BANKA E SHQIPËRISË
BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Data e publikimit: 06.09.2014
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.
Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:
a) vendosi ti propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja c të ligjit Për Bankën e Shqipërisë;
b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;
c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;
Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.