BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbylli punimet Konferenca Vjetore 2018 e Bankës së Shqipërisë: Konkluzionet

Data e publikimit: 02.11.2018

 

Në datën 1 nëntor 2018, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me London School of Economics and Political Science -LSE (Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës), organizoi konferencën vjetore me temë: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.

Gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht mbi çështje që kanë të bëjnë me “normalen” e re të politikës monetare, në kushtet e reja ekonomike globale pas krizës së fundit financiare. Në këtë kuadër, sfidat kryesore me të cilat përballen bankat qendrore do të lidhen me përmbushjen e objektivave të tyre, në drejtim të stabilitetit ekonomik, të çmimeve dhe atij financiar, në një realitet më kompleks dhe dinamik. Globalizimi, zhvillimet e vrullshme dhe inovacioni i pandalshëm në tregjet financiare, si dhe ndërlidhja që ka shëndeti i sistemit financiar me transmetimin e politikës monetare dhe me shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë, janë temat më aktuale të diskutimit në fushën e bankingut qendror.

Folësit paraqitën sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vogla e të hapura, të cilat bëhen akoma më të vështira kur këto vende kanë qenë dhe mbeten subjekt i goditjeve të shpeshta nga tregjet financiare botërore, politikat monetare të bankave qendrore kryesore, por edhe ndikimit që ka rregullimi dhe oreksi për rrezik i sistemit financiar botëror. Për këtë arsye, dilemat e politikës monetare për vendet në zhvillim janë edhe më komplekse se ato për vendet e zhvilluara. Këto vende duhet të marrin në konsideratë trilemën e pamundur të politikës monetare: ruajtjen e një kursi fiks këmbimi, zbatimin e një politike monetare të pavarur dhe qarkullimin e lirë të kapitalit me partnerët e huaj. Një prej konkluzioneve që u  mbështet  gjerësisht nga të pranishmit ishte se eksperienca e vendeve të rajonit ka treguar se ekziston një gamë e pasur zgjedhjesh të suksesshme në kuadrin teorik dhe praktik të politikës monetare. Megjithatë, këto zgjedhje duhet të jenë gjithnjë konsistente në prioritetet që vendosin, në instrumentet që përdorin, dhe në koordinimin e tyre me stabilitetin financiar, politikën fiskale dhe reformat strukturore. Po ashtu, folësit theksuan nevojën e mbështetjes së politikës monetare me instrumente mbikëqyrëse dhe rregullatore – apo të ashtuquajturat politika makroprudenciale – si dhe me reforma strukturore, të cilat nxitin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe lehtësojnë transmetimin e masave të bankës qendrore.

Në vijim, diskutimet trajtuan eksperiencat e ekonomive në zhvillim që janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij bashkimi, duke u fokusuar mbi praktikat e mbikëqyrjes bankare, mundësinë e bashkërendimit të instrumenteve dhe politikave mbi stabilitetin financiar, si dhe minimizimim e kostove në rastet kur nevojitet ndërhyrje e jashtëzakonshme. Përvojat e vendeve mbi të cilat u diskutua gjatë konferencës tregojnë se aspektet rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe bilanci kontabël i bankave tregtare janë përmirësuar. Megjithatë, disa aspekte ligjore dhe rregullative, si dhe mënyra e menaxhimit ka nevojë të përmirësohet më tej. Pastrimi i bilancit të bankave nga kreditë me probleme, rritja e transparencës dhe përmirësimi i aspekteve ligjore lidhur me procedurat e menaxhimit të tyre janë të nevojshme për rimëkëmbjen e ekonomisë në të ardhmen, si dhe shërben për t’i bërë bankat institucione më të besueshme.

Në ditët e sotme, bankat qendrore përballen me sfida të reja globale që lidhen me sektorin financiar, për të cilat ato duhet të jenë të vëmendshme. Ndër elementet kryesorë vlen të përmenden zbatimi i parimeve të Bazel III, përforcimi i kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës për menaxhimin e rrezikut, si dhe krijimi i kapitaleve shtesë të mjaftueshëm për përballimin e krizave të mundshme në të ardhmen. Në këtë aspekt, rëndësi paraqet edhe harmonizimi me aspektet ligjore të BE,  krijimi i një strukture efikase,  bashkëpunimi aktiv midis institucioneve të mbikëqyrjes bankare evropiane dhe atyre kombëtare me qëllim shkëmbimin e informacionit bankar.

Risitë teknologjike në tregun financiar, si dhe sfidat që ato parashtrojnë për bankat qendrore në kuadër të politikës monetare dhe stabilitetit financiar janë tema mjaft aktuale dhe për këtë arsye ato u trajtuan gjerësisht në një prej sesioneve të konferencës. Dihet se instrumentet e reja krijojnë mundësi për përfshirje më të madhe në sistemin financiar, duke sjellë përfitime sociale dhe ekonomike për shoqërinë. Por nga ana tjetër, bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse duhet të jenë vigjilente dhe të përgatitura duke koordinuar aktivitetet e tyre mbikëqyrëse dhe ato rregullatore për të garantuar mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e këtyre instrumenteve të reja.

I ftuar i veçantë i kësaj konference ishte dhe Prof. Ricardo Reis, Profesori i Ekonomiksit në LSE, një nga emrat më në zë të akademikëve të rinj, i cili ka kryer një sërë studimesh në fushën e bankingut qendror. Në fjalën e tij përshëndetëse kushtuar konferencës, Prof. Reis theksoi se në 10 vitet e fundit politikat e administrimit monetar e financiar janë dominuar nga inovacioni i bankave qendrore. Sipas tij, bankat qendrore kanë thyer tabutë, duke prezantuar koncepte të reja e duke ndërmarrë politika monetare inovative. Bota akademike i ka studiuar e ka përfituar nga këto inovacione, i ka përfshirë ato në kuadrin ekzistues teorik dhe i ka përshtatur si rekomandime të gatshme për t’u zbatuar në krizat e ardhshme.

Paneli përmbyllës i konferencës, Paneli i Guvernatorëve, mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, Islandës, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Ky panel përmblodhi nga këndvështrimi teorik e praktik karakteristikat dominuese të sfidave me të cilat përballen bankat qendrore, e veçanërisht ato të rajonit. Panelistët u përqendruan fillimisht në përshkrimin e situatës për secilin vend dhe më pas në natyrën e politikave që bankat qendrore kanë përdorur për t’u përballur me sfidat e kohës. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se bankat qendrore përballen me një sërë sfidash të reja nga zhvillimet ekonomike e ato teknologjike, prandaj është e nevojshme që bankat qendrore të krijojnë mburoja të mjaftueshme për t’u përballur me të panjohurat e sotme e të ardhshme dhe të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për të gjetur zgjidhjet më të mira sipas kushteve specifike të secilit vend. Në përfundim të panelit, të gjithë pjesëmarrësit e tij mbështetën konkluzionin se asnjë politikë nuk është zëvendësuese për rolin që luajnë reformat strukturore në garantimin e stabilitetit të çmimeve e atij financiar në afatin e gjatë.

Në përfundim të konferencës, Guvernatori Sejko dhe z. Erik Berglof, prezantuan për mediat konkluzionet kryesore të kësaj konference nëpërmjet një deklarate të përbashkët. Guvernatori Sejko vlerësoi si shumë të vlefshme punimet e saj, të cilat parashtruan një sërë eksperiencash dhe modelesh për sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë. Këto eksperienca ofrojnë një perspektivë të qartë për mënyrën se si duhen përmirësuar politikat dhe kuadret rregullative, në mënyrë që të përmbushen me sukses objektivat e bankave qendrore, në drejtim të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar; të gjitha në funksion të rritjes ekonomike dhe rritjes sё mirëqenies tё qytetarëve shqiptarë.

Në fjalën e tij, z. Berglof, në kapacitetin e bashkorganizatorit të konferencës por edhe si një vizitor i rregullt i Shqipërisë, shprehu përshtypje  pozitive mbi arritjet e Shqipërisë në përmirësimin e kushteve makroekonomike, realizimin e reformave strukturore dhe ndërtimin e suksesshëm të institucioneve. Më konkretisht ai u ndal në progresin e bërë nga banka qendrore në Shqipëri vitet e fundit, duke vlerësuar se sa i rëndësishëm është ndërtimi i një institucioni të fortë siç është Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë falënderon LSE, gjithë folësit dhe pjesëmarrësit në konferencë për kontributin e tyre në realizimin e suksesshëm të saj. Zhvillimi i kësaj konference përbën edhe një dëshmi për vlefshmërinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe akademisë në fushën e kërkimit shkencor. Ky bashkëpunim ndihmon në thellimin e njohurive të institucioneve politikëbërëse, si dhe mbështet zhvillimin e tyre.