BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Data e publikimit: 13.12.2007

 

Sot në datën 13 dhjetor, në ambientet e shkollës së mesme të përgjithshme "Qemal Stafa" të Tiranës, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në fushën e edukimit të publikut mbi çështje të ekonomisë në përgjithësi dhe të Bankës Qendrore, në veçanti.

Një prej grupeve të synuara nga Banka e Shqipërisë është ai i nxënësve të shkollave të mesme, të cilët do të jenë pjesë e një programi të gjerë edukimi të titulluar "Banka qendrore në jetën e përditshme".

Objekti i këtij memorandumi është përcaktimi i mënyrave të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit të nxënësve të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme; si dhe të studentëve të universiteteve në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës.

guvernatori ne takimin 3

Me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Ministri i Arsimit, zhvilluan një takim me nxënës dhe mësues të gjimnazit "Qemal Stafa", ku edhe u prezantua programi i edukimit që për nxënësit e shkollave të mesme do të zhvillohet në tre drejtime.

1. Organizimi i seminareve trajnuese për mësuesit e lëndës së ekonomisë, në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut në përgjithësi, e bankës qendrore në veçanti.

2. Organizimi i takimeve në shkollat e mesme me nxënës të vitit të tretë që zhvillojnë lëndën e ekonomisë, biseda rreth argumenteve që lidhen me ekonominë, administrimin e financave personale dhe rolin e funksionet e bankës qendrore, veçanërisht. Shpërndarja e broshurave edukative që ne përgatisim për publikun e gjerë.

3. Zhvillimi i një konkursi, midis shkollave të mesme të Tiranës, të titulluar "Vlera e vërtetë e parasë". Nëpërmjet tij, synohet që nxënësit jo vetëm të marrin njohuri rreth mënyrës se si banka qendrore vepron në përmbushje të objektivit kryesor të saj: Ruajtjes së stabilitetit të çmimeve!, por të zhvillojnë aftësinë e të punuarit në grup për të arritur rezultatin e sigurisht, edhe të argëtohen nëpërmjet mësimit.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të vizitohet në mënyrë të drejtuar nga grupe nxënësish të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme; ndërsa për studentët e universiteteve të ndryshme, do të zhvillojë leksione të hapura në ambientet e saj.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori vuri theksin mbi rëndësinë e edukimit të rinisë në fushën e ekonomisë, të financave dhe bankës në veçanti. Ai siguroi të pranishmit që Banka e Shqipërisë do të bëjë gjithë përpjekjet e saj për të vendosur një marrëdhënie të ndërsjellë edhe me këtë grup të publikut; marrëdhënie, e cila do të mbështetet në një urë të fortë komunikimi, që tashmë ka filluar të ndërtohet dhe është vendosur në themele të qëndrueshme.

Angazhimi dhe mbështetja e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim do të jetë e plotë dhe e vazhdueshme.