BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 18 qershor 2004

Data e publikimit: 18.06.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 18 qershor 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Raportin mujor të politikës monetare.

Inflacioni vjetor në muajin maj zbriti në 2.6 për qind, duke rezultuar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare e inflacionit vjetor ishte 3.19 për qind. Ulja e inflacionit në muajin maj erdhi si pasojë e futjes më të hershme të prodhimit bujqësor vendas në treg në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, ndikim ka dhënë edhe rishikimi në zbritje i disa prej çmimeve të administruara.

Banka e Shqipërisë ka lehtësuar kushtet monetare në muajt prill dhe maj. Ajo ka ulur me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Lehtësimi i politikës monetare erdhi si rezultat i parashikimeve pozitive për inflacionin në të ardhmen duke synuar të mbështesë më mirë kreditimin e ekonomisë dhe aktivitetin ekonomik të vendit. Bankat e nivelit të dytë i janë përgjigjur në të njëtin kah uljes së normës bazë të interesit. Gjatë muajve maj-qershor ato kanë ulur normat e interesit të depozitave me afat në lekë dhe yield-et e bonove të thesarit.

Ngadalësimi i normës vjetore të rritjes së agregatit M2, i cili ka reflektuar një kërkesë më të ulët të qeverisë dhe të ekonomisë për mjete monetare në lekë, ka ndikuar në uljen e ritmit të rritjes së ofertës monetare për muajin prill. Depozitat në valutë kanë lëvizur në drejtim të kundërt. Kontributi i tyre në rritjen e ofertës monetare ka rezultuar më i lartë.

Teprica e kredisë u rrit me 2.6 miliardë lekë në muajin prill, duke qenë pothuaj në të njëjtin nivel me rritjen e saj gjatë tremujorit të parë. Në muajin prill u lëvrua 10.6 miliardë lekë kredi e re ose 54 për qind më shumë në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Likuiditeti në muajt prill dhe maj ka qenë në nivele të qëndrueshme. Ai ka reflektuar rritjen e moderuar të depozitave në lekë dhe kërkesën e ulët për fonde të qeverisë. Leku është gjendur në pozita të favorshme ndaj monedhave usd dhe euro, i mbështetur nga ulja e importit dhe nivelet e ulëta të inflacionit.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës diskutoi edhe mbi disa materiale lidhur me organizimin dhe punën e Bankës së Shqipërisë.