BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 26 janar 2005

Data e publikimit: 28.01.2005

 

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 26 janar 2005, pasi shqyrtoi propozimet e disa departameneve të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

1. Deklaratën e Bankës së Shqipërisë "Mbi zhvillimet ekonomike dhe monetare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2004"

Fjalën e Guvernatorit

Pjesa e dytë e vitit 2004, ka gjeneruar një aktivitet më të madh ekonomik, duke regjistruar një lloj gjallërimi të përgjithshëm, veçanërisht pas një fillim viti relativisht të qetë. Përshpejtimi i rritjes së prodhimit është evidentuar pothuajse në të gjithë sektorët ekonomikë, ndërkohë që objektivat madhorë në ekonomi janë përmbushur në përputhje me programin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomiko - financiar të vendit.

Në rrafshin ndërkombëtar, ky gjashtëmujor përkoi me një përshpejtim të tendencave të verifikuara në pjesën e parë të vitit, sidomos përsa i takon ecurisë së dollarit amerikan dhe rritjes së çmimit të naftës. Politika monetare e Rezervës Federale, gjatë kësaj periudhe, ka ndryshuar kahun e politikës monetare me anë të disa rritjeve të njëpasnjëshme të përqindjes bazë të interesit, në tentativë për të frenuar presionet inflacioniste në ekonomi. Nga ana tjetër, BQE, duke vlerësuar ecurinë e inflacionit dhe presionet e forta ndaj euros, ka gjykuar të paarsyeshëm ndryshimin e përqindjes bazë, duke e mbajtur atë në nivelin 2 për qind për rreth 1 vit e gjysmë.

Në planin e brendshëm, prodhimi në sektorin bujqësor pritet të jetë më i lartë sesa parashikimi i fillimvitit. Po kështu dhe shitjet e realizuara nga sektorët jobujqësorë të ekonomisë kanë qenë më të larta si në krahasim me dy tremujorët e parë, ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ngadalësimi në sektorin e industrisë është balancuar nga ecuria e mirë në sektorin e shërbimeve (tregtisë, hoteleve dhe restoranteve) dhe në atë të ndërtimit duke kontribuar ndërmjet të tjerash në një situatë më të mirë të punësimit. Shpenzimet buxhetore kanë qenë brenda kufijve të parashikuar, duke mos rrezikuar rritjen e kërkesës. Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, ndonëse është reflektuar në çmimin e naftës dhe të transportit në Shqipëri, nuk duket të ketë shkaktuar kosto shtesë të papërballueshme për biznesin dhe për konsumatorin në vend.

Inflacioni vjetor në muajin dhjetor rezultoi 2.2 për qind, ndërsa inflacioni mesatar vjetor ishte 2.9 për qind. Respektimi i objektivit të inflacionit ka ardhur si rrjedhojë e situatës së qëndrueshme makroekonomike, e kontrollit të kërkesës së brendshme të ekonomisë dhe e stabilitetit të treguesve monetarë.

Viti 2004 u karakterizua nga respektimi i objektivave fiskalë në drejtim të shpenzimeve buxhetore dhe deficitit buxhetor, si dhe nga një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve fiskale. Kërkesa e qeverisë për hua ka ardhur në rritje gjatë gjashtëmujorit të dytë, por duke mbetur gjithsesi brenda niveleve të parashikuara. Gjithashtu, norma vjetore e ndryshimit të shpenzimeve buxhetore korente ka qenë e qëndrueshme. Zbatimi i një politike fiskale të matur ka krijuar kushte për kontrollimin më të mirë të normës së inflacionit.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë, gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit 2004 ka ruajtur kahun zbutës, duke synuar para së gjithash uljen e kostos së huamarrjes në ekonomi. Banka e Shqipërisë uli dy herë normën bazë të interesit, në muajt korrik dhe nëntor, me nga 0.25 pikë përqindje. Këto ulje e sollën normën bazë të interesit në nivelin më të ulët historik të saj, 5.25 për qind. Megjithatë, norma reale e interesit vazhdon të jetë pozitive, duke mundësuar thithjen e depozitave në sistemin bankar dhe duke ruajtur raportet e likuiditetit në sistem.

Sistemi bankar është karakterizuar nga ritme të larta të kreditimit të ekonomisë gjatë vitit 2004. Teprica e kredisë është rritur 9.2 miliardë lekë gjatë periudhës qershor -nëntor 2004, duke qenë 51 për qind më e lartë se rritja e tepricës në gjashtëmjorin e parë të vitit. Krediti për ekonominë po zë një peshë gjithnjë në rritje në strukturën e aktiveve të sistemit bankar, duke përbërë një burim të rëndësishëm të kërkesës për mjete monetare. Raporti kredi/depozita është në rritje të vazhdueshme, tregues i cili prezanton pozitivisht funksionin e rolit ndërmjetësues të sistemit bankar në mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë. Rritja e tepricës së kredisë, gjatë 11 muajve të parë të vitit, shënon vlerën 15.3 miliardë lekë, duke përbërë një rritje prej 30 për qind në krahasim me fundin e vitit 2003.

Politika monetare zbutëse e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar edhe në zbutjen e presioneve mbiçmuese të kursit të këmbimit të lekut. Diferencat midis interesave në valutë dhe atyre në lekë kanë pësuar rënie gjatë vitit 2004. Megjithatë, hyrjet valutore në rritje nga njëra anë dhe ulja ritmeve të importeve nga ana tjetër, kanë krijuar një diferencë të përkohshme midis ofertës dhe kërkesës për valutë gjatë muajve të verës. Ky zhbalancim ka ushtruar presion të dukshëm për mbiçmimin e kursit të këmbimit të lekut, duke rritur edhe luhatshmërinë në tregjet valutore. Luhatshmëria e kursit të këmbimit në sajë të kësaj rritjeje të përkohshme të ofertës valutore, ka diktuar nevojën e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor gjatë muajve të verës, në kahun e blerjes së valutës.

Megjithë rritjen e deficitit tregtar, deficiti korent në tremujorin e tretë ka qenë më i ulët se në tremujorët paraardhës, falë bilanceve pozitive dhe të rritura të të ardhurave, shërbimeve dhe sidomos të transfertave korente. Bilanci në kategorinë e transfertave korente vlerësohet të jetë rreth 294 milionë usd, duke qenë më i lartë se në dy tremujorët e parë dhe rreth 44 për qind më i madh se ai i tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Në tërësi, zhvillimet e bilancit të pagesave gjatë vitit 2004 paraqiten pozitive. Niveli i rezervave valutore bruto, në fund të periudhës, u vlerësua në 1 miliardë e 244 milionë usd, i mjaftueshëm për të përballuar 5.1 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Bazuar në zhvillimet e mësipërme mund të konkludohet se viti 2004, në përgjithësi kontribuoi në përforcimin e mëtejshëm të ekulibrit makroekonomik të vendit. Ndonëse ende nuk disponohen të dhëna të plota për fundin e vitit 2004, është kristalizuar ideja se objektivat kryesorë të parashikuar në planin afatmesëm të zhvillimit të vendit janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Sipas vlerësimeve të fundit, ekonomia shqiptare është rritur me 6 për qind në kushtet e një norme inflacioni të ulët, shumë pranë nivelit të poshtëm të bandës objektiv. Reformat strukturore me gjithë problematikën e tyre, gjatë vitit 2004 ecën përpara. Privatizimi i ish - Bankës së Kursimeve, ka rritur konkurrencën e sektorit bankar ndërkohë që është bërë progres në procesin e privatizimit të kompanive të tjera shtetërore si Albtelekom dhe ARMO.

I gjithë ky proces konsolidues ka krijuar premisat për qëndrueshmëri më të madhe në të ardhmen. Tashmë është konturuar programi i zhvillimit të vendit për vitin 2005, pjesë e të cilit janë edhe objektivat kryesorë të politikës monetare.

Objektivi kryesor i politikës monetare për vitin 2005, i përfshirë në programin monetar, mbetet ruajtja e normës vjetore të inflacionit në intervalin 2 - 4 për qind. Ky objektiv do të synohet të arrihet nëpërmjet kontrollit të rritjes së ofertës monetare në nivel të përafërt me rritjen e PBB-së nominale, nën supozimin e ecurisë së qëndrueshme të shpejtësisë së qarkullimit të parasë në ekonomi. Mbi këtë bazë, ritmi vjetor i rritjes së ofertës së parasë për vitin 2005, të parashikuar në programin monetar është 9.4 për qind. Ky ritëm është konsistent me plotësimin e kërkesës për para të ekonomisë, që vjen nga rritja reale e saj me 6 për qind.

Programi monetar i Bankës së Shqipërisë është hartuar në përputhje me politikat e tjera në ekonomi, ku veçanërisht spikat harmonizimi i saj me politikën fiskale të qeverisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se ashtu si në vitet e fundit, edhe gjatë vitit 2005, ecuria e zhvillimit ekonomik të vendit do të jetë në përputhje me objektivat e programit të zhvillimit të përgjithshëm të tij. Zhvillimet e fundit në sistemin bankar, rrisin optimizmin se ai do të përmbushë gjithnjë e më mirë rolin e tij të ndërmjetësimit financiar në ekonomi. Ne gjykojmë se konsolidimi i tij do të vazhdojë me ritme më të shpejta gjatë këtij viti, duke i ofruar publikut në përgjithësi më shumë kredi, më shumë shërbime dhe më shumë siguri në administrimin e kursimeve.

Deklarata e plotë do të publikohet së shpejti në faqen e internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

2. Deklarata e Bankës së Shqipërisë "Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri" (kliko këtu)

3. Një ndryshim në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë"

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e tij të datës 26. 01. 2005, vendosi për rritjen e kapitalit minimal të kërkuar të paguar për kryerjen e veprimtarisë bankare, nga 700 milionë lekë ne 1 miliard lekë.

Disa nga arsyet që motivojnë marrjen e këtij vendimi, lidhen me nevojën për të patur banka të mirëkapitalizuara në kushtet e:

  • zgjerimit të shpejtë të rritjes së rrjetit të tyre
  • anagazhimit më të madh në veprimtarinë e kreditimit, e cila përfaqëson një nga veprimtaritë me fitim më të lartë, por edhe me rrezik të konsiderueshëm
  • nevojës që të nxitet një përmirësim cilësor i sistemit bankar në vend, për sa i takon institucioneve të reja që mund të kërkojnë të hyjnë në tregun bankar në Shqipëri, si edhe për të mbështetur konsolidimin e institucioneve bankare ekzistuese. Rritja e kërkesës minimale të kapitalit do të mundësonte afrimin e investitorëve të fuqishëm dhe të besueshëm në tregun bankar, gjë që do të ndikonte në rritjen e stabilitetit të sistemit financiar në përgjithësi

Vendimi për rritjen e kapitali minimal të kërkuar, ka efekt edhe për bankat që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë bankare. Ndaj ky vendim, shoqërohet me një vendim të dytë, lidhur me afatet e plotësimit të këtij kapitali nga bankat ekzistuese, si edhe nga aplikuesit për licencë bankare përpara marrjes së vendimit. Afati brenda të cilit duhët të ndodhë rritja e kapitalit për bankat ekzistuese është 3 vjetë nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Gjysma e rritjes së kapitalit, duhet të ndodhë brenda 1.5 vjetësh.

Ky vendim, ka gjetur edhe mbështetjen e përgjithshme të industrisë bankare në vend.

Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u miratuan edhe disa vendime të tjera, si dhe u shqyrtuan disa informacione që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.