BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Katërt Vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 21.06.2018

 

Në datën 20 qershor 2018, u zhvillua mbledhja e katërt vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP). Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e këtij Komiteti, zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Përveç anëtarëve të Komitetit, në mbledhje ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga Banka Botërore, ekspertë për sistemin financiar dhe sistemet e pagesave.

Të pranishmit në mbledhje u prezantuan fillimisht me zgjerimin e Komitetit me anëtarë të rinj, përfaqësues nga institucione financiare jobanka dhe operatorë të sistemeve të pagesave, me qëllim gjithëpërfshirjen e aktorëve në treg.

498 DSC4392-2

Në vijim, Komiteti miratoi strategjinë “Për zhvillimin e pagesave me vlerë të vogël” dhe paraqiti projektet e realizuara deri tani në lidhje me këtë strategji, në kuadër të modernizimit të sistemeve të pagesave. Kjo strategji është bazuar në një sërë analizash e raportesh të hartuara nga Banka e Shqipërisë me mbështetjen e Bankës Botërore, të cilat u prezantuan gjatë mbledhjes. Strategjia e miratuar do të përbëjë udhërrëfyesin për angazhimet e përbashkëta në periudhën afatshkurtër e afatmesme.

Vizioni i strategjisë është “krijimi i një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës për pagesat me vlerë të vogël, i mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh që përmbushin nevojat e përdoruesve”.

498 DSC4518-2

Strategjia synon edhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ, ku si nismë konkrete  Komiteti diskutoi projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozon direktivën përkatëse të rishikuar të Bashkimit Evropian. Ky projektligj është përgatitur nga Banka e Shqipërisë me mbështetjen e Bankës Botërore dhe financimin e SECO-s. Miratimi dhe zbatimi i tij pritet të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në fushën e pagesave me vlerë të vogël dhe të balancojë hapësirat për ofrimin e shërbimeve të pagesave midis bankave dhe institucioneve financiare jobanka.

Punimet e mbledhjes u mbyllën me propozimin për krijimin e Grupeve të Punës me anëtarë nga Komiteti, me qëllim zbatimin e objektivave dhe planeve të veprimit të parashikuara në strategjinë kombëtare të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.