BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën Qendrore Evropiane

Data e publikimit: 22.07.2005

 

Më datë 20 korrik 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE). Ai u takua me z. Jean-Claude Trichet, President i BQE-së, dhe me z. Lorenzo Bini Smaghi, anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe evropiane pranë këtij bordi.

Guvernator Fullani i shprehu z. Trichet falenderimet e tij të sinqerta për mikpritjen e ngrohtë si dhe për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane. Gjatë takimeve, z. Fullani paraqiti një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u përqendruar në zhvillimet monetare, në nivelin e inflacionit dhe pikësynimin e mbajtjes së inflacionit nën kontroll, në shënjestrimin e inflacionit dhe zhvillimet më të fundit në sektorin financiar dhe atë bankar, dhe në të njëjtën kohë, z. Fullani parashtroi sfidat me të cilat Banka e Shqipërisë përballet aktualisht. Në të njëjtën kohë, ai informoi bashkëbiseduesit në lidhje me nismën e ndërmarrë për të vendosur një bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh ndërmjet bankave qendrore të rajonit të Evropës Juglindore.

Foto BQE 2 910 0

Ne foto: Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, z. Jean Claude Trichet, me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë , z. Ardian Fullani.

Z. Fullani vlerësoi interesin e veçantë të shfaqur nga ana e Bankës Qendrore Evropiane në lidhje me zhvillimet rajonale si dhe dëshirën e saj për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e rajonit.

Në fund të takimit, Presidenti Trichet shprehu gatishmërinë e BQE-së dhe të Eurosistemit për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin teknik me Bankën e Shqipërisë.