithner, President i Rezervës Federale të New York.

Në datën 20 prill 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e Rezervës Federale të New Yorkut, njëkohësisht edhe Anëtar i Përhershëm i FOMC (Komiteti Federal i Tregjeve të Hapura), z. Timothy F.Geithner. Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendëspresidenti i Rezervës Federale të New Yorkut, z.Terrence J.Checki.

Fillimisht, Guvernatori Fullani i shprehu Presidentit Geithner falenderimet e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe marrëdhëniet e mira, si edhe për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy institucioneve.

Më pas, z. Fullani bëri një prezantim të zhvillimeve të fundit të ekonomisë shqiptare, të zhvillimeve monetare, të ecurisë së inflacionit dhe mbajtjes së tij nën kontroll, të zhvillimeve më të fundit në sektorin bankar si edhe të zhvillimeve në tregjet financiare. Në vazhdim, takimi u fokusua në drejtim të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe në asistencën teknike që Rezerva Federale e New Yorkut mund t'i ofrojë Bankës së Shqipërisë.

Takimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të FMN-së, u zhvilluan diskutime intensive me z. Michael Deppler, Drejtor i Departamentit të Evropës në FMN, me z. Jai Chapra, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Evropës në FMN, me z. Juha Kahkanen, Këshilltar në Drejtorinë e Departamentit të Evropës në FMN, me z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, me z. Istvan Szekely, Shef i Misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe ekipin e tij, me z. Charles Enoch, Drejtor në Departamentin e Sistemeve Monetare dhe Financiare, me z. Robert Edwards, Drejtor në Departamentin e Statistikës në FMN etj..

Tema kryesore e diskutimeve me përfaqësuesit e FMN-së ishte ecuria e ekonomisë shqiptare, kryesisht ecuria e politikave makroekonomike dhe e reformave strukturore. Gjatë takimeve u konstatua se palët ndanin të njëjtin vizion për ecurinë pozitive të treguesve makroekonomikë dhe në veçanti për rritjen ekonomike, për stabilitetin e çmimeve dhe për konsolidimin e mëtejshëm të treguesve fiskalë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Fullani theksoi se rritja ekonomike reflekton dinamizmin e sektorit privat, i cili është favorizuar edhe nga ambienti i qëndrueshëm makroekonomik. Niveli i ulët i inflacionit tregon për një koordinim të mirë të politikave monetare dhe fiskale, një kontroll të kërkesës së brendshme dhe një rezistencë të kënaqshme të ekonomisë sonë ndaj goditjeve që kanë dhënë rritja e çmimeve të naftës dhe situata e rënduar energjetike. Gjithashtu, Guvernatori u ndal edhe në zhvillimin e vrullshëm të kreditimit të ekonomisë gjatë dy viteve të fundit, duke nënvizuar mbështetjen që i jep ai ekonomisë, por edhe sfidat që paraqet në aspektin e ruajtjes së cilësisë së portofolit të bankave dhe të kontrollit të balancës makroekonomike.

Gjatë takimeve u diskutua edhe situata e kushteve monetare, të cilat u konsideruan si të favorshme për zhvillimin ekonomik. Gjithashtu, të pranishmit diskutuan edhe mbi ecurinë aktuale dhe të pritshme të politikës monetare, duke evidentuar rolin pozitiv që ka luajtur kjo politikë në zhvillimin ekonomik dhe duke diskutuar opsionet e ardhshme të saj.

Duke u ndalur në perspektivën e zhvillimeve ekonomike, gjatë takimeve u evidentua nevoja e rritjes së ritmit të reformave strukturore, çka do të krijonte potenciale më të larta për rritjen ekonomike. Nga ana e tij, Guvernatori ritheksoi edhe një herë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të proceduar me reforma të mëtejshme në sektorin financiar nëpërmjet zbatimit të projekteve konkrete, si ngritjen e Zyrës së Informacionit të Kredive dhe zbatimin e planit të masave për ndjekjen e rekomandimeve të lëna nga FSAP-i. Guvernatori theksoi nevojën e rritjes së eficiencës dhe të cilësisë të të gjitha degëve të sistemit financiar, nëpërmjet përfundimit të procesit të privatizimit dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ. Gjithashtu, Guvernatori u ndal në punën e Bankës së Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve të saj institucionale dhe fokusimin e saj në realizimin e parakushteve teknike, institucionale dhe ligjore që nevojiten për përmbushjen e parakushteve të nevojshme për adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar. Përfaqësuesit e FMN-së shprehën mbështetjen e tyre për këto nisma dhe u angazhuan për realizimin e tyre nëpërmjet programeve të asistencës teknike.

Në përgjithësi, takimet evidentuan ecurinë e mirë të ekonomisë dhe përmbushjen e objektivave të vendosur në kuadrin e marrëveshjes me FMN-në. Ky fakt merr një rëndësi të madhe, duke qenë se marrëveshja aktuale konsiderohet nga të dyja palët si një test i qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare.

Takimet me Bankën Botërore.

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, u zhvilluan diskutime intensive me z. Shigeo Katsu, Zëvendëspresident i Rajonit ECA, me z. Biaggio Bossone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, me znj. Orsalia Kalantzopoulos, Drejtore Rajonale në BB etj..

Në këto takime të përbashkëta të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave u vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe intensifikimi i këtyre marrëdhënieve. Gjatë këtyre takimeve, nga ana e tij, Guvernatori Fullani i njohu përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore me zhvillimet makroekonomike në Shqipëri dhe synimet e saj për të konsoliduar arritjet e deritanishme, veçanërisht mbajtjen nën kontroll të inflacionit brenda intervalit të synuar 2 - 4 për qind.

Në këto takime u theksua nevoja për reforma të mëtejshme strukturore në ekonominë shqiptare. Një rëndësi prioritare në këtë drejtim iu njoh reformës në sektorin energjitik, duke synuar shkëputjen e vendit nga kërcënimet e vazhdueshme të mungesës së energjisë. Gjithashtu, reforma të mëtejshme duhen ndërmarrë edhe në sektorin financiar dhe atë fiskal, në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe të zbatimit të ligjit, në përmirësimin e informacionit statistikor, si dhe në rritjen e kapaciteteve analizuese, zbatuese dhe parashikuese të autoriteteve shqiptare. Përfaqësuesit e Bankës Botërore premtuan mbështetje të mëtejshme në këtë drejtim nëpërmjet programeve të mëtejshme të zhvillimit.

Forumi i Bankës Botërore mbi Administrimin e Rezervave Valutore të Bankave Qendrore.

Në datën 24 prill 2006, Departamenti i Thesarit të Bankës Botërore organizoi Forumin Ekzekutiv mbi Administrimin e Rezervave Valutore të Bankave Qendrore. Në këtë forum merrnin pjesë personalitete të larta të bankave qendrore nga shumë vende të botës, të cilat ashtu si edhe Banka e Shqipërisë, kanë marrëveshje me Thesarin e Bankës Botërore për Administrim dhe Konsulencë të Investimit të Rezervës Valutore. Gjatë zhvillimeve të këtij forumi, Guvernatori Fullani moderoi panelin me temë "Kryerja e ndryshimeve dhe rinovimi organizativ", rasti i Bankës Qendrore të Rumanisë dhe i Bankës Qendrore të Koresë së Jugut.



Takim me Korpusin e Vullnetarëve për Shërbimet Financiare (FSVC)

Gjatë qëndrimit në SHBA, zoti Fullani zhvilloi një takim me zotin Andrew Spindler, President dhe Shef Ekzekutiv i Korpusit të Vullnetarëve për Shërbimet Financiare (FSVC) si edhe me stafin ekzekutiv të tij. Gjatë bisedës nga të dyja palët u vlerësua bashkëpunimi i frytshëm dhe rezultativ midis FSVC-së dhe Bankës së Shqipërisë, në drejtim të asistencës teknike dhënë departamenteve të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Fullani e falenderoi dhe e siguroi zotin Spindler për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi.

Gjithashtu në takim u diskutua në lidhje me angazhimin e drejtpërdrejtë të FSVC-së për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë në projektin e saj tashmë të filluar për realizimin e Zyrës së Informacionit të Kredive si edhe në ndërmjetësimin për të sjellë në Shqipëri personalitete të larta të financave në Konferencën e 6-të të Bankës së Shqipërisë, që do të mbahet në fund të muajit tetor, tema qendrore e të cilës do të jetë "Stabiliteti financiar dhe bashkëpunimi rajonal".

Në përfundim të takimit, z. Splinder e siguroi edhe një herë zotin Fullani se FSVC do të vazhdojë këshillimin për sektorët dhe departamentet që Banka e Shqipërisë e gjykon të nevojshme dhe do të ndërmjetësojë gjetjen e ekspertëve me nivel të lartë profesional.