BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare

Data e publikimit: 26.06.2006

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani mori pjesë në mbledhjen e 76-ë vjetore të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS), e cila i zhvilloi punimet në datat 25 dhe 26 qershor 2006 në Bazel të Zvicrës.

Në këtë takim të përvitshëm, ku morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore dhe personalitete të larta të botës financiare nga e gjithë bota, Guvernatori Fullani zhvilloi takime të shumta me personalitete të larta të Bankës Qendrore Evropiane, të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare si edhe të bankave të tjera qendrore evropiane dhe të rajonit. Në të gjitha takimet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe, një theks i veçantë iu vu zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me këto institucione.

Duke përfituar nga mundësitë e mëdha të këtij takimi, si dhe nga vetë natyra specifike e BIS, Guvernatori Fullani në prononcimet e tij insistoi në thithjen e një asistence teknike gjithnjë e më të kualifikuar, veçanërisht në fusha të tilla prioritare si në atë të politikës monetare dhe në atë të mbikëqyrjes bankare.

Një asistencë e kualifikuar do të ndihmonte në arritjen e standardeve bashkëkohore, të përafërta me standardet e bankave qendrore evropiane, si përsa i takon adoptimit dhe ekzekutimit të një politike monetare të efektshme ashtu edhe në drejtim të forcimit të stabilitetit financiar të sistemit bankar shqiptar, duke besuar se kështu jepet një kontribut shumë i madh për stabilitetin financiar në përgjithësi.