BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e konferencës ndërkombëtare me temë: Remitancat, një mundësi për rritje - emigracioni shqiptar në Itali si një rast studimi

Data e publikimit: 06.03.2006

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në diskutimin e tij kërkoi që pagat e biznesit privat, si dhe faturat e shërbimeve bazë utilitare si ujë, drita, telefon, të paguhen nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Gjithashtu, ai sugjeroi se përfituesit e remitancave duhet të hapin llogari bankare në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë shërbime bankare.

bari foto 1058 0

Banka Botërore dhe Rajoni i Pulias, në bashkëpunim edhe me Bankën e Shqipërisë organizuan një konferencë ndërkombëtare me temë "Remitancat: Një mundësi për rritje - emigracioni shqiptar në Itali si një rast studimi", në datat 3-4 mars 2006, Bari, Itali.

Remitancat përbëjnë një çështje shumë aktuale për Rajonin e Pulias, nisur nga afërsia gjeografike me Shqipërinë si edhe nga numri i madh i emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë aktualisht në këtë rajon. Banka Botërore është e angazhuar në një projekt të quajtur "Korridori i remitancave italo-shqiptare", të cilat konsiderohen si një fluks i burimeve financiare që duhet të administrohen në një formë sa më transparente.

Në këtë konferencë, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, Presidenti i Rajonit të Pulias z. Niki Vendola, Drejtor Ekzekutiv në Bankën Botërore z. Biagio Bossone, si edhe personalitete të tjera të larta të Rajonit të Pulias, të Bankës Botërore, të Bankës Qendrore të Italisë dhe të institucioneve qeveritare dhe joqeveritare shqiptare.

Z. Fullani në diskutimin e tij trajtoi gjerësisht problemin e remitancave, si një çështje me rëndësi aktuale në ditët tona. Ndër të tjera, ai theksoi që remitancat përbëjnë një instrument financiar, i cili duhet kanalizuar nëpërmjet sistemit bankar. Në këtë mënyrë ato do të shndërrohen në një burim të ardhurash, duke dhënë kontribut në rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Përdorimi me sa më shumë efektivitet si edhe formalizimi i remitancave do të çojnë në një rritje të qëndrueshme të ekonomisë. Lidhur me këtë, z. Fullani theksoi domosdoshmërinë e rritjes dhe zgjerimit të shërbimeve bankare për të gjithë individët përfitues nga remitancat e emigrantëve; pakësimin deri në eleminim të pagesave në cash, që do të thotë që pagesat utilitare si edhe pagat e sektorit privat të kryhen nëpërmjet sektorit bankar.

Ai gjithashtu, theksoi rëndësinë e zbatimit të politikave specifike, në mënyrë që të krijohen lehtësi si edhe aksese financiare për t'i shërbyer sa më mirë nevojave të përfituesve nga remitancat, gjë që do të çonte drejt uljes së varfërisë.