BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 16 shtator 2009

Data e publikimit: 16.09.2009

 

Në mbledhjen e tij të datës 16 shtator 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim gjendjen e sistemit bankar në fund të tremjorit të dytë të vitit 2009.

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të kësaj analize.

Totali i aktive të sistemit bankar përllogaritet në fund të tremujorit të dytë të vitit në nivelin e rreth 832 miliardë lekëve. Megjithëse me ritme më modeste, edhe këtë tremujor kredidhënia duket të ketë patur rritje të mëtejshme. Konkretisht, kjo rritje përllogaritet me rreth 4.4 miliardë lekë (1.05 për qind), kundrejt rritjes prej 20.84 miliardë lekë (5.25 për qind) gjatë periudhës paraardhëse, megjithëse kjo e fundit ka qenë në fakt kryesisht rrjedhojë e ndryshimeve në kursin e këmbimit. Mbi bazë vjetore (qershor’08-qershor’09) rritja e portofolit të kredisë përllogaritet në nivelin e 21.7 për qind apo 75.2 miliardë lekëve, duke arritur kështu në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2009 në nivelin e 422 miliardë lekëve. Kredia në valutë ka rënë me rreth 2.75 miliardë lekë ose me 0.9 për qind si rrjedhojë e rënies së kredisë në monedhën e përbashkët evropiane (euro) në masën rreth 19 milionë euro, apo rreth 2.5 miliardë lekë ndërkohë që kredia në Usd u rrit rreth 1.4 milionë usd, ose rreth 130 milionë lekë. Kredia në monedhën vendase (Lekë) u rrit me rreth 7.1 miliardë lekë ose me 6.2 për qind.

Bankat e mëdha vlerësohet të kryejnë mbulim më të mirë ndaj rrezikut indirekt te kredise nëpërmjet luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit kundrejt bankave të mesme dhe të vogla, ndërsa të gjitha grupbankat duket të kenë ulur ekspozimin e tyre ndaj këtij rreziku. Ky zhvillim vleresojmë se ka ardhur edhe si pasojë e orientimit më të mirë të kredidhënies në monedhën vendase edhe në reflektim të masave rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Edhe këtë tremujor, në vijim të trendit të atij paraardhës, kredia për bizneset është rritur më shpejt, konkretisht me 1.3 për qind (3.3 miliardë lekë), kundrejt rritjes me vetëm 0.5 për qind (750.6 milionë lekë) të kredisë për individët. Vihet re ndërkohë një rritje e dallueshme e kredisë ovërdraft për bizneset, që do të thotë se kërkesa për likuiditete vijon të ketë qëndrueshmëri.

Si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme (+16.8 për qind apo 5.3 miliardë lekë), në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste (+1.05 për qind), treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73 për qind, nga 7.55 për qind në fund të muajit mars’09. Bizneset shfaqen më problematike me kredi me probleme rreth 10.1 për qind të totali të portofolit të kredive. Ndërkohë, ky tregues për individët përllogaritet rreth 7.3 për qind.

Cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84 për qind nga 8.5 për qind për kredinë në lekë.

Analiza e cilësisë së kredisë sipas degëve të ekonomisë dallon sektorët e “industrisë përpunuese” dhe të “tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, veçanërisht për shkak cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi.

Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit 2009, raportohet rreth 385 milionë lekë apo 40 për qind më shumë se tremujori i parë i vitit.

Performanca e treguesit kryesor të rentabilitetit, kthimi nga aktivet mesatare (RoAA), vlerësohet në nivele të përafërta me periudhën e kaluar dhe larg fundit të vitit 2008, apo të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar raportohet në 76.1 miliardë lekë në fund të tremujorit të dytë të vitit, duke përllogaritur një rritje prej 14.9 miliardë lekësh (24.4 për qind). Kapitali bazë vijon të dominojë në përbërjen e kapitalit rregullator të sistemit, ai zë 96 për qind të tij. Kapitali shtesë i sistemit përbëhet nga borxhi i varur.

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009 norma e mjaftueshmërisë së kapitalit përllogaritet 16.85 për qind, shumë më e lartë se niveli minimal rregullator prej 12 për qind.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, aktivet likuide të sistemit u reduktuan me 4.1 miliardë lekë apo 1.2 për qind, kundrejt reduktimit me 12.9 miliardë lekë (3.6 për qind) gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Reduktimi i aktiveve likuide ka qenë vecanërisht rrjedhojë e reduktimit të aktiveve likuide në euro me 82 milionë euro apo 25.5 për qind. Duket se rënia e aktiveve likuide është diktuar kryesisht nga rënia e zërit “marrëdhënie me bankat dhe institucionet e tjera financiare”.

Një burim i rëndësishëm financimi për disa nga filialet apo degët e bankave të huaja në Shqipëri janë edhe huatë e marra nga bankat mëma, bankat e tjera të grupit dhe institucionet të tjera financiare jorezidente. Gjatë këtij tremujori këto financime kanë rënë me 20 miliardë lekë (20 për qind) dhe pesha e tyre ndaj detyrimeve të sistemit ka arritur në 7 për qind, nga 9.2 për qind në tremujorin e kaluar.

Së fundmi, treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave”, i cili jep një panoramë më të plotë të situatës së likuiditetit në sistemin bankar shfaqej i përkeqësuar gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008, ndërkohë që gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2009, vlera e tij është e qëndrueshme në nivelin 66 për qind. Kontribut të qenësishëm ka dhënë një stabilizim relativ i bazës së depozitave, të cilat veçanërisht për periudhën në vijim kanë njohur një rritje të qëndrueshme, si shprehje e rikthimit të besimit të publikut përkundrejt zhvillimeve në sistemin bankar dhe ekonominë shqiptare në tërësi.