BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 23 dhjetor 2009

Data e publikimit: 23.12.2009

 

Në mbledhjen e tij të datës 23 dhjetor 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet e tyre për të ardhmen dhe balancën e pritshme të rreziqeve, në përfundim të diskutimeve Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.

***

Zhvillimet më të fundit në ekonominë botërore kanë dhënë sinjale pozitive në drejtim të përmirësimit të ecurisë së aktivitetit ekonomik. Vendet kryesore të zhvilluara dhe ato në zhvillim kanë përjetuar rritje ekonomike në nivel tremujor, ndërkohë që tregtia botërore dhe indekset e besimit kanë shfaqur shenja përmirësimi. Ekonomia botërore mbetet ende larg shfrytëzimit të plotë të kapaciteteve, gjë që ndikon në ruajtjen e papunësisë në nivele të larta. Shkalla e kufizuar e shfrytëzimit të kapaciteteve ndikon edhe në ruajtjen e presioneve inflacioniste në nivele të ulëta.

Megjithatë, këto presione kanë patur tendenca rritëse gjatë muajve të fundit, si pasojë e faktorizimit të lajmeve optimiste në çmimet e naftës e të lëndëve të para.

Të dhënat më të fundit të zhvillimeve në ekonominë e brendshme, tregojnë për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Në ndryshim nga gjashtëmujori i parë, ku rritja ekonomike është mbështetur nga ruajtja e kërkesës konsumatore dhe nga stimuli fiskal i dhënë në këtë periudhë, të dhënat ekonomike për tremujorin e tretë dhe për muajt në vazhdim sinjalizojnë një ecuri më të moderuar të kërkesës dhe të prodhimit në ekonomi. Kjo dëshmohet nga një sërë treguesish të publikuar gjatë muajit nëntor, si: ecuria e ngadaltë e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë; të dhënat e ekonomisë së jashtme, të cilat vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve; performanca e treguesve fiskalë, të cilët duken të jenë nën nivelin e planifikuar; dhe frenimi i kreditimit si pasojë e rënies së kërkesës për të. Ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta. Ecuria e ekonomisë në të ardhmen do të varet ndjeshëm nga riaktivizimi i shpenzimeve konsumatore dhe investimeve në vend, si dhe shkalla e mbulimit të tyre me kredi bankare, investime të huaja direkte, apo forma të tjera financimi afatgjatë.

Në përgjithësi, situata makroekonomike në vend ka krijuar një ambient me presione të dobëta inflacioniste. Gjithashtu, edhe faktorët e ofertës apo ato që origjinojnë jashtë ekonomisë shqiptare nuk kanë prodhuar presione të forta inflacioniste për këtë periudhë.

Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.8 për qind në muajin nëntor, duke qëndruar pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni mesatar vjetor qëndroi për të tretin muaj radhazi në nivelin 2.1 për qind. Mungesa e presioneve nga ana e kërkesës së brendshme dhe vlerat e ulëta të inflacionit në vendet partnere kanë balancuar presionet e ushtruara nga nënçmimi i monedhës vendase gjatë vitit 2009. Kjo ecuri manifestohet edhe nga ecuria e qëndrueshme e inflacionit bazë, nivelet e ulëta të të cilit konfirmojnë praninë e një ambienti të kontrolluar inflacionist.

Tendenca e fundit rritëse e inflacionit të çmimeve të konsumit ishte një zhvillim i pritshëm për Bankën e Shqipërisë. Ai reflekton në masën më të madhe faktorë të përkohshëm apo teknikë, të cilët, ndonëse mund të veprojnë edhe për një periudhë afatshkurtër, nuk përbëjnë burim presionesh të qëndrueshme inflacioniste.

Të dhënat më të fundit të ekonomisë së jashtme tregojnë për një zgjerim të deficitit tregtar gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2009, duke shënuar një rritje prej 20 për qind kundrejt një viti më parë. Në terma relativë, niveli i deficitit korrent është rritur në 17.3 për qind të PBB-së. Nga ana tjetër, hyrjet e valutës në llogarinë kapitale dhe financiare rezultuan 21 për qind më të lartë se një vit më parë. Raporti i tyre ndaj PBB-së vlerësohet në nivelin 19.8 për qind, duke bërë të mundur që bilanci i pagesave të vendit të rezultojë pozitiv gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2009. Megjithatë, nivelet e larta dhe në rritje të deficitit të llogarisë korente do të kërkojnë sasi gjithnjë e më të mëdha fondesh në valutë të huaj për financimin e tij.

Për këtë arsye, qëndrueshmëria afatgjatë e bilancit të pagesave kërkon një vëmendje më të madhe të politikë-bërësve, duke parashikuar edhe marrjen e masave politike apo të reformave strukturore.

Zhvillimet afatshkurtra në tregtinë e jashtme për muajin tetor shfaqin një ecuri të ndryshme në krahasim me nëntë muajt e parë të viti, duke treguar për tentativa korrektimi të trendeve të vërejtura më parë. Eksportet e vendit ranë me rreth 9 për qind në terma vjetore, ndërkohë që importet shënuan një rënie vjetore prej 21.4 për qind. Për pasojë, deficiti tregtar për dhjetë muajt e parë të vitit është tkurrur me 5 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke dhënë sinjale për një ecuri të qëndrueshme të tij.

Politika fiskale ka vazhduar të ruajë një karakter ekspansionist përgjatë vitit 2009, por ky tipar i saj ka ardhur duke zbehur gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend është reflektuar edhe në ecurinë e treguesve fiskalë. Zhvillimet fiskale gjatë dy muajve të fundit janë karakterizuar nga një rritje më e vogël e të ardhurave buxhetore – vetëm 4.5 për qind në terma vjetore - ndikuar kryesisht nga kontributi në rënie i të ardhurave nga TVSH dhe i tatimit mbi fitimin. Ndërkohë, shpenzimet publike vazhdojnë të ruajnë norma të larta rritjeje - prej 16 për qind. Pjesa më e madhe e deficitit është financuar nga huamarrja e jashtme dhe nga të ardhurat nga privatizimet, duke mos ushtruar presion në tregun vendas.

Ndonëse ritmet e rritjes së deficitit buxhetor janë ngadalësuar gjatë dy muajve të fundit dhe niveli i tij në fund të tetorit i është përmbajtur kufirit të programuar për këtë periudhë kohore, ky deficit vazhdon të jetë i lartë në krahasim me nivelet historike.

Banka e Shqipërisë gjykon se përmbushja e objektivit afatmesëm fiskal për reduktimin e borxhit publik (në terma relativë) duhet të jetë udhërrëfyesi i politikës fiskale për periudhën e ardhshme. Përmbushja e tij do të forcojë besimin e publikut te politikat makroekonomike të vendit, do të jetë një bazë e qëndrueshme për stabilitetin makroekonomik të vendit, do të ulë primet e rrezikut në ekonomi dhe do të krijojë më shumë frymëmarrje për sektorin privat. Ky objektiv duhet të materializohet në praktikë nëpërmjet ndjekjes së politikave fiskale të kujdesshme dhe gjithnjë të rakorduara me zhvillimet e ekonomisë reale.

Duke u kthyer në zhvillimet monetare, Banka e Shqipërisë gjykon se tabloja e tyre e paraqitur në muajin nëntor është mikse. Ritmi i rritjes së ofertës monetare është përshpejtuar dhe normat e interesit kanë shënuar rënie, por kreditimi i ekonomisë është ngadalësuar gjatë kësaj periudhe. Në muajin nëntor, paraja e gjerë është rritur me 5.6 për qind në terma vjetorë duke reflektuar stabilizimin e likuiditetit të sistemit bankar si pasojë e vazhdimit të rikthimit të depozitave dhe përmirësimit të pozicionit valutor. Zhvillimet pozitive në ecurinë e depozitave gjatë këtij muaji dhe zhvendosja e tyre kohore drejt depozitave me afat konfirmojnë tendencën e rivendosjes së besimit në sistemin bankar.

Ndërkohë, aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar, duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej vetëm 12 për qind. Kredia për biznese mban peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë, ndërkohë që kredia konsumatore dhe ajo hipotekore janë kontraktuar.

Nivelet e ulëta të zgjerimit të portofolit të kredisë reflektojnë jo vetëm problemet e likuiditetit në sistemin bankar, por së fundi dhe në një masë jo të vogël, edhe rënien e kërkesë për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik. Ecuria e kredisë në të ardhmen do të jetë një përcaktues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të transmetuar politikën lehtësuese monetare të ndjekur prej saj në një kreditim më të madh të ekonomisë. Pa cënuar përmbushjen e mandatit tonë për kontrollin e inflacionit, ne mbetemi të gatshëm të ndihmojmë sistemin bankar nëpërmjet marrjes së masave të nevojshme për të riaktivizuar tregun e kreditit.

Në këtë linjë, edhe gjatë muajit nëntor, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të mbështesë plotësisht kërkesat për likuiditetit të sistemit bankar nëpërmjet instrumentit të repo-ve. Tregues të tregut ndërbankar dëshmojnë për një rritje të vëllimit të tregtimit në të, ndërkohë që normat e interesit kanë shfaqur një prirje rënëse, duke ndjekur uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor. Ulja e normës bazë është reflektuar edhe në tregun primar, ku për herë të parë gjatë vitit 2009 yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar rënie, për të gjitha maturitetet e tyre. Sistemi bankar ka reaguar për reflektimin e kësaj uljeje edhe në interesat e kredisë dhe të depozitave në lekë. Reagimi i agjentëve ndaj uljes së normës bazë pritet të përcillet më tej edhe në tregun e depozitave dhe kredive, duke iu përmbajtur vonesave kohore në transmetimin e politikës monetare.

Ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit nëntor, por me ritme më të ngadalësuara. Nënçmimi i lekut, i cili ka qenë prezent gjatë gjithë këtij viti, është balancuar nga çmime më të ulëta të mallrave të importuar, duke mos përbërë rrezik material për tejkalimin e nivelit të synuar të inflacionit.

***

Në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë aktuale dhe të pritshme të zhvillimeve ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se presionet inflacioniste pritet të jenë të ulëta gjatë periudhës afatmesme, të shprehura në një inflacion të çmimeve të konsumit rreth gjysmës së poshtme të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, rreziqet ndaj stabilitetit të çmimeve për periudhën në vazhdim vlerësohen të jenë relativisht të balancuara. Faktorët me ndikim frenues, si ngadalësimi i ofertës monetare, vlerësimet për ngadalësimin e kërkesës së brendshme dhe të ritmeve të aktivitetit ekonomik, niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve të lira në ekonomi dhe normat e ulëta të rritjes së çmimeve në vendet kryesore partnere, gjykohet se do të balancojnë presionet inflacioniste ushtruar nga kursi i këmbimit dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Ky vendim synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, duke e konsideruar qëndrueshmërinë makroekonomike si një parakusht të domosdoshëm për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Ai gjithashtu garanton mbështetjen e duhur monetare për ekonominë në këtë fazë të zhvillimit të saj.

Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve inflacioniste, konsolidimi i stabilitetit financiar dhe i pritjeve inflacioniste në ekonomi do të faktorizohen në vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë.