BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi workshop-in e 10-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, me temë “Përfshirja e goditjeve në vendimmarrjen e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar”

Data e publikimit: 01.12.2016

 

Në datat 1-2 dhjetor 2016, Banka e Shqipërisë organizon workshop-in e 10-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, me temë “Përfshirja e goditjeve në vendimmarrjen e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar”.

Ky seminar, i organizuar për të 10-in vit radhazi nga Banka e Shqipërisë, ka për qëllim të nxisë diskutimin dhe promovimin e kërkimit ekonomik, si dhe bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore.

Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të bankave qendrore të Austrisë, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Italisë, Indonezisë, Maqedonisë, akademikë nga universitete ndërkombëtare si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë. Gjatë punimeve dyditore, pjesëmarrësit do të prezantojnë 26 punime kërkimore shkencore, nga të cilat 11 i përkasin punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Workshop-i organizohet në sesione të veçanta, të ndara sipas temave kryesore që dominojnë debatet ekonomiko-politike dhe akademike në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror si dhe çështjeve që lidhen me sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar në praninë e goditjeve të shpeshta dhe zhvillimeve që influencojnë klimën ekonomike. I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe profesori i Universitetit Clemson dr. Gerald Paul Dwyer Jr, i cili përshëndeti punimet dhe mbajti një prezantim në kuadër të bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Punimet e këtij seminari u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili theksoi se temat që do të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve do të prekin të gjithë spektrin e interesit të bankës qendrore dhe do të pasurojnë përvojën e pjesëmarrësve dhe të Bankës së Shqipërisë me gjykimin e kërkimit shkencor.

Guvernatori Sejko, gjatë fjalës së tij, nënvizoi se politika monetare dhe stabiliteti financiar përballen me sfida, të cilat reflektojnë problematikat e shoqërisë në aspektin ekonomik, social e gjeopolitik. Për këtë arsye, roli i kërkimit shkencor është thelbësor në vlerësimin e efekteve që mund të shoqërojnë politikat e adoptuara, në ekonomi apo sistemin financiar.

Më tej, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, Guvernatori Sejko u shpreh se organizimi i aktivitete të tilla kërkimore - të cilat hulumtojnë e propozojnë zgjidhje të reja dhe modele teorike e empirike efikase, - kanë një rëndësi të veçantë pasi kontribuojnë në vendimmarrjen e bankave qendrore, por gjithashtu në shkëmbimin e eksperiencave midis tyre dhe akademikëve të fushës së ekonomisë.