BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e Forumit të 11-të të Euromoney - Zgjerimi i kufijve: Përforcimi i konkurrencës në Evropën Qendrore dhe Juglindore, Vienë, 18 janar 2006

Data e publikimit: 20.01.2006

 

Në datat 17-18 janar 2006 u organizua Forumi i 11-të i Euromoney-it me temë: "Zgjerimi i kufijve: Përforcimi i konkurrencës në Evropën Qendrore dhe Juglindore". Ky forum mblodhi rreth 950 të ftuar, duke përfshirë figura të njohura të fushës politike, ekonomike dhe financiare të rajonit, të cilët diskutuan së bashku mbi sfidat e së ardhmes së Evropës Qendrore dhe Juglindore. Evropa Qendrore dhe Juglindore ka ecur me hapa të mëdhenj gjatë këtyre viteve të fundit, ku rritja mesatare ekonomike e rajonit ka qene rreth 5 për qind çdo vit, prandaj sfida kryesore e të ardhmes duhet të jetë mbajtja ose përforcimi i konkurrencës dhe i një klime sa më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit.

Euromoney Austria 007 1022 0

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku një rëndësi të veçantë kishte edhe paneli i Guvernatorëve, i cili u përqendrua kryesisht në zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Monetar në drejtim të Evropës Lindore dhe kostot e pritshme të këtij zgjerimi për këtë rajon dhe në përgjithësi, për gjithë Evropën. Paneli drejtohej nga z. Robert Khan, President i korporatës "National Research Initiatives", në të cilin merrte pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhe bëri një ekspoze të përgjithshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare, duke vënë një theks të veçantë në investimet e huaja në Shqipëri dhe problemet që paraqet ekonomia shqiptare në lidhje me to. Ai u përqëndrua gjithashtu, dhe në kontributin që Banka e Shqipërisë mendon të luajë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik në Shqipëri dhe rajon.