BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Miratimi i ligjit “Për Shërbimet e Pagesave”

Data e publikimit: 30.04.2020

 

Sot në datën 30 prill, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për Shërbimet e Pagesave”. Miratimi i këtij ligji konsiderohet si një arritje shumëdimensionale dhe përmbushje e një sërë angazhimesh të Bankës së Shqipërisë. Më konkretisht, miratimi i ligjit shënon një progres të konsiderueshëm në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian duke përafruar Direktivën e dytë “ Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”  si dhe për integrimin me tregun e përbashkët të pagesave në euro (Single Euro Payment Area), duke krijuar themelet e ndërlidhjeve midis tregut shqiptar dhe atij evropian të pagesave. Gjithashtu, ky ligj përmbush edhe një sërë objektivash të parashikuara në planvëprimin e Strategjisë Kombëtare për Tregun e Pagesave me Vlerë të Vogël si dhe angazhimet e Bakës së Shqipërisë në Strategjinë Kombëtare Për Diasporën.

IMG-2020 500

Përtej objektivave të lartpërmendur, vlen të theksohet se ky ligj do të ndihmojë ndjeshëm në modernizimin dhe zhvillimin efikas të tregut vendas të pagesave. Qëllimi i ligjit është krijimi i kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë. Më në detaje, ligji krijon kushte dhe rregulla për: a) krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave; b) transparencën e kushteve dhe kërkesat për informim mbi shërbimet e pagesave; si dhe c) të drejtat dhe detyrimet e përdoruesve dhe të ofruesve të shërbimeve të pagesave në lidhje me ofrimin e këtyre shërbimeve.

Rregullat e reja të përcjella nga ligji kanë për objektiv promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Këto objektiva synohen të arrihen nëpërmjet një kuadri ligjor që synon: (i) paanshmëri dhe proporcionalitet në licencimin dhe rregullimin e ofruesve të shërbimit të pagesave; (ii) promovimin e modeleve inovative të biznesit, të cilat lehtësojnë përdorimin për palët e treta (për shembull, shërbime agjenti) dhe burime nga jashtë; (iii) forcimin e bazës ligjore mbikëqyrëse të BSH-së për shërbimet e pagesave; (iv) dhe së fundi por jo më pak e rëndësishme, krijimin e një kuadri për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mekanizmat monitorues dhe detyrues, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive.

Në përfundim, Banka e Shqipërisë përcjell falënderimet e saj për Bankën Botërore, Bankën qendrore të Italisë dhe të gjitha institucionet e përfshira në hartimin, konsultimin dhe miratimin e këtij ligji, të cilat e mbështetën Bankën e Shqipërisë në këtë projekt.