BANKA E SHQIPËRISË

Nëse kriza politike do të zgjasë, kjo do të japë efekte negative në ekonomi.

Data e publikimit: 05.12.2003

 

Zoti Guvernator, si paraqiten treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit për këtë vit që po mbyllet?

"Mendimi i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë është që situata ekonomike në vend është në rrugë të mbarë dhe thuajse të gjithë treguesit ekonomikë do të realizohen sic kanë qënë dhe objektivat e paracaktuara ne fillim të vitit. Le të flasim më konkretisht. GDP-ja, ose Prodhimi i Brendshëm Bruto, ishte parashikuar për t'u rritur me 6 % dhe mendohet se do te jetë po ne kuotën 6 %. Për inflacionin ne kemi patur si objektiv kuotën nga 2 deri në 4 % dhe mendohet se deri në fund të 2003-shit do të jemi brenda këtij objektivi. Gjithashtu dhe kursi i këmbimit ka qenë relativisht stabël. Deficiti buxhetor ka qënë planifikuar në fillim të vitit në nivelet 5.8% dhe në mbyllje të vitit do të jetë po në këto nivele. Pra, në tërësi, këta janë disa nga treguesit kryesorë për të cilët ju pyetët, e që flasin për një gjendje ekonomike brenda parashikimeve të bëra që në fillim të këtij viti."

Zoti Cani, nga ana tjetër në Shqipëri muajt e fundit ka një acarim të klimës politike. Kjo e shkatuar nga zgjedhjet për pushtetin lokal, apo për situatën konfliktuale brenda mazhorancës dhe qeverisjes së Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. A do të shoqërohet kjo me ndikime në treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit?

"Mesazhi që unë do të desha t'u jap qytetarëve në lidhje me këtë problem është se faktori bazë për të cilin ata duhet të shqetësohen duhet të jetë ekonomia. Unë në gjykimin tim si ekonomist them se politika, diplomacia dhe fusha të tjera të jetës shqiptare mund të kenë luhatje, por këto mund të rregullohen shpejt. Ekonomia është si një makinë e madhe, e cila e ka shumë të vështirë për të marrë kthesën. Tani le ti kthehemi asaj për të cilën më pyesni.
Është e vërtetë se ka disa muaj që politika shqiptare po zjen, ose ka konfliktet e veta. Dy janë arësyet që nuk kanë influencuar shumë, ose që kanë dhënë efekte të zbutura:

E para, është se shqiptarët janë të mësuar tashmë me këto luhatje të politikës dhe nuk i kanë zënë besë që ato do të shndërrohen në goditje të forta. Bile dhe unë ende nuk besoj që do të ketë dhe në këtë rast ndonje goditje shumë të fortë.
E dyta, ka të bëjë me faktin se ekonomia shqiptare, biznesi, po shkëputet gjithnjë e më shumë nga politika. Po sheh punën e tij, po ecën pergjithësisht pa pyetur për politikën."

Po nëse kjo situatë do të zgjase, a do të shoqërohet me kosto në zhvillimet ekonomike të vendit?

"Viti 2003 duket se do të mbyllet pa efekte të ndjeshme. Por nëse kjo gjendje politike do të vazhdojë të zgjatet dhe nëse të supozojmë se politika nuk do të gjejë zgjidhje atëhere kjo do të shoqërohet me kostot e veta.

E para, do të jetë në fushën legjislative. Mungesa e miratimit të disa ligjeve do të krijojë deformim në legjislacionin shqiptar. Pra, do të mbeten shumë ligje të parealizuara, të pamiratuara dhe doemos të pazbatuara.

E dyta, do të japë efekt në strukturat fiskale dhe doganore, të cilat janë më të ndjeshme ndaj goditjeve të tilla. Do të mblidhen më pak të ardhura. Disa efekte janë shfaqur që tani, por ato janë shumë të lehta. Nëse këto të ardhura do të bien, atëhere do të goditen shpenzimet.

Faktori i tretë do të jetë në punën e administratës shtetërore. Mund të thuhet se administrata shtetërore përbëhet nga teknicienë, të cilët e dinë se politika do të ketë efekte në punën e tyre, cdo ndryshim i saj do shoqërohet me ndryshime. Edhe për atë pjesë tjetër të teknicienëve, të cilët janë realisht të pavarur, ose indiferente ndaj zhvillimeve politike do të ketë efekte nga kjo situatë kur ju po e shihni se media është e mbushur vetëm me politikë, duke mos patur as ekonomi, as teknikë, as zhvillim. Kështu që njerëzit paralizohen, pezullohen duke u ngazhuar tej mase me ngjarjet e politikës. Sigurisht që do të ketë dhe efekte të tjera, por mendoj se këto janë më kryesoret."

Intervistoi: Arben Muka.

http://www2.dw-world.de/albanian/tema_shqiptare/1.47752.1.html