BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës e datës 28 janar 2004

Data e publikimit: 29.01.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 28 janar 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Raportin e zhvillimeve ekonomike dhe monetare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2003.

FJALA E GUVERNATORIT

Ndonëse ende nuk kemi të dhënat përfundimtare të vitit 2003, përsëri vazhdon të fitojë terren ideja se viti që lamë në përgjithësi regjistroi rezultate të kënaqshme, të cilat i shërbejnë konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrit të përgjithshëm makroekonomik të vendit.

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2003 ka respektuar objektivat kryesore makroekonomike të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social. Të dhënat e mbledhura në lidhje me zhvillimet ekonomike të gjashtëmujorit të dytë përforcojnë vlerësimet më të hershme të Bankës së Shqipërisë, për një rritje të prodhimit të përgjithshëm bruto me rreth 6 për qind. Rritja ekonomike ka marrë jetë në kushtet e një inflacioni të ulët, të ruajtjes së disiplinës fiskale dhe të ecurisë sipas parashikimeve të sektorit të jashtëm ekonomisë gjatë vitit 2003.

Vlerësimet për rritjen rreth 6 për qind të ekonomisë së vendit mbështeten nga disa tregues. Vëllimi i shitjeve totale në tremujorin e tretë u rrit me 8.4 për qind në krahasim me tremujorin paraardhës; në vazhdim të rritjeve të vërejtura edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Tashmë është kristalizuar ideja se prodhimi bujqësor në përgjithësi vlerësohet të jetë rritur me 3 për qind gjatë vitit 2003, krahasuar me 2.1 për qind në vitin 2002. Vëllimi i shitjeve në degën e industrisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2003, ka shënuar një rritje prej 9 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2002, duke regjistruar vazhdimisht ritme pozitive të rritjes tremujore gjatë vitit 2003. Gjithashtu, situata energjitike është përmirësuar, duke u shoqëruar me rritje të prodhimit të brendshëm energjitik. Një sërë treguesish të tjerë si: rritja e kërkesës së brendshme për mallra; rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve; rritja e vëllimit të transaksioneve me vendet partnere në tregtinë e jashtme; etj., mbështesin vlerësimet për një rritje sipas parashikimeve të degëve të turizmit, të transportit dhe të shërbimeve në përgjithësi.

Nga kjo tablo dëshiroj të veçoj sektorin e ndërtimit, i cili vazhdon të jetë ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare. Tremujori i tretë i vitit 2003 shënoi një rritje të indeksit të vëllimit të shitjeve, prej 21.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2002, ndërkohë që indeksi i kushtimit në ndërtim është rritur me 3.47 për qind gjatë kësaj periudhe.

Banka e Shqipërisë gjykon se vlerësimet për një rritje të kënaqshme ekonomike mbështeten edhe nga ecuria e treguesve monetarë. Kështu, rritja me 44 për qind e kreditimit të ekonomisë gjatë 11 muajve të parë të vitit dhe rritja e depozitave me afat në sistem janë tregues të një aktiviteti të kënaqshëm ekonomik.

Viti 2003 është karakterizuar nga një aktivitet intensiv në sektorin e jashtëm të vendit, i shprehur në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve korente. Deficiti i llogarisë korente vlerësohet të ketë arritur në 8.5 për qind të PBB-së, duke u ulur me 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Në veçanti, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2003 deficiti i llogarisë korente ishte 106.6 milionë usd, ose 12 për qind më i ulët sesa ai i tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Megjithatë, duhet theksuar se deficiti tregtar në terma absolutë vazhdon të thellohet. Ai reflekton kryesisht rritjen e konsumit të ekonomisë shqiptare dhe nënvizon nevojën e rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe konkurruese të ekonomisë shqiptare. Pavarësisht sa më sipër, pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave është pozitiv duke bërë që rezervat valutore të vendit të rriten vazhdimisht. Për herë të parë, në muajin dhjetor, niveli i përgjithshëm i tyre kaloi shifrën 1 miliardë dollarë amerikanë, për të rregjistruar më saktësisht 1.026 miliardë dollarë në fund të muajit dhjetor 2003.

Gjashtëmujori i dytë i vitit 2003 u karakterizua nga një inflacion i ulët, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Vlera e inflacionit në muajin dhjetor ishte 3.3 për qind, duke respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë. Në nivel mesatar, çmimet e konsumit janë rritur me 2.37 për qind gjatë vitit 2003. Duhet theksuar se, zhvillimet e inflacionit përsëri u ndikuan nga prania e spekullimit në çmimet e produkteve ushqimore, edhe pse me intesitet më të ulët se vitet e mëparshme. Ashtu si dhe vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori një fushatë tjetër sensibilizuese, me qëllimin e vetëm për të minimizuar rritjen spekulative të çmimeve të konsumit në fund të vitit. Gjatë këtij muaji u regjistrua edhe ndryshimi i tarifave të telefonisë fikse, i cili ndikoi në rritjen e normës së inflacionit me 0.7 pikë përqindjeje. Megjithë këto fenomene, inflacioni ka rezultuar i ulët, duke reflektuar kontrollin e presioneve të kërkesës së brendshme si pasojë e politikave të shëndosha fiskale e monetare.

Ndonëse ende nuk disponohen të dhënat zyrtare për fundvitin 2003, duhet theksuar se ndryshe nga vitet e tjerë, ky që sapo lamë u karakterizua nga një shpërndarje më racionale e shpenzimeve fiskale. Shpërndarja e kërkesave të qeverisë për huamarrje ka qenë më e njëtrajtshme gjatë vitit 2003, duke shmangur përqendrimin e financimit të deficitit në muajin dhjetor. Gjithashtu, zgjdhjet lokale të tetorit dhe klima e acaruar politike gjatë gjysmës së dytë të vitit nuk janë shoqëruar me përqendrime të shpenzimeve buxhetore apo me kompromentim të disiplinës fiskale. Së bashku me kufizimin e huamarrjes së brendshme të qeverisë në nivelin 2.7 për qind të PBB-së, ky ka përbërë një kontribut të çmuar të politikës fiskale për stabilitetin makroekonomik në përgjithësi, dhe për atë të çmimeve në veçanti. Nga ana tjetër, duhet të rritet kujdesi në drejtim të mbledhjes së të ardhurave buxhetore, të cilat vlerësohen të jenë realizuar në nivelin 92 për qind të atyre të planifikuara. Mosrealizimi i nivelit të parashikuar të të ardhurave ka rënduar mbi shpenzimet në përgjithësi, të cilat janë realizuar në nivelin 89 për qind të planit gjatë vitit 2003 dhe në shpenzimet kapitale në vecanti, të cilat ishin realizuar vetëm në masën 60 për qind të planit deri në muajin nëntor.

Zhvillimet monetare, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, kanë ecur në përputhje me parashikimet e Bankës së Shqipërisë. Oferta monetare është rritur sipas parashikimeve tona, duke qenë një ndër faktorët që ka kontribuar pozitivisht në ecurinë e inflacionit. Ritmi i rritjes së ofertës monetare ishte 9.7 për qind në muajin nëntor dhe të dhënat më të fundit operacionale tregojnë se ajo do të jetë afër parashikimit të Bankës së Shqipërisë edhe për fundin e vitit.

Në përgjigje të ecurisë pozitive të inflacionit dhe të pritjeve të tij si dhe të qëndrueshmërisë së treguesve monetarë, Banka e Shqipërisë ka ulur vazhdimisht normën bazë të interesit në ekonomi gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2003. Ulja e normës bazë të interesit u bë në tre hapa, në muajt korrik, tetor dhe dhjetor, për një efekt total prej 1.5 pikë përqindjeje. Niveli aktual i normës bazë të interesit është më i ulëti gjatë tre viteve të fundit. Ai ka ndikuar në uljen e normave të interesit të kredive dhe depozitave në lekë si dhe të bonove të thesarit. Në mbështetje edhe të përmirësimit të situatës së likuiditetit në sistem, normat e interesit të kredive në lekë dhe të bonove të thesarit janë ulur më shumë se normat e interesit të depozitave në lekë, duke sjellë një ulje të kostos totale të ndërmjetësimit të sistemit bankar gjatë vitit 2003. Normat e interesit të depozitave me afat në lekë janë ulur me 1.9 pikë përqindjeje, yield-i i bonove të thesarit me 3.1 pikë përqindjeje ndërsa normat e interesit të kredive në lekë me 4.0 pikë përqindjeje. Dëshiroj të theksoj se shpejtësia e reagimit të bankave tregtare ndaj vendimeve të politikës monetare ka qenë e kënaqshme gjatë vitit 2003. Kjo ka bërë të mundur një transmetim më të shpejtë të vendimeve të politikës monetare në ekonomi.

Megjithë uljen e shpejtë të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë, normat reale të interesit, kanë qëndruar në terma pozitivë si pasojë e ruajtjes së inflacionit brenda intervalit objektiv. Ky faktor ka kontribuar në ruajtjen e ekuilibrit monetar në ekonomi; në veçanti në ruajtjen e interesit për depozitimin e kursimeve në lekë dhe në kontrollin e normës së rritjes vjetore të agregatit M1, i cili ka edhe ndikimin më të madh në inflacion. Norma e rritjes vjetore të këtij të fundit ka qenë negative gjatë vitit 2003.

Rritja e depozitave dhe ulja e normave të interesit kanë qenë një kusht i nevojshëm monetar për mbështetjen në rritje të ekonomisë me kredi të vërejtur gjatë vitit 2003. Në përgjigje edhe të rritjes së aktivitetit ekonomik dhe të forcimit të lidhjeve të sektorit bankar me atë real të ekonomisë, teprica e kredisë është rritur me 11.4 miliardë lekë gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2003. Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2003 është lëvruar rreth 78 miliardë lekë kredi e re, ose 44 për qind më shumë së gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Raporti i kredisë ndaj depozitave, megjithëse ende i ulët, është rritur me 1.8 pikë përqindjeje gjatë kësaj periudhe.

Banka e Shqipërisë ka përsosur instrumentat e politikës monetare gjatë vitit 2003. Në përgjigje të nevojave të tregut financiar shqiptar dhe të përpjekjeve të saj për përafrimin e këtyre instrumentave me standartet e Bankës Qendrore Evropiane, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar disa aspekte te rezervës së detyrueshme, duke synuar rritjen e funksionit të saj si stabilizuese e normave të interesit në tregun ndërbankar dhe uljen e kostos që ajo përbën për bankat. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka rivlerësuar edhe koridorin e normave të interesit të tregut ndërbankar, duke ulur kufirin e poshtëm të tij me anë të rritjes së diferencës së normës së interesit të depozitës njëditore me atë të repos.

Së fundi, dëshiroj të them dy fjalë edhe për ecurinë e sektorit bankar gjatë vitit 2003. Sistemi bankar paraqitet i shëndoshë në aspektin e rezultateve finaciare dhe dinamik në aspektin e zgjerimit të konkurencës. Viti 2003 shënoi zgjerimin e komunitetit të bankave tregtare edhe me dy banka të tjera dhe hapjen e 14 degëve bankare ne rrethe të ndryshme të vendit. Të gjitha këto tregojnë për një rritje të konkurencës në sistem, e cila gjithsesi nuk ka prekur aftësinë e sistemit për të gjeneruar rezultate financiare pozitive. Fitimi i sistemit bankar arriti në 4.5 miliardë lekë në vitin 2003, kundrejt 3.9 miliardëve në vitin 2002.

Fundi i vitit 2003 shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të reformave në sistemin financiar të vendit. Pas disa përpjekjesh rrjesht, në muajin dhjetor 2003 u bë e mundur shitja e 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve, bankës austriake Raifeissen Zentral Bank. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh edhe një herë bindjen se ky zhvillim i mirëpritur në tregun financiar shqiptar do të ndikojë në zgjerimin e gamës së produkteve financiare të ofruara në treg, në rritjen e konkurencës në tregun bankar dhe në rritjen e kreditimit të ekonomisë në një periudhë afatmesme.

Raporti i plotë do të publikohet së shpejti në faqen e internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

2. Vendimin "Për tarifat e shërbimit të sistemit shqiptar të pagesave ndërkombëtare--AIPS" .

Informacion mbi ecurinë e projektit.

Këshilli Mbikëqyrës u informua rreth ecurisë së projektit për zbatimin e sistemit të pagesave ndërbankare - AIPS. Në mënyrë të veçantë, KM, u njoh me hapat e hedhura, vështirësitë e hasura në zbatim si edhe me planet e veprimeve për fillimin e funksionimit të plotë të AIPS.

Këshilli Mbikëqyrës konstatoi, se punimet për zbatimin e sistemit janë në fazën përfundimtare dhe se në diten e premte, datë 30 Janar, do të jetë i mundur fillimi i operimit të plotë. Kjo datë është parë si e përshtatshme, nisur nga fakti që Banka e Shqipërisë është e gatshme për fillimin e këtij procesi. Ndërkohë, fillimi i operimit të sistemit në këtë datë varet njëkohësisht edhe nga gatishmëria ose jo e bankave pjesëmarrëse.

Këshilli Mbikëqyrës u informua rreth nivelit të bashkëpunimit me sistemin bankar në zbatimin e projektit. Ai vlerësoi pozitivisht angazhimin dhe gatishmërinë e treguar nga të gjitha bankat gjatë procesit të zbatimit, dhe në mënyrë të veçantë, gjatë fazes së testimit të sistemit. Lidhur me këtë bashkëpunim, u arrit në përfundimin se, e njëjta shkallë bashkëpunimi duhet të ruhet edhe pas fillimit të operimit të sistemit. Bashkëpunimi, në mënyrë të veçantë, duhet të përqendrohet në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe në krijimin dhe forcimin e besueshmërisë tek shërbimi i ri.

Vendimi "Mbi miratimin e tarifave të pjesëmarrjes në AIPS"

Përcaktimi i tarifave të sistemit ndërbankar është vendimi i fundit që lidhet me plotësimin e bazës rregullatore të sistemit. Përcaktimi i tarifave nuk është i lidhur vetëm me kostot e këtij shërbimi. Ai është, në të njëjtën kohë, shprehje e qëndrimit më të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, në nxitje të zhvillimit të sistemit të pagesave në Shqipëri, të zhvillimit të infrastrukturës së pagesave, të zhvillimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit financiar vendas, si edhe në drejtim të zvogëlimit të rrezikut, të rritjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar, të përmirësimit të imazhit dhe të rritjes së besueshmërisë së publikut vendas dhe të partnerëve e investitorëve të huaj në sistemin financiar shqiptar.

Vendimi mbi tarifat e pjesmarrjes është në një përputhje me zhvillimet e sotme ndërkombëtare në fushën e pagesave ndërbankare dhe në mënyrë të veçantë është në përputhje me parimet e Bankës Ndërkombëtare të Shlyerjeve (BIS - Bank for International Settlement). Përcaktimi i kostove është bërë në përputhje me rekomandimet e këshilltarëve ndërkombëtarë, që ndihmuan Bankën e Shqipërisë gjatë zbatimit të projektit. Procesi i përcaktimit të kostove është mbështetur në parimet e mëposhtme:

1- Mbulimi, për rreth dhjetë vjet, i kostove të operimit të sistemit - Përgjithësisht, sistemet e informacionit, si pasojë e zhvillimeve të shpejta të kësaj fushe, tentojnë të kenë një cikël jete pesëvjeçar. Megjithatë, në përllogaritjet për mbulimin e kostove të sistemit AIPS, cikli i jetës së sistemit është marrë 10 vjet. Ky përcaktim, duket të jetë realist, duke pasur parasysh pozicionin e këtij sistemi në sistemin financiar shqiptar, si dhe kompleksitetin e zëvendësimit të tij.

Mbulimi i kostove të operimit të sistemit nga ana e pjesëmarrësve, është një parim i përgjithshëm, ndërkohë që Banka e Shqipërisë do të mbulojë kostot e zbatimit të sistemit, duke dhënë, në këtë mënyrë, kontributin e saj në zbatimin e reformave në sistemin financiar dhe në sistemin e pagesave në vend.

2- Thjeshtësia e përcaktimit dhe e llogaritjes së tarifave - Në bazë të këtij parimi, përcaktimi i tarifave duhet të jetë sa më transparent dhe lehtësisht i kuptueshëm nga një numër i madh përdoruesish direktë (bankat pjesëmarrëse) dhe indirektë (të gjithë aktorët e sistemit financiar shqiptar) të sistemit.

3- Krahasueshmëria e strukturës së tarifave të pjesëmarrjes me strukturat e vendeve të ngjashme të rajonit, të cilat kanë zhvillim të përafërt të tregut financiar. Gjatë përcaktimit të strukturës dhe tarifave për çdo element, u vlerësuan tarifat e sistemeve të ngjashme të rajonit. Tarifat e miratuara, duke konsideruar numrin e veprimeve ndërbankare, që planifikohen të finalizohen nëpërmjet AIPS, luhaten rreth vlerave mesatare, ndërkohë që, për disa tregues, ato jane më të ulëta të rajonit.

Rishikim i rregullt vjetor - Në zbatim të "Rregullave dhe procedurave të sistemit ndërbankar të pagesave - AIPS", KM do të kryejë në mënyrë periodike rishikimin e tarifave të pjesëmarrjes. Qëllimi i këtij rishikimi do të jetë vlerësimi i shkallës së zbatimit të parimeve të mësipërme, si dhe i ndryshimeve të mundshme në politikat e përgjithshme botërore.

3. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës diskutoi edhe mbi disa informacione si:

3.1 Mbi aktivitetin kreditues dhe depozitues për bankat e nivelit të dytë gjatë periudhës maj-dhjetor 2003", mbështetur në opinionet e marra nga Departamenti i Politikës Monetare me bankat e nivelit të dytë.

Nga përpunimi i opinioneve të të intervistuarve dhe nga ecuria e indekseve të ndërtuara për treguesit e aktivitetit kreditues dhe depozitues rezultoi se:

Aktiviteti kreditues:

Ø niveli mesatar i realizimit të planit për kredinë është rreth 100 për qind, duke qëndruar në të njëjtat nivele si në gjashtëmujorin e parë të vitit 2003;

Ø madhësia e tregut joformal është reduktuar krahasuar me gjashtë muaj më parë;

Ø rreziku i procesit të kredidhënies konsiderohet të mos ketë ndryshuar si dhe pritet të qëndrojë në të njëjtat nivele edhe për gjashtëmujorin e ardhshëm;

Ø kriza energjitike mendohet se nuk ka ndikuar në shlyerjen e kredisë, por konsiderohet se ajo ka reduktuar disi kërkesën për kredi të reja;

Ø preferenca për kreditim sipas llojit të biznesit ka mbetur e pandryshuar; biznesi i mesëm është më i preferuari;

Sipas opinioneve të të intervistuarve, për të ardhmen pritet:

- rritje e aktivitetit kreditues dhe në veçanti të kredisë për bizneset;

- rritja e kreditimit në valutë do të jetë më e theksuar se sa e kreditimit në lekë;

- normat e interesit në lekë dhe në valutë pritet të ulen;

- sektori i tregtisë do të vazhdojë të jetë sektori më i preferuar për kreditim.

Aktiviteti depozitues:

v periudha qershor - dhjetor 2003 është karakterizuar nga një aktivitet depozitues më i mirë krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës;

v diferenca e normave të interesit midis depozitave në lekë dhe në valutë ka favorizuar rritjen e depozitave në lekë ndërsa ka frenuar ritmet e rritjes së depozitave në valutë në këtë periudhë;

v në gjashtëmujorin e ardhshëm aktiviteti depozitues shihet me optimizëm. Specialistët presin rritje të nivelit të depozitave si në lekë ashtu dhe në valutë;

v normat e interesit të depozitave në lekë pritet të vazhdojnë tendencën ulëse ndërsa për normat e interesit në valutë nuk pritet të ketë ndryshime;

v privatizimi i Bankës së Kursimeve nuk mendohet se do të ndikojë yield-in e bonove të thesarit. Ai do të përmirësojë sistemin e pagesave dhe do të rrisë konkurrencën në tregun bankar;

v politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndikuar normat e interesit me anë të vendimeve për uljen e normës së repos. Ndërhyrja e saj pohohet e efektshme në rregullimin e deformimeve dhe në rritjen e eficiencës së sistemit bankar.

3.2 Informacionin "Mbi marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me bankat e huaja dhe institucionet financiare ndëkombëtare për vitin 2003".

Viti 2003 ka njohur përgjithësisht ritmet e bashkëpunimit dypalësh në krahasim me periudhën paraardhëse. Ecuria e përgjithshme të marrëdhënieve të Bankës së Shqipërisë me bankat e huaja dhe institucionet financiare ndërkombëtare është karakterizuar përgjithësisht nga ruajtja dhe konsolidimi i marrëdhënieve tashmë të ngritur.

Marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë përqëndruar kryesisht në drejtim të bisedimeve dhe konsultimeve me misionet rishikuese dhe me ato të asistencës teknike në kuadrin e programve të parashikuara.

Takimet me Misionin e Departamentit Europian I, të zhvilluara ne muajt korrik dhe tetor, janë fokusuar mbi zhvillimet monetare dhe ato në sektorin real si dhe parashikimet lidhur me të, në inflacionin e rritjen ekonomike dhe në faktorët që ndikojnë në to, në gjendjen e sistemit bankar (gjendja e likuiditetit në sistem, risqet më sinjifikative dhe metodat për matjen e tyre, cilësia e portofolit të kredive si sistem, kreditimi etj. Ndërkohë, programi i Asistencës Teknike të FMN-së ka vijuar gjatë vitit 2003 me dy misione asistence në nivel ekspertësh që kanë asistuar në çështje që lidhen me llogaritjen e inflacionit bazë, kuadrin e përgjithshëm të objektivave të politikës monetare dhe lidhjen e objektivit të ndërmjetëm dhe inflacionit, rolin dhe ndikimin e normave të interesit, funksionimin e mekanizmit të transmisionit të politikës monetare, etj.

Me grupin e Bankes Boterore, marrëdhëniet kanë ndjekur orientimet e strategjisë së zhvillimit afatmesëm të mbikqyrjes bankare në kuadrin e marrëveshjes për reformën e sektorit financiar, ku Banka e Shqipërisë është e angazhuar në mënyrë direkte ose indirekte. Në këtë drejtim, dy misione të Bankës Botërore kanë monitoruar ecurinë e zbatimit të Planit të Zhvillimit të Mbikëqyrjes, të projektit të implementimit të RTGS-së si dhe ecurine e zbatimit te projektit ACH (sistemit Automatik te Kleringut).

Banka e Shqipërisë është një ndër institucionet shqiptare që po bashkëpunojnë në kuadër të diskutimeve që po zhvillohen për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit me KE-në.. Problemet më të rëndësishme që janë diskutuar me përfaqësues të Komisionit Evropian kanë qenë: krijimi i institucioneve bankare dhe jobankare, liberalizimi i lëvizjeve të kapitalit dhe zhvillimet monetare dhe ekonomike.

Në vitin 2003 u realizuan me asistencën e Zyrës për Kooperimin Teknik me Gjermaninë (GTZ), një seminar mbi legjislacioni bankar e financiar dhe ardhja e një misioni identifikimi për gjendjen dhe nevojat e Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian

Një nga institucionet ndërkombëtare që konsiderohet si baza e procesit rregullator të veprimtarisë së mbikqyrjes bankare është Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS) në Bazel. Lidhjet me këtë institucion për mbikëqyrjen bankare realizohen me pjesëmarrje në seminaret që organizon ky institucion atje, si dhe me materialet dhe direktivat bazë që trajtohen në projektin e Zhvillimit të mbikëqyrjes bankare.

Edhe me bankat qendrore, marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë në përgjithësi kanë vazhduar me po të njëjtin ritëm; vlejnë të përmenden marrëdhëniet me Bankën Qendrore Europiane, bankat qëndrore të Gjermanisë, të Francës, të Çekisë, të cilat kanë qenë të fokusuara kryesisht në asistencën teknike nëpërmjet kurseve të trajnimit afatshkurtra dhe asistencës me dokumentacion. Në po të njëjtat stade, pa ndonjë zhvillim të veçantë, kanë qendruar marrëdhëniet me bankat qendrore me të cilat Banka e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje në fushën e mbikëqyrjes bankare. Kështu me bankat qendrore të Greqisë, të Bullgarisë dhe me autoritetin mbikëqyrës të Turqisë janë këmbyer informacione dhe raporte lidhur me veprimtarinë e degëve të bankave të huaja që operojnë në sistemin shqiptar.

Në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin për Banka dhe Pagesa të Kosovës janë realizuar vizita pune dhe takime të nivelit të lartë, si dhe për herë të parë Banka e Shqipërisë ka ofruar eksperiencën e saj në fushën e Arshivës dhe Protokollit për këtë institucion duke realizuar këtu një vizitë punë disaditore. Në bisedimet e zhvilluara me drejtorin egzekutiv të Autoritetit kosovar është rënë dakord që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më shumë duke ndarë eksperiencat më të mira, gjë e cila do të fillojë në vitin 2004.

Gjatë vitit 2003, marrëdhëniet e biznesit më banka me të cilat Banka e Shqipërisë bashkëpunon për menaxhimin e rezervës valutore kanë qendruar në të njëjtat nivele. Banka e Shqipërisë ka vazhduar të ruajë të njëjtët partnere në procesin e administrimit të rezervave valutore duke përdorur, njëkohësisht të njëjtët instrumente.