BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkrimi i Memorandumit së Bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare, midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë

Data e publikimit: 25.03.2011

 

Në kuadër të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe bankave qendrore evropiane, në datë 23 mars 2011, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë. Memorandumi u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Italisë, z. Fabrizio Saccomanni.

Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare formalizon bashkëpunimin ndërmjet dy bankave qendrore, në drejtim të shkëmbimit të informacionit, si dhe koordinimit të punës për mbikëqyrjen e grupeve bankare që operojnë në të dy vendet.

Duke u bazuar në këtë memorandum, Banka e Shqipërisë dhe Banka e Italisë angazhohen:

  • të shkëmbejnë informacion gjatë procesit të licencimit të institucioneve bankare;
  • të shkëmbejnë informacionin që disponojnë mbi rreziqe të mundshme ndaj stabilitetit financiar të institucioneve bankare që ato mbikëqyrin;
  • të bashkëpunojnë në kryerjen e kontrolleve të subjekteve financiare që operojnë në të dy vendet.

Kuadri i ri parashikon një formë bashkëpunimi më të strukturuar dhe më të efektshme midis mbikëqyrësve bankarë, në përgjigje të zhvillimit të veprimtarisë bankare.

Firmosja e ketij memorandumi do te ndihmoje Bankën e Shqipërisë në ushtrimin e rolit të saj në garantimin e stabilitetit të sistemit bankar në vend.

Në kuadër të forcimit të procesit të mbikëqyrjes së subjekteve bankare, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me bankat qendrore të rajonit dhe ato evropiane.