BANKA E SHQIPËRISË

Muzeu i Bankës së Shqipërisë i bashkohet nismës “Dita Ndërkombëtare e Muzeve”, 18 maj 2022

Data e publikimit: 17.05.2022

 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve*, si çdo 18 maj, Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të qëndrojë i hapur për publikun përtej orarit të tij zyrtar, duke nisur nga ora 09:00 deri në orën 18:00.

Gjatë kësaj dite, përveçse koleksionit të pasur numizmatik të Muzeut të BSH-së, dhe ambienteve dedikuar historisë së bankës dhe financave, vlerës dhe rolit e parasë, publiku do të mund të vizitojë dhe dy ekspozita të përkohshme, të çelura enkas për këtë ditë dhe të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

  • “Përpjekjet për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, përgjatë viteve 1913-1925”

Përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale të kohës, kjo ekspozitë synon të njohë publikun me momentet kyçe, përpjekjet, punën dhe historinë e krijimit të bankës së parë kombëtare të vendit dhe emetimit të monedhës së parë shqiptare.

  • “Dr. Pas/ Mitrush Kuteli. Figura e tij si ekonomist dhe bankier” 

Dr. Dhimitri P. Pasko (1907-1967) - i njohur ndryshe me pseudonimin e tij letrar si Mitrush Kuteli, por në fushën e ekonomisë e financave edhe si Dr. Pas - përveçse një kolos i letrave shqipe, është dhe një nga ekonomistët e bankierët më të shquar të Shqipërisë së shek. XX, veprimtaria në sektorin bankar e të cilit ende njihet pak nga publiku i gjerë.

Kjo ekspozitë synon ta njohë publikun me disa momente të rëndësishme të punës së tij gjatë viteve 1943-1946, si drejtues pranë Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe më pas Bankës së Shtetit Shqiptar.

Në orën 18:00-20:00, në sallën e Konferencave të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet leksioni i hapur për publikun e interesuar me temë “Fuqia e Muzeve”, njëkohësisht edhe tema ndërkombëtare e vitit 2022 për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Ky leksion do të prezantohet nga Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Leksioni do të diskutojë mbi fuqinë dhe ndikimin e muzeve në shoqëritë e sotme; si ato, përmes koleksioneve të tyre, rrëfejnë për të kaluarën tonë dhe ndikojnë në modelimin e ideve të reja, duke përbërë, në këtë mënyrë, dy tipare thelbësorë në projektimin e një të ardhmeje më të mirë.

*Dita Ndërkombëtare e Muzeve  mbahet çdo vit më 18 maj ose rreth kësaj date në pothuajse 37 000 muze kudo në botë dhe koordinohet  nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM). Çdo vit ICOM cakton një temë përkatëse të përbashkët për muzetë kudo në botë e cila reflekton një temë ose çështje specifike që lidhet me punën e muzeve.