BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi workshop-in e organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, me temë “Aspektet ligjore të qeverisjes dhe administrimit të portofolit të rezervës valutore”

Data e publikimit: 15.07.2019

 

Në datat 15-19 korrik 2019, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore po organizojnë workshop-in me temë “Aspektet ligjore të qeverisjes dhe administrimit të portofolit të rezervës valutore”. Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë, të bankave qendrore nga 28 vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues nga institucione financiare.

DSC 1315 498

Punimet e këtij workshop-i u fokusuan në trajtimin e çështjeve ligjore që lidhen me administrimin e rezervës valutore. Në cilësinë e autoritetit kombëtar përgjegjës për mbajtjen dhe administrimin e rezervave valutore të Shqipërisë, Banka e Shqipërisë përdor mundësitë e saj më të mira për të ruajtur një nivel të caktuar të rezervës valutore, që garanton qëndrueshmërinë financiare të vendit. Në kushtet kur realizimi i këtij aktiviteti zhvillohet tërësisht në tregjet financiare të jashtme është e domosdoshme marrja e një ekspertize të thelluar në fushën ligjore dhe përditësimi i vazhdueshëm me ndryshimet dhe aktet e reja ligjore të miratuara nga autoritetet rregulluese të këtyre tregjeve.

Në fjalën e hapjes së këtij workshop-i, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, shprehu rëndësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti, dhe falënderoi Bankën Botërore për asistencën teknike të ofruar ndër vite për Bankën e Shqipërisë në fushën e administrimit të portofolit të rezervës valutore.

DSC 1305 498

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë procesit të mbajtjes dhe administrimit të portofolit të rezervës valutore. Mbarëvajtja e këtij procesi kërkon rritjen e vazhdueshme të shkallës së profesionalizmit të punonjësve të Bankës së Shqipërisë të angazhuar drejtpërdrejt në këtë proces ose në monitorimin e ecurisë së tij. Për këtë qëllim që prej vitit 2005, Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e Programit të Menaxhimit Këshillimor të Rezervave në Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë në gusht 2010, Banka e Shqipërisë është bërë pjesë e një tjetër programi të rëndësishëm më të përparuar, çka mundëson trajnimin dhe marrjen e ekspertizës teknike në një nivel më të avancuar profesional për stafin e Bankës së Shqipërisë.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se aktualisht sfida më e rëndësishme me të cilën po përballen bankat qendrore, që synojnë të diversifikojnë dhe të gjejnë alternativa të reja investimi për portofolin e rezervës valutore, është marrja e njohurive të duhura ligjore mbi çdo hallkë të procesit të investimit të portofolit të rezervës valutore në tregjet ndërkombëtare. Për këtë arsye, diskutimet dhe temat e trajtuara në workshop janë mjaft frytdhënëse për rritjen e nivelit profesional të stafit teknik të angazhuar në këtë proces.

DSC 1361 498

Temat e prezantimeve të këtij workshop-i u realizuan nga përfaqësues të departamentit ligjor në Bankën Botërore.

Shënim: Banka e Shqipërisë është pjesë e programit të Bankës Botërore për Administrim dhe Konsulencë për Rezervën Valutore (Reserves Advisory Management Program, RAMP), që prej vitit 2005. Përmes pjesëmarrjes në këtë program, Banka e Shqipërisë ka marrë asistencë teknike mjaft të dobishme në të gjitha aspektet që lidhen me funksionin e administrimit të rezervës valutore në një bankë qendrore. Bashkëpunimi me Bankën Botërore ka qenë veçanërisht frytdhënës për krijimin dhe zhvillimin e aftësive profesionale të stafit të Bankës së Shqipërisë, puna e të cilëve lidhet drejtpërdrejt apo në njësi mbështetëse të funksionit për administrimin e rezervës valutore.