BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Data e publikimit: 25.04.2011

 

Në datat 17 - 19 prill 2011, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Këto mbledhje janë të përvitshme dhe zhvillohen në formën e një forumi të hapur, ku pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në ekonominë botërore dhe prezantojnë situatën makroekonomike të vendeve përkatëse si dhe pikëpamjet e tyre.

Guvernatori Fullani zhvilloi takime intensive, ku veçojmë ato me z. Philippe le Houreou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore; zj. Nemat Shafik, Zëvendësdrejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar; z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Antonio Borges, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN si dhe z. Gerwin Bell, Shef i Misionit të FMN-së në Shqipëri.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori ka njohur të pranishmit me situatën aktuale makroekonomike dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Ndër të tjera, ai theksoi se ekonomia shqiptare ka patur një ecuri të mirë gjatë vitit 2010, të karakterizuar nga rritje ekonomike pozitive dhe përmirësim i balancave kryesore makroekonomike. Kjo performancë është mbështetur nga politika të kujdesshme monetare, fiskale e rregullative, të cilat kanë krijuar një ambient stimulues për aktivitetin e sektorit privat, duke i kushtuar në të njëjtën kohë vëmendje shëndetit makrofinanciar të ekonomisë dhe atij mikrofinanciar të agjentëve ekonomikë. Zhvillime pozitive pritet të shënohen edhe gjatë vitit 2011, të mbështetura nga një gjallërim i pritur i sektorit privat dhe një kontribut më pozitiv i sektorit publik në rritjen ekonomike.

Një vend të rëndësishëm në diskutime pati edhe vendimmarrja makroprudenciale e Bankës së Shqipërisë. Duke e vlerësuar atë si një lëvizje për të qëndruar në krye të kurbës, z. Fullani theksoi se ajo është në harmoni me frymën globale që po karakterizon vendimarrjen e bankave qendrore drejt kahut shtrëngues të politikës monetare.

Ndryshimi i kahut adreson shqetësimet e përcjella në ekonominë shqiptare nga rritja e çmimeve në tregjet botërore, duke synuar frenimin e shndërrimit të tyre në presione të qëndrueshme inflacioniste. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet gjithnjë vigjilente ndaj zhbalancimeve makroekonomike dhe respektimit të objektivit të saj të inflacionit. Ajo mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e duhura për të respektuar detyrimet e saj ligjore, duke kontribuar kështu në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik.
 
Një rëndësi të veçantë Guvernatori i kushtoi vijimit të reformave strukturore në ekonominë shqiptare. Këto reforma duhet të udhëhiqen nga vizione afatgjata të zhvillimit të vendit. Ato duhet të synojnë të zhvillojnë më tej potencialin ekonomik të vendit, të rritin shkallën e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet botërore, të forcojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë, institucioneve e bizneseve shqiptare ndaj goditjeve të papritura. Kjo filozofi është në bazë të diskutimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për një model të ri të zhvillimit të ekonomisë.