BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë: Programe të përbashkëta të Universitetit “Luarasi”, me Universitetin e Londrës, nën drejtimin akademik të London School of Economics
Data e publikimit: 12.03.2025
Të nderuar pjesëmarrës është kënaqësi e veçantë të jem sot, në këtë aktivitet të rëndësishëm jo vetëm për Universitetin “Luarasi”, por edhe për arsimin e lartë në vendin tonë.
Marrëveshje të tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u dhënë mundësinë studentëve shqiptarë që, edhe duke studiuar në Shqipëri, të mund të përfitojnë nga kurrikulat dhe eksperienca e institucioneve akademike të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është një vlerë dhe eksperiencë e shtuar, frytet e të cilës do t’i vjelin ata vetë dhe gjithë ekonomia e shoqëria në të ardhmen.
University of London, nën drejtimin akademik të London School of Economics-LSE, përfaqëson një nga universitetet më të mira dhe cilësore, si dhe një ndër markat më të njohura në tregun e arsimit të lartë sot në botë. Eksperienca dhe reputacioni arsimor në arenën ndërkombëtare, bashkuar me reputacionin në rang kombëtar të Universitetit “Luarasi”, janë garanci për suksesin e këtij programi bashkëpunimi.
Ky është një moment dhe një marrëveshje që meriton vëmendje nga studentët dhe familjet e tyre, si edhe nga akademia, biznesi dhe institucionet shtetërore. Kjo diplomë e dyfishtë, e lëshuar nga të dy institucionet e arsimit të lartë, u jep studentëve mundësi të reja për të përmirësuar jetën e tyre dhe për të kontribuuar në zhvillimin e një komuniteti profesional më të mirë në ditët e sotme.
Bizneset dhe institucionet do të përfitojnë nga punësimi i një grupi studentësh më të përgatitur dhe të ballafaquar me kurrikulat dhe përvojat akademike të universiteteve shumëvjeçare. Vetë zgjedhja që “Luarasi” ka bërë lidhur me programet konkrete të bashkëpunimit tregon për një kujdes të veçantë që ky universitet ka për të ofruar programe studimi të orientuara nga nevojat e tregut.
Është fakt tashmë që shkenca e të dhënave ka marrë një rëndësi të veçantë. Zhvillimet e biznesit, jeta dhe zgjedhjet e konsumatorit, mënyra e punës dhe teknologjitë e aplikuara, sot gjenerojnë një sasi të jashtëzakonshme të dhënash. Ato përmbajnë një pasuri të vyer informacioni të vlefshëm jo vetëm në aspektin e studimit akademik, por veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin dhe planifikimin e biznesit, ndërtimin e strategjive të suksesshme të marketingut të produkteve të ndryshme, ku përfshihen dhe shërbimet financiare. Analiza e mirë dhe profesionale e të dhënave i mundëson biznesit dhe institucioneve shtetërore të marrin vendime me baza të forta, të zgjidhin probleme komplekse dhe të përqendrohen në përmirësimin e teknologjisë dhe inovacionit.
Këto janë disa nga përfitimet që do të sjellin brezi i ri i studentëve të “Luarasit” në jetën profesionale të vendit, falë këtyre programeve të reja studimi.
Gjithashtu, programet në fushën e financës dhe biznesit do të sjellin risi dhe nxisin inovacionin dhe eficiencën e tregut, veçanërisht të atij financiar mjaft të nevojshëm për ekonominë shqiptare. Kjo do të rrisë stabilitetin makroekonomik e financiar të vendit, të cilin Banka e Shqipërisë kujdeset ta ruajë me fanatizëm. Në këtë aspekt, ne jemi të lumtur që politikat tona kanë kontribuuar pozitivisht në ecurinë e mirë e të qëndrueshme të ekonomisë së vendit. Produkti i brendshëm bruto ka regjistruar një rritje vjetore prej rreth 4% në tetë tremujorët e fundit, të shoqëruar me rritjen e numrit të të punësuarve. Statistikat tregojnë një rritje të të ardhurave të individëve dhe të biznesit, të cilat janë pasqyruar në rritjen e konsumit të familjeve dhe investimet në sektorin privat. Në të njëjtën kohë, inflacioni i çmimeve është rikuperuar nga goditja që pësoi pak vite më parë nga ngjarjet në tregjet ndërkombëtare dhe, në trembëdhjetë muajt e fundit, ai është luhatur pranë nivelit modest prej 2%. Zhvillimet e kënaqshme të inflacionit dhe forcimi i kursit të këmbimit kanë nxitur Bankën e Shqipërisë të normalizojë politikën e saj monetare në nivele më të ulëta se kulmi që arriti norma e interesit bazë në fund të vitit 2023.
Krahas monitorimit të situatës makrofinanciare dhe zbatimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë po jep kontribute të veçanta në çështje të tjera mjaft të rëndësishme, siç janë modernizimi i sistemit të pagesave, mbrojtja e konsumatorit, financat e gjelbra, si dhe edukimi financiar. Ky i fundit është thelbësor për formimin e përgjithshëm të gjithsecilit dhe për të garantuar qëndrueshmërinë ekonomike e financiare të individit dhe të familjes. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë edukimit financiar të popullatës, duke miratuar dhe zbatuar Strategjinë e Edukimit dhe të Përfshirjes Financiare. Të rinjtë dhe universitetet janë një grup i rëndësishëm ku fokusohen aktivitetet tona në formën e leksioneve, debateve universitare, Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë etj. Këto dhe aktivitete të tjera të organizuara në kuadër të strategjisë, në bashkëpunim me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, synojnë që ta ngrenë këtë strategji në nivel kombëtar.
Për t’u rikthyer në qëllimin e takimit, kam kënaqësinë të risjell në vëmendjen tuaj edhe bashkëpunimet e suksesshme akademike që Banka e Shqipërisë ka pasur prej shumë vitesh me Universitetin e Oksfordit dhe LSE-në. Stafi dhe drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë punuar së bashku me profesorë të këtyre shkollave për të përmirësuar politikëbërjen, vendimmarrjen dhe kërkimin shkencor në Bankën e Shqipërisë.
E them me bindje se udhëheqja nga LSE-ja është një garanci për suksesin e programit dhe nivelin e dijeve që do të përçohen te studentët që do të regjistrohen në këto programe. Kjo, nga ana tjetër, kërkon edhe një angazhim më të madh nga vetë studentët për të mësuar e për t’u thelluar më shumë në hulumtimet e tyre. Shpresoj dhe jam i bindur se kjo iniciativë e universitetit “Luarasi” do të vlerësohet nga studentët shqiptarë, që tashmë e gjejnë në vendin e tyre atë cilësi arsimi dhe mundësi profesionale që i mendonin të mundshme vetëm në vendet perëndimore.
Gjithashtu, këto programe do të rrisin profilin e akademisë në vend, duke mundësuar metoda të përmirësuara të mësimdhënies dhe hapësira të reja të kërkimit.
Programet e përbashkëta të studimit dhe ndërkombëtarizimi i tyre nga Universiteti “Luarasi” përbën në të njëjtën kohë edhe një sfidë për stafin akademik dhe drejtuesit e tij. Por, jam i bindur se suksesi do t’i ndjekë edhe në këtë përpjekje të re, ashtu siç kanë qenë të suksesshme edhe iniciativat e tjera që nga viti 2003.
Le të jetë ky bashkëpunim një shembull frymëzues për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe duke ndihmuar në zhvillimin e një shoqërie të ditur, konkurruese dhe inovative.