BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e delegacionit të Bankës së Shqipërisë pranë Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës

Data e publikimit: 08.07.2005

 

Në datat 5 - 7 korrik 2005, me ftesë të drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (ABPK), z. Michel Schetichine, një delegacion i Bankës së Shqipërisë i kryesuar nga Guvernatori, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë pune pranë këtij institucioni. Gjatë kësaj vizite dyditore ky delegacion zhvilloi takime të shumta me zyrtarët më të lartë të këtij institucioni si dhe të institucioneve të tjera qendrore të Kosovës. Qëllimi i kësaj vizite, ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes të dy institucioneve, në fusha me interes të përbashkët.

Fillimisht delegacioni ynë u njoh më nga afër me stafin e ABPK, si dhe punën e realizuar prej tyre. Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh mjaft i kënaqur me nivelin e profesionalizmit që kishte konstatuar në stafin e ABPK, si dhe vlerësoi objektivat e strukturave drejtuese të këtij institucioni për t'i kaluar sa më shpejt kompetencat e tyre drejt drejtuesve shqiptarë, si edhe për t'i dhënë ABPK statusin e mirëfilltë të një banke qendrore. Në vijim, pjestarë të delegacionit të Bankës së Shqipërisë u takuan me vetë me homologët e tyre në ABPK, për të diskutuar me konkretisht format e bashkëpunimit.

Në vazhdim, u zhvillua një takim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e shtatë bankave që operojnë në Kosovë. Në këtë takim u fol gjerësisht mbi mënyrën e ndërtimit dhe të funksionimit të shoqatës, si edhe rolin që ajo kishte luajtur që prej themelimit të saj. Ndërsa delegacioni shqiptar parashtroi eksperiencën shqiptare në këtë drejtim, si dhe vlerësoi arritjet e kësaj shoqate në këtë periudhë.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte edhe ai me Kryeministrin e Kosovës z.Bajram Kosumi, ku merrte pjesë edhe drejtuesi i Zyrës së Misionit të Shqipërisë në Kosovë, z. Bashkim Rama. Në fjalën e tij, z. Kosumi pasi bëri një paraqitje të shkurtër të sfidave, me të cilat ndeshej qeveria e tij në këtë periudhë, shprehu besimin se Qeveria e Kosovës kishte realizuar përparim të dukshëm në plotësimin e standardeve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar dhe se plotësimi i tyre do t'i çelte rrugën bisedimeve finale për statusin e Kosovës. Nga ana e tij, z. Fullani ndau me z. Kosumi të njëjtat opinione lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe sistemin bankar të saj. Ai konstatoi angazhimin që mbizotëron në shoqërinë kosovare dhe besimin e saj tek autoritetet qeverisëse të saj, për ta drejtuar vendin drejt fillimit dhe përfundimit me sukses të bisedimeve të statusit final të saj.

Më pas, në selinë e ABPK, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Bankës së Shqipërisë dhe këtij institucioni, në fushën e mbikëqyrjes bankare, e cila zëvendëson marrëveshjen e mëparshme. Ky memorandum në emër të ABPK-së u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm, z.Michel Svetchine dhe nga Kryetari i Bordit të ABPK-së, z.Ajri Begu, ndërsa në emër të Bankës së Shqipërisë u nënshkrua nga Guvernatori i kësaj Banke, z.Ardian Fullani. Në ceremoninë e nënshkrimit merrte pjesë edhe z.Joachim Rucker, drejtues i Shtyllës së Katërt pranë Prezencës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si edhe z.Bashkim Rama, drejtues i Zyrës së Misionit të Shqipërisë në Kosovë. Kjo marrëveshje parashikon shkëmbim të informacionit në kuadër të licencimit dhe të mbikëqyrjes së bankave në të dy vendet, veçanërisht në rastet e degëve ose të filialeve të bankave në një vend të caktuar, kur selia qendrore e insitutcionit kontrollues, gjendet në vendin tjetër.

Në fjalën përshendetëse, që zoti Fullani mbajti me këtë rast, ndër të tjera u ndal edhe në çështjen e bashkëpunimit rajonal, si një nga prioritetet e bashkëpunimit në të ardhmen.

Nga këndvështrimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë përbën një argument mbështetës në këtë drejtim. Nga ana e z. Fullani u përmend se ndër të tjera janë vendosur kontakte me të gjithë bankat e rajonit deri në nivele të larta përfaqësimi dhe në çdo rast është gjetur mirëkuptim i plotë.

Nga ana tjetër, janë vendosur kontakte edhe me organizma të rëndësishme ndërkombëtare, si Komisioni Evropian, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane dhe shumë banka anëtare të sistemit të Bankave Qendrore të Evropës, të cilat kanë dhënë edhe ato mbështetjen e plotë nga ana e tyre. Aktualisht, ka shumë oportunitete që duhen shfrytëzuar në mënyrë të mençur, pasi një sjellje e vendeve të rajonit në bllok do të rriste shumë imazhin pozitiv të tij në sytë e komunitetit ndërkombëtar, gjë që do t'a bënte më të lehtë aspiratën finale për antarësim në Bashkimin Evropian.

Pavarësisht diferencave në zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, pavarësisht shumë faktorëve të tjerë gjeopolitikë, në fushën e ekonomisë, të bankave, të reformave strukturore, të financave dhe të tregjeve, vendet e rajonit shfaqin simptoma të njëjta dhe priortietet deri diku konvergojnë. "Për këtë qëllim - shpreh zoti Fullani - mendoj se asistenca e huaj do të jetë më efektive. Për këtë qëllim, mendoj se projektet e ndryshme që mund të hartohen nga donatorë të huaj mund të jenë më të efekshme. Për këtë qëllim, mendoj se rajoni do të progresojë me një hap pak shumë të njëjtë pa krjuar kontraste të mëdha, të cilat në një këndvështrim afat gjatë mund të shdërohen në probleme serioze. Ideja ime për zhvillimin rajonal si zhvillim i periferisë së Evropës qëndron në atë se zhvillimi ekonomiko - financiar i vendeve të rajonit është po aq i rëndësishëm sa edhe zhvillimi i vendeve anëtare. Tashmë ky konstatim është realitet dhe në këtë prizëm, mendoj se bashkëpunimi rajonal i bankave qendrore do t'i paraprijë procesit të gjatë të integrimit evropian".

Duke përfituar nga ky rast zoti Fullani bëri një ekspoze të shkurtër edhe në lidhje me Forumin e fundvitit të Bankës së Shqipërisë. Ndër të tjera ai theksoi se forumi i dhjetorit në llojshmërinë e çështjeve që do të prekë, mund të ketë kontekst rajonal dhe se për këtë qëllim ai sinqerisht shpreson se bankat qendrore të rajonit do të jenë të pranishme në këtë aktivitet. Nga ana tjetër ai theksoi se ka nevojë që aktivitete të tilla të intensifikohen më tej në të ardhmen, ku përveç temave që lidhen me qeverisjen e bankave qendrore mund të diskutohen edhe sfida të tjera problemore, si ato të lidhura me qeverisjen e institucioneve financiare dhe sistemit bankar më në veçanti; me stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sistemeve bankare të rajonit; dhe çështje të tjera të kësaj natyre.

Në ditën e fundit të vizitës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim më Ministrin e Ekonomisë dhe Financës së Kosovës, z.Haki Shatri. Në këtë takim, z.Ardian Fullani theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe financiar mes të dy vendeve, do të shkojë padyshim drejt rritjes dhe forcimit, ndaj institucionet e të dy vendeve duhet të punojnë për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm. Nga ana e tij, z.Shatri theksoi se prioritet ishte përmbushja e standardeve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar dhe u shpreh krenar që kërkesat e këtyre standardeve në fushën e ekonomisë, vlerësoheshin si të plotësuara. Z.Shatri vlerësoi rolin e ABPK dhe marrëdhëniet që ekzistonin me këtë institucion, duke theksuar përpjekjet që po bëheshin edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës, për t'i dhënë asaj statusin e një banke të mirëfilltë qendrore.