BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërinstitucional në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit

Data e publikimit: 17.01.2023

 

Në datën 17 janar 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional “Për rritjen e eficiencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi, si dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë” midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Bankës së Shqipërisë.

498-6003

Ceremonia - ku morën pjesë përfaqësues nga bankat tregtare, Shoqata Shqiptare e Bankave, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Policia e Shtetit - u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Ministrit të Brendshëm, z. Bledar Çuçi; dhe Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsian Çela.

300x200-5830

300x200-6169

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, tre institucionet kurorëzuan punën e tyre voluminoze të nisur vite më parë për rritjen e bashkëpunimit në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave ndaj falsifikimit, si dhe goditjen në kohë të këtij fenomeni në vendin tonë.

498-5870

 Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko u shpreh se kjo marrëveshje dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në rritjen në vijimësi të cilësisë dhe sigurisë së monedhës kombëtare në qarkullim. Ai u shpreh se të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim. Megjithatë, pavarësisht shifrave të ulëta, institucionet janë të vetëdijshme se duhet të jenë vigjilente dhe proaktive, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale.

300x200-6191

300x200-6195

Guvernatori theksoi se në këtë frymë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit, në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit.

498-6210

Së fundmi, Guvernatori shtoi se marrëveshja e shtrin veprimin e saj jo vetëm mbi monedhën kombëtare Lek, por edhe mbi monedhën e përbashkët evropiane Euro. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së kartëmonedhës Euro nga falsifikimi.

Marrëveshja e Bashkëpunimit lidhet me zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi në përqasje me standardet evropiane. Ndaj me nënshkrimin e saj, Banka e Shqipërisë përmbush dhe një nga prioritetet për zbatimin e rekomandimeve të KSA-së.