BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Muzeu i Bankës së Shqipërisë çel ciklin me leksione "Netët e Muzeut" me leksionin e z. Artan Lame "Monetimi në trojet shqiptare gjatë Periudhës Osmane"

Data e publikimit: 01.11.2017

 

Në datën 30 tetor 2017, në 2 vjetorin e çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë-se (2015), i cili përkon edhe me përvjetorin e 79- të inaugurimit të ndërtesës së Bankës Kombëtare të Shqipnis (1938), si dhe në 2-vjetorin e inaugurimit të ndërtesës së rikonstruktuar të saj, Banka e Shqipërisë çeli ciklin me leksione "Netët e Muzeut".

Qëllimi i "Netëve të Muzeut" është bashkërendimi dhe integrimi i njohurive mbi monedhën në ekspozitën e Muzeut të Bankës së Shqipërisë me informacionin e gjendur në arkiva, biblioteka, koleksione private apo edhe atë të shfaqur përmes arkitekturës, skulpturës, arteve vizive dhe fotove të muzeve të tjera të vendit.

 dsc6151 zv guv 1

Në fjalën e saj të mirëseardhjes, zj. Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, theksoi se Muzeu e bën Bankën së Shqipërisë një institucion më të hapur e më të afërt për publikun. Megjithëse një muze i ri, ai ka pritur vizitorë të shumtë, kryesisht nxënës dhe studentë, por edhe profesionistë e grup-mosha të tjera. Zj. Gjoni u shpreh se në mënyrë që të inkurajojë dhe mbështesë marrëdhënie më të ngushta me disiplina të tjera, gjatë viteve 2017 dhe 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë është angazhuar që përmes leksioneve të "Netëve të Muzeut" të sjellë këndvështrime të ndryshme nga personalitete të spikatura në fushat e numizmatikës, historisë bankare, ekonomike, edukimit financiar, por edhe disiplinave të tjera si filatelia, arti dhe arkitektura, duke i dhënë mundësinë vizitorëve të dëgjojnë leksione interesante, të vizitojnë Muzeun pas orarit zyrtar të punës së Bankës, por edhe të përfitojmë nga njohuria dhe ekspertiza e lektorëve të ftuar. "Synojmë që Muzeu i Bankës së Shqipërisë, të mos jetë vetëm një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë, por edhe një vend ku mund të shkëmbehen mendime e ide.", theksoi Zëvendësguvernatorja e Parë.

 dsc6231- lame 3

Leksionin e parë e mbajti z. Artan Lame, si një prej koleksionistëve dhe njohësve të shquar të numizmatikës dhe medalistikës shqiptare e osmane, gjithashtu studiues i historisë shqiptare, si dhe veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 

Z. Artan Lame, mbajti për të pranishmit një leksion mbi monetimin në Shqipërinë e sotme dhe trojet e saj historike gjatë Periudhës Osmane. Leksioni trajtoi çështjet e monedhës osmane, që prej lindjes së saj në shek. XIV deri në Reformat e Tanzimatit në shek. XIX, karakteristikat dhe llojet e monedhave të qarkulluara në trojet shqiptare. Leksioni u ndal edhe në qarkullimin e monedhave evropiane, të përdorura në trojet shqiptare para dhe gjatë përdorimit të monedhës osmane. Në përfundim të aktivitetit u zhvillua një sesion pyetje-përgjigjesh me dëgjuesit dhe u kryen vizita në Muze.

Leksioni i parë i "Netëve të Muzeut" u prit me interes nga publiku. Përmes një ftese të hapur në rrjetet sociale, në të morën pjesë rreth 160 dëgjues, kryesisht studentët universitarë.

Cikli "Netët e Muzeut" do të vijojë të zhvillohet gjatë muajve të mbetur të vitit 2017, por edhe gjatë vitit të ardhshëm. Lektorë do të jenë ekspertë të njohur në fushat që do të trajtohen.