BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimet e punimeve të Forumit Financiar të Evropës Juglindore, Bukuresht, 8 - 11 nëntor 2005

Data e publikimit: 11.11.2005

 

Nën kujdesin e veçantë të Bankës Kombëtare të Rumanisë, në datat 8-11 nëntor 2005 u zhvillua "Forumi Financiar i Evropës Juglindore", me pjesëmarrjen e veçantë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, të Guvernatorit të Bankës së Rumanisë, z. Mugur Isarescu dhe të Guvernatorit të Bankës së Spanjës, z. Jaime Carauna.

Romania 01 999 0

Foto: Nga e majta në të djathtë, Guvernatori i Bankës së Spanjës, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Gjithashtu pjesëmarrës në këtë forum ishin edhe përfaqësues të bankave të tjera qendrore te rajonit, drejtues të bankave tregtare ndërkombëtare si dhe ekspertë të institucioneve të ndryshme financiare ndërkombëtare. Gjatë forumit pjesëmarrësit trajtuan përvojat dhe problemet e tyre lidhur me zhvillimin e tregjeve financiare në Evropën Juglindore dhe sfidat kryesore që dalin në lidhje me problemet aktuale që hasen, si dhe diskutuan mundësitë e ndryshme mbi përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtyre tregjeve.

Forumi do të mbyllej nga një panel i veçantë mbi mbikëqyrjen e tregjeve financiare, Bazel II dhe politikat e kreditit. Pjesëmarrësit diskutuan kryesisht mbi zbatimin e Akordit të Bazel II, dhe ndikimet që mund të ketë në sistemin bankar. Në këtë panel guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajti fjalimin me temë "Ndikimet, mundësitë dhe sfidat e Bazel II përpara Shqipërisë dhe Evropës Juglindore". Në diskutimin e tij, zoti Fullani paraqiti përvojën shqiptare lidhur me Akordet e Bazelit dhe problemet për zbatimin e tyre në Shqipëri dhe në rajon, të parë në optikën e procesit të integrimit evropian.

Gjatë forumit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi takime të shumta me Guvernatorin e Bankës së Spanjës, Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Rumanisë, me personalitete të legjislativit rumun si dhe me drejtues të lartë institucioneve të ndryshme financiare, ku diskutuan çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin rajonal ekonomik, bashkëpunimin midis bankave qendrore të rajonit dhe me sfidat respektive që kanë vendet përkatëse në procesin e integrimit evropian. Madhëria e Tij, Mbreti i Rumanisë, Mihai I për nder të personaliteteve të larta, pjesëmarrës në këtë forum shtroi një darkë zyrtare në rezidencën e tij, ku Guvernatori Fullani mbajti fjalën e rastit.