BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 8 shtator 2004

Data e publikimit: 08.09.2004

 

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 8 shtator 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Vlerësimin e gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e dytë të vitit 2004.

Në tremujorin e dytë të vitit, aktiviteti bankar shënoi një rritje prej 580 milionë lekësh, nga 17.4 miliardë lekë që u evidentua rritja për tremujorin e parë të vitit. Ndikimin kryesor në rënien e ritmit rritës të aktiveve te sistemit e dhanë dy prej bankave të sistemit, me pakësimin e aktiveve të tyre respektivisht 2.2 miliardë dhe 1.2 miliardë lekë.

Vendimi i transferimit të kapitalit të Bankës së Kursimeve nga Banka e Shqipërisë u krye në datën 14.04.2004, dhe tremujori i dytë i vitit nuk njeh më banka me kapital shtetëror. Ky fakt kushtëzoi ndryshimin e kriterit mbi rigrupimin e bankave, i cili në vazhdim do t'i klasifikojë ato mbi bazën e madhësisë së aktiveve. Konkretisht, grupi i parë (G1) përfshin bankat, pesha e të cilave është nën 2 për qind e totalit të aktiveve të sistemit, grupi i dytë (G2) bankat me peshë më të madhe se 2 për qind dhe më të vogël se 7 për qind e aktiveve të sistemit dhe grupi i tretë (G3) bankat që tejkalojnë nivelin prej 7 për qind ndaj aktiveve të sistemit.

Sipas këtij kriteri, në tremujorin e dytë evidentohet grupi G1 me ndikimin kryesor në rritjen e aktiveve të sistemit prej 887 milionë lekë, ndërsa dy grupet e tjera shënojnë rënie respektivisht 31.2 milionë lekë dhe 276.1 milionë lekë.

Megjithëse tremujori i dytë njohu rritje të lehta të aktiveve të sistemit bankar, ecuria e këtij treguesi në vite vlerësohet e kënaqshme. Kështu, periudha qershor '03-qershor '04 prezantoi rritje të aktivitetit bankar me 9.3 për qind, ndonëse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja ishte 13.9 për qind.

Gjithashtu, privatizimi i Bankës së Kursimeve parashikon rritjen e presionit të ushtruar mbi bankat për zgjerimin e aktivitetit të tyre, me qëllim ruajtjen e peshave në treg dhe zhvillimin e kritereve konkurruese.

Informacion më të hollësishëm do të gjeni duke klikuar këtu.


2. Informacini "Mbi ecurinë e tregjeve ndërkombëtare".

SHBA

Të dhënat ekonomike gjatë muajit korrik kanë mbështetur mendimet e disa investitorëve në treg se rritja ekonomike është ngadalësuar. Rritja që priste tregu në punësim jo vetëm që nuk u materializua, por përkundrazi zhgënjeu shumë, duke rregjistruar një shtim prej vetëm 32 mijë të numrit të të punësuarve. Megjithatë treguesit e ndryshëm ekonomik vazhdojnë të flasin për ekspansion të ekonomisë amerikane dhe rritje të punësimit. Banka e Rezerves Federale, banka qendrore e vendit, gjatë muajit gusht vazhdoi të tërheqë një pjesë të politikës lehtësuese monetare, duke rritur për herë të dytë me 25 pikë përqindje normën bazë të interesit, dhe theksoi se ngadalësimi i rritjes ekonomike të vërejtur në shifrat e dy muajve të fundit ka ardhur si pasoje e cmimeve të larta të naftës. Rezerva Federale (FED) theksoi sërisht se ky ngadalësim vjen si pasojë e faktorëve të përkohshëm dhe se norma e rritjes ekonomike në pjesën e dytë të vitit, do të kthehet serisht në nivele më të larta se në tremujorin e dytë. Fed shprehu të njëjtin qëndrimin si edhe pas takimit të qershorit për rritje të matura të normës së interesit.

EUROPË

Të dhënat ekonomike nga Evropa kanë treguar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, por jo në nivele veçanërisht të larta. Rritja vazhdon të jetë e udhëhequr nga kërkesa për eksporte, ndërsa ngadalësimi i rritjes ekonomike botërore të vënë re këto dy muajt e fundit mund të shkaktojë probleme për ekonominë e rajonit. Çmimet e naftës nuk duket se përbëjnë problem për inflacionin dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka deklaruar se nuk do të ndikojnë në vendimet e saj për normën e interesit, përsa kohë këto rritje nuk krijojnë presione zinxhir në cmimet e mallrave dhe pagat e punonjësve. Nëse ngadalësimi në rritjen ekonomike botërore do të zgjasë dhe nuk do të jetë i përkohshëm, hapësira për BQE për të rritur normën e interesit ngushtohet shumë. Tregu financiar mund të vazhdojë spekullimet për ngadalësim të ekonomisë, në kushtet kur edhe çmimi i naftës mund të rritet sërish.

Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës u diskutuan gjithashtu edhe projekte e informacione të lidhura me funksionimin e Bankës së Shqipërisë.