BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, tetor 2009

Data e publikimit: 12.10.2009

 

Në datat 3 – 7 tetor 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, njëkohësisht edhe Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Stamboll, Turqi.

Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN-së dhe të BB-së, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, ishte e përbashkët me Ministrin e Financave, zotin Ridvan Bode.

10-2009, guvernatori ne mbledhjen vjetore fmn&bb

Mbledhjet Vjetore të FMN-BB janë të konceptuara në formën e një forumi të hapur, gjatë të cilave guvernatorët e vendeve anëtare diskutojnë mbi zhvillimet e fundit botërore si dhe prezantojnë pikëpamjet e vendeve të tyre mbi çështjet aktuale të ekonomisë dhe të financave ndërkombëtare.

Bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar u zhvilluan me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Marek Belka, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN. Ndërsa bisedimet me Bankën Botërore u zhvilluan me zj. Ngozi Okonjo-Iëeala, Drejtore Menaxhimi, z. Philippe Le Hourerou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore si dhe z. Giovanni Majnoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; zj. Jane Armitage Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, etj..

Në këto takime, Guvernatori Fullani theksoi se ekonomia shqiptare ka patur një ndikim më të moderuar të krizës botërore. Megjithëse është vënë re një ngadalësim, Shqipëria vazhdon të karakterizohet nga norma pozitive të rritjes ekonomike, qëndrueshmëri makroekonomike dhe stabilitet financiar. Perspektiva e saj për të ardhmen është pozitive, ndonëse duhet bërë kujdes i vazhdueshëm për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe të stabilitetit financiar të vendit. Në këtë drejtim, vëmendje i duhet kushtuar dhënies së stimujve të duhur makroekonomikë, të cilët ndihmojnë në përballimin e situatës aktuale, por duke garantuar njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm afatmesëm dhe afatgjatë të vendit. Guvernatori Fullani nënvizoi se koordinimi i politikave makroekonomike në vend ka qenë një nga kyçet e suksesit të Shqipërisë në të shkuarën dhe vazhdimi i tij në të ardhmen do të jetë një faktor thelbësor për ecurinë e mëtejshme të vendit. Gjithashtu, aftësia e vendit për të tërhequr fonde të huaja, në formën e investimeve të huaja direkte, huamarrjes apo të investimeve të kapitalit, do të kushtëzojë ecurinë ekonomike afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit.

Zhvillimet në sektorin financiar, në koordinimin e tij në rang botëror dhe në masat e duhura për të promovuar stabilitetin financiar në vend, ishte një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve. Roli i FMN dhe BB duket se do pësojë një ridimensionim në rang botëror, ndonëse funksionet dhe modalitetet e sakta mbeten ende të debatueshme. Megjithatë, ajo pikë ku konvergohet është rritja e efektivitetit të FMN-së, duke i dhënë asaj një rol më të madh në arenën ekonomike dhe financiare botërore si dhe ndryshimi i kuotave të përfaqësimit në FMN, duke synuar reflektimin e peshës së rritur të vendeve në zhvillim në ekonominë botërore. Në aspektin kombëtar, u theksua rëndësia e një roli më proaktiv të politikave mbikëqyrëse dhe rregullatore, duke forcuar karakterin kundërciklik të tyre.

Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol pararojë në këtë drejtim, duke punuar vazhdimisht për shëndetin financiar të ekonomisë shqiptare, si në aspektin sistemik ashtu dhe në atë të institucioneve financiare të veçanta. Kjo filozofi do të mbetet një prioritet i punës së Bankës së Shqipërisë edhe në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, Guvernatori Fullani zhvilloi edhe takime të nivelit të lartë me përfaqësues të bankave qendrore evropiane dhe bankave të ndryshme tregtare.