BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 27 maj 2009

Data e publikimit: 28.05.2009

 

1. Në mbledhjen e tij të datës 27 maj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind.


Në tremujorin e parë të vitit 2009 ekonomia botërore ka përjetuar një ngadalësim të aktivitetit ekonomik si pasojë e recesionit në vendet e zhvilluara dhe uljes së ndjeshme të ritmeve të rritjes së ekonomive në zhvillim. Presionet inflacioniste në rang botëror shënojnë rënie, duke reflektuar çmimet e ulëta të mallrave kryesorë si edhe ngadalësimin e kërkesës. Megjithëse disa të dhëna ekonomike të muajve të fundit sugjerojnë për frenimin e dimensioneve të krizës ekonomike botërore, pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme mbetet ende e lartë.

Treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, shtrëngimi i kushteve të financimit të ekonomisë, ecuria e agregatëve monetarë dhe disa tregues specifikë të performancës fiskale sugjerojnë se edhe ekonomia shqiptare ka njohur një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit, në linjë me zhvillimet në ekonomitë e vendeve te rajonit. Megjithatë, ekuilibrat kryesorë makroekonomikë dhe financiarë të vendit mbeten solide.

Inflacioni vjetor në muajin prill të vitit 2009 rezultoi 1.9 për qind, duke qenë pranë kufirit të poshtëm të intervalit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Rënia e inflacionit vjetor në katër muajt e parë të vitit është shkaktuar nga dobësimi i presioneve inflacioniste, si nga ana e kostove dhe nga ana e kërkesës. Rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u reflektua në çmime më të ulëta prodhimi dhe importi.

Aktiviteti tregtar me jashtë ka shënuar rënie të eksporteve dhe të importeve. Megjithatë, deficiti tregtar i vendit vazhdon të mbetet i lartë, duke shënuar madje një zgjerim vjetor prej 4.8 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit. Ky zgjerim pasqyron edhe kërkesën e lartë të ekonomisë për mallrat e importit të lidhur kryesisht me projektet e infrastrukturës në vend. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje këtë tregues, duke vlerësuar implikimet e tij për zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatgjatë dhe duke faktorizuar qëndrueshmërinë afatgjatë të pozicionit të jashtëm në vendimmarrjen e saj.

Treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore. Megjithatë, rritja më e shpejtë e shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor të zgjerohet gjatë katër muajve të parë të vitit. Në masën më të madhe, ky deficit është mbuluar nga të ardhurat e privatizimit dhe nga financimi i huaj. Megjithëse deficiti buxhetor mbetet brenda parametrave të programuar, ecuria e mëtejshme e tij duhet të monitorohet me kujdes për të bërë të mundur një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore dhe reduktimin e ndikimit të deficitit buxhetor në tregun e brendshëm financiar.

Në tremujorin e parë të vitit 2009, zgjerimi monetar ka vijuar të ngadalësohet. Krijimi i parasë u mbështet kryesisht nga kreditimi i sektorit privat si dhe rritja e financimit të sektorit publik, e cila është reflektuar në rritjen e mjeteve të brendshme monetare. Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes. Portofoli i kredisë vazhdon të dominohet nga kreditimi i bizneseve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë. Gjithsesi zhvillimet e tremujorit të parë nënvizojnë interesin në rritje të bankave dhe bizneseve për kreditimin në lekë.

Gjatë muajit prill, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë e pranishme në tregun e parasë nëpërmjet injektimit të likuiditetit me repo javore dhe tremujore. Këto duket të kenë ndikuar në rritjen e vëllimeve të shkëmbyera në tregun ndërbankar. Pavarësisht uljes së presioneve për likuiditet, ecuria e yielde- ve në tregun primar ka ndjekur prirjen rritëse të muajve të parë të këtij viti, duke evidentuar rritje të primeve të rrezikut për interesat afatgjata. Në muajin mars, normat e interesit të depozitave në lekë kanë regjistruar një rritje të lehtë si pasojë e ofertave promocionale të bankave për depozitat afatshkurta, në përgjigje të një konkurrence më të lartë në treg për thithjen e likuiditeteve. Interesi mesatar i peshuar për kreditë e reja në lekë në tremujorin e parë ka qenë relativisht më i lartë, duke ndjekur ecurinë e yield-it të bonove të thesarit dhe kushtet e likuiditetit në sistem.

Ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit prill. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit nuk kanë lejuar përcjelljen e çmimeve të ulta në tregjet botërore në çmimet e konsumit në Shqipëri. Dobësimi i monedhës vendase kundrejt shportës së monedhave kryesore vlerësohet të ketë dhënë një ndikim në inflacionin e mallrave të tregtueshëm të muajit prill.

* * *

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, të ecurisë aktuale dhe të pritshme në inflacion si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin “Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend. Ai siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky qëndrim mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare.

2. Në Këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shipqërisë miratoi dhe:

  • Rregulloren “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre “

Rregullorja “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre”, u hartua në zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Drejtimi i përgjegjshëm i bankave sot njihet si një mjet i fuqishëm për të krijuar besim dhe siguri në një institucion. Ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, sjell plotësimin dhe qartësimin e përgjegjësive të strukturave drejtuese të bankave, ndërkohë që zhvillimet e reja dhe tendencat e sistemit tonë bankar, rritja e aktivitetit të kreditimit, futja e produkteve të reja dhe në përgjithësi rritja e kompleksitetit të bankave, gjë që çon në rritjen e profilit të rrezikut për bankat, bëhen shtysë për prezantimin e koncepteve dhe praktikave bashkëkohore të drejtimit të bankave.

Në këtë kuadër kjo rregullore vë theksin në përgjegjësitë dhe detyrat e rëndësishme që strukturat drejtuese të bankave kanë për sigurimin që institucionet e tyre të operojnë në mënyrë të sigurt dhe të shëndoshë.

Rregullorja e miratuar është një plotësim i rregullores ekzistuese ku përcaktohen kriteret bazë për një drejtim të përgjegjshëm dhe efektiv të bankave dhe degëve të bankave të huaja, kriteret që duhet të plotësojnë administratorët e bankave dhe degëve të bankave të huaja, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për miratimin e tyre nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, kjo rregullore përcakton kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm në rastin e lidhjes së marrëveshjeve me të tretët për ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive në lidhje me administrimin dhe drejtimin e bankës.

  • Rritjen e pjesëmarrjes influencuese të aksionerit Banka Islamike për Zhvillim, nga 15 për qind në 55 për qind të aksioneve, nëpërmjet blerjes së 40 për qind të aksioneve të Ministrisë së Financave në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë sh.a..

Bazuar në ligjin nr.9314, datë 11.11.2004 “Për privatizimin e aksioneve, pronë e Shtetit Shqiptar, të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë”, Ministiria e Financave në datë 30 mars 2009 nënshkroi me aksionerin ekzistues, Banka Islamike për Zhvillim, marrëveshjen për shitblerjen e aksioneve në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë duke përcaktuar edhe kushtet, afatet dhe detyrimet përkatëse mbi bazën e të cilave do të kryhet shitblerja e aksioneve.

Nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes influencuese të Bankës Islamike për Zhvillim synohet në fuqizimin e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, gjë që do të ndikojë edhe në futjen e produkteve të reja në treg, si dhe në fuqizimin e politikave dhe shtimin e kapitalit të kësaj banke.