BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën Kombëtare Kroate

Data e publikimit: 19.12.2007

 

 

Në vijim të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe me bankat qendrore të rajonit, në datë 17 dhjetor 2007, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën Kombëtare të Kroacisë, në kuadër të së cilës u takua me Zëvendësguvernatorin Boris Vujcic si dhe me drejtues të lartë të kësaj banke.

Në fillim të takimit, të dy palët bënë një ekspoze të gjerë të zhvillimeve më të fundit makroekonomike në të dy vendet si dhe të zhvillimeve në sektorin bankar dhe atë financiar. Masat e ndërmarra nga ana e të dy bankave me qëllim përafrimin institucional, operacional dhe ligjor me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore përbënë një ndër temat kryesore që u diskutua gjatë takimit.

guvernatori ne takimin 3

Më pas, takimi vijoi me diskutimin e fushave ku do të përqendrohet bashkëpunimi dypalësh në të ardhmen. Zëvendësguvernatori Vujcic shprehu gatishmërinë e Bankës Kombëtare Kroate për t'i ofruar përvojën e saj Bankës së Shqipërisë në fusha të tilla si hartimi dhe zbatimi operacional i politikës monetare, mbikëqyrja bankare si dhe stabiliteti financiar. Duke marrë në konsideratë edhe statusin e Kroacisë si një vend që ka filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ofrimi i përvojës nga ana e Bankës Kombëtare Kroate rreth çështjeve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar në takim. Në të njëjtën kohë, gjatë takimit u ra dakord që bashkëpunimi dypalësh të përqendrohet edhe në shkëmbimin e stafit ne konferenca, seminare dhe takime të ngjashme që do të organizohen nga të dyja bankat në të ardhmen.

Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua konsolidimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimi rajonal, ku të dy palët ishin të një mendimi rreth rëndësisë së madhe të këtij bashkëpunimi, në një kohë kur anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën një objektiv strategjik për të gjitha vendet e rajonit.