BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri në datat 17 - 21 tetor 2005

Data e publikimit: 21.10.2005

 

Në datat 17-21 Tetor 2005, stafi i FMN-së ka bërë një vizitë në Tiranë për të diskutuar me autoritetet rezultatet fiskale të 2005 dhe buxhetin e 2006, si dhe në vija të përgjithshme prioritetet e një marrëveshje të ardhshme të mundshme midis FMN-së dhe qeverisë së Shqipërisë. Ka patur marrëveshje për parametrat kyçë të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe për supozimet bazë të politikave makroekonomike dhe fiskale, përfshirë këtu dhe parimet e një platforme fiskale konservative dhe zbatimin e një axhende reformash ambicioze në administrimin e taksave.

Vizita e stafit të FMN-së, e kryesuar nga Z. Istvan Székely, shefi i ri i misionit për Shqipërinë u realizua në Tiranë gjatë 17-21 Tetorit, 2005. Qëllimi i vizitës ishte për të diskutuar me autoritetet rezultatet fiskale të 2005 dhe buxhetin e 2006 dhe për të arritur një marrëveshje në parim për parametrat kyçë fiskale për vitin e ardhshëm. Gjithashtu u prekën prioritetet e përgjithshme të një marrëveshje të ardhshme të mundshme midis FMN-së dhe qeverisë së Shqipërisë, në veçanti reforma në sektorin financiar, në administrimin e të ardhurave, menaxhimin e borxhit publik dhe reforma të tjera strukturore që nxisin rritjen. Këto diskutime priten të vazhdojnë gjatë misionit të FMN-së në Tiranë, i planifikuar për datat 8-21 Nëntor, 2005.

Misioni u takua me Kryeministrin, Ministrat e Financave dhe të Ekonomisë, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, këshilltarë të Kryeministrit dhe të tjerë zyrtarë të lartë të qeverisë, me përfaqësues të komunitetit të donatorëve dhe diplomatëve, si dhe me përfaqësues të sektorit privat.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe qeveria ishin dakord mbi parametrat kryesorë të buxhetit të 2006 dhe me supozimet bazë të politikave makroekonomike dhe fiskale. Në mënyrë të veçantë kishte marrëveshje për parimin e një platforme fiskale konservative dhe mbi prioritetet e qeverisë për vitin e ardhshëm fiskal, përfshirë këtu zbatimin e një reforme ambicioze për administrimin e taksave bazuar mbi raportin e asistencës teknike të pregatitur nga Departamenti i Çështjeve Fiskale i FMN-së para disa muajsh.

Në përgjithësi misioni vuri re angazhimin e fortë të qeverisë për të zbatuar me shpejtësi masa kyçe, përfshirë këtu dhe një plan veprimi ambicioz për të zgjidhur problemet në sektorin e energjisë.

Nëse në nëntor arrihet një marrëveshje për një program të ardhshëm 3-vjeçar dhe miratohet nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, do të ketë rishikime të rregullta gjatë kohëzgjatjes së programit. Në mënyrë të veçantë, rishikimi i parë do të bëhet pas gjashtë muajsh. Në varësi të rezultatit të këtij rishikimi, politika të tjera fiskale dhe masa buxhetore mund të konsiderohen nga autoritetet, në konsultim me stafin e FMN-së.

Në fund të misionit, të premten në datë 21 Tetor, ora 11.00, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave Z. Ridvan Bode dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në Ministrinë e Financave.

Istvan Székely Ann-Margret Westin
Shef Misioni Përfaqësuese e Përhershme