BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Autoritetit Mbikëqyrës të Sigurimeve dhe Komisionit të Letrave me Vlerë në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes financiare

Data e publikimit: 02.06.2005

 

Sot në datën 02.06.2005, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes financiare mes Bankës së Shqipërisë (BSH), Autoritetit Mbikëqyrës të Sigurimeve (AMS) dhe Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV). Në emër të Ardian Fullani, Guvernator (BSH), zj. Merita Xhafaj, Drejtore Ekzekutive (AMS) dhe zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendëskryetare (KLV).

Hartimi dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, u diktua nga zhvillimet aktuale në tregun financiar që lidhen me shtimin e numrit të subjekteve që i nënshtrohen mbikëqyrjes së institucioneve nënshkruese, si edhe me shfaqjen e elementeve që tregojnë për një integrim të veprimtarive të këtyre subjekteve në të ardhmen. Marrëveshja krijon mundësi reale që brenda kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullativ përkatës, institucionet nënshkruese të rrisin bashkëpunimin në drejtim të shkëmbimit të informacionit dhe të ekspertizës, të koordinimit më të mirë në veprimtarinë mbikëqyrëse, të harmonizimit në ndryshimet e kuadrit ligjor dhe rregullativ, si edhe të përdorimit më efiçient të burimeve të tyre njerëzore dhe financiare. Kjo marrëveshje hyn në fuqi, me nënshkrimin e saj nga palët.

Interesit të medias për këtë çështje, z. Fullani iu përgjigj duke thënë se Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale që bashkëpunimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje të jetë sa më konkret. Ai theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hapi i parë që mund t'i paraprijë zhvillimeve në treg si edhe objektivit për forcimin e funksionit mbikëqyrës në të gjithë segmentet e tij. Sipas tij, kjo marrëveshje krijon premisa reale për zbatimin e standardeve më te mira në drejtim të mbikëqyrjes financiare.

Zj. Xhafaj shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes duke theksuar se ky është një element shtesë në përpjekjet e suksesshme që ka bërë institucioni që ajo drejton, drejt reformimit dhe forcimit të funksionit mbikëqyrës në fushën e sigurimeve.

Zj. Gjoni theksoi se kjo marrëveshje i paraprin edhe zhvillimeve në tregun e letrave me vlerë, si edhe në veprimtarinë e institucioneve që merren me tregtimin e tyre. Ajo shprehu nevojën që institucionet nënshkruese ta bëjnë këtë marrëveshje sa me funksionale, me qëllimin final të krijimit të një tregu financiar të hapur dhe efiçient, si edhe të mirëkontrolluar.

Të gjitha palët nënshkruese, shprehën angazhimin e tyre që për realizimin e marrëveshjes të kërkojnë edhe partneritetin konstruktiv të industrisë financiare.