BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e seminarit rajonal - Inflacioni i shënjestruar në praktikë, Hotel Tirana International, 10 - 12 tetor 2005

Data e publikimit: 13.10.2005

 

Në datat 10 -12 tetor 2005, u zhvillua seminari rajonal treditor me temë "Inflacioni i shënjestruar në praktikë", i organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën për Studimet e Bankigut Qendror (Banka e Anglisë). Në këtë seminar merrnin pjesë folës të njohur si Gill Hammond e Bojan Markovic (Qendra për Studimet e Bankingut Qendror), Mario Holzner (Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës), Ludek Niedermayer (Zëvendëguvernator i Bankës Kombëtare Çeke) dhe Carel van den Berg (Banka Kombëtare e Holandës), si dhe mjaft ekspertë të bankave të tjera të rajonit si: të Bosnje-Herzegovinës, Bullgarisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, Republikës Çeke, Rumanisë, Serbisë e Turqisë. Fjala e rastit u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.

Qëllimi i këtij seminari rajonal ishte nxitja e debatit krahasues të pjesëmarrësve, ekonomistë e punonjës kërkimorë të departamenteve të kërkimeve e politikës monetare të bankave qendrore, rreth praktikave dhe problemeve që sjell përvoja e zbatimit të regjimit të inflacionit të shënjestruar. Këtij qëllimi i shërbeu më së miri edhe programi i seminarit, në të cilin ishte gërshetuar mjaft mirë teoria me praktikën, duke plotësuar kështu gjithë kuadrin e nevojshëm për regjimin e inflacionit të shënjestruar. Gjithashtu, banka të ndryshme qendrore paraqitën gjatë këtyre tre ditëve përvojën e tyre, me një fokus të veçantë mbi problemet dhe vështirësitë e hasura gjatë zbatimit të këtij regjimit, si dhe mbi elementet e përbashkëta lidhur me aspektet teknike e institucionale.

Ndërsa, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në fjalën e tij theksoi se pavarësisht suksesit të Bankës së Shqipërisë në kontrollin e inflacionit, tashmë ka ardhur koha që Banka e Shqipërisë të diskutojë mundësinë e përsosjes dhe të plotësimit të mëtejshëm të kuadrit të saj të politikës monetare me standarde të reja, që ndeshen në përvojat e vendeve të tjera të botës.