BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e delegacionit të Bankës së Shqipërisë në Bankën e Greqisë

Data e publikimit: 28.07.2005

 

Të martën, me datë 26 korrik 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zoti Ardian Fullani u prit nga Guvernatori i Bankës së Greqisë, zoti Nicholas C. Garganas në kuadrin e një vizite zyrtare që një delegacion i Bankës së Shqipërisë kreu nga data 25 deri ne datën 26 korrik 2005.

Të dy guvernatorët patën rastin të rivlerësojnë zhvillimet ekonomike në Greqi dhe Shqipëri, funksionimin e sistemeve financiare të të dy vendeve si dhe të diskutojnë për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit midis dy bankave qendrore, sidomos në fushën e politikës monetare dhe atë të mbikëqyrjes bankare. Banka e Greqisë dhe Banka e Shqipërisë kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që në vitin 1999 lidhur me bashkëpunimin e dy institucioneve për çështje të mbikëqyrjes bankare.

foto greqi 913 0

Në foto:Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani dhe Guvernatori i Bankës së Greqisë z. Nicholas C.Garganas

Njëkohësisht, delegacioni i përbërë prej katër anëtarësh i Bankës së Shqipërisë dhe zyrtarët e Bankës së Greqisë kanë diskutuar për gjetjen e mundësive të reja në drejtim të zgjerimit të bashkëpunimit midis dy bankave qendrore.

Banka e Greqisë i kushtoi një rëndësi të veçantë vizitës së Guvernatorit Fullani në Athinë, duke vlersuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve duke i shërbyer edhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Aktualisht në Shqipëri ushtrojnë veprimtarinë e tyre katër banka me kapital grek ndërkohë që kohët e fundit është hapur e para degë e Bankës Amerikane të Shqipërisë në Athinë. Duke përfituar nga ky rast zoti Ardian Fullani bëri një vizitë të shkurtër edhe në Degën e Bankës Amerikane të Shqipërisë në Athinë ku njoh më nga afër me ecurinë e aktivitetit ekonomiko financiar të saj.