BANKA E SHQIPËRISË

Njoftim: Mbi zhvillimin e takimit informues të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës

Data e publikimit: 07.12.2018

 

Sot në datën 7 dhjetor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj dhe z. Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi: (i) administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë; (ii) zbatimin e politikës monetare; (iii) mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar; dhe (iv) gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.

Më tej, u vijua me prezantimin e analizës së sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku u vlerësua se gjatë periudhës, veprimtaria bankare u zgjerua, performanca financiare mbeti e mirë dhe sektori bankar qëndroi i mirëkapitalizuar e likuid. Teprica e kredisë u rrit lehtë, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë si ndaj një tremujori, ashtu edhe ndaj një viti më parë. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës përgjithësisht tregojnë që në skenarin bazë dhe të moderuar, treguesit e kapitalizimit paraqiten të qëndrueshëm.

Gjatë takimit nuk u morën vendime. Çështjet e planifikuara për vendimmarrje do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.