BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Njoftim: Përfundon programi i asistencës teknike të Bankës Qendrore Evropiane për Bankën e Shqipërisë.

Data e publikimit: 07.10.2014

 

Më datë 29 shtator 2014, Banka Qendrore Evropiane (BQE), së bashku me 11 banka qendrore të Sistemit Europian të Bankave Qendrore, përfundoi me sukses një program asistence teknike me Bankën e Shqipërisë. Synimi i programit ishte mbështetja e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me rregullat, procedurat dhe standardet e bankingut qendror në Bashkimin Evropian. Programi i financuar nga Komisioni Evropian filloi më 17 prill 2014 dhe u implementua nga BQE në partneritet me bankat qendrore të Gjermanisë, Francës, Italisë, Maltës, Holandës, Austrisë, Portugalisë, Sllovenisë, dhe Sllovakisë. Gjithashtu, programi u mbështet edhe me ekspertë nga bankat qendrore të Bullgarisë dhe Republikës Çeke.

Përgjatë gjashtë muajve të zbatimit, ekspertë nga BQE-ja dhe bankat qendrore pjesëmarrëse në program vlerësuan dhe analizuan 13 funksione të Bankës së Shqipërisë në krahasim me standardet dhe politikat e BE-së e ato ndërkombëtare. Siç u theksua nga Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, programi i bashkëpunimit me BQE ishte një kontribut i rëndësishëm në përshpejtimin e harmonizimit të praktikave të Bankës së Shqipërisë me standardet evropiane dhe forcimin e kapaciteteve administrative të institucionit, në dobi të ekonomisë shqiptare në përgjithësi. Banka e Shqipërisë u angazhua të implementojë rekomandimet e paraqitura në raportin përfundimtar të programit, duke i përfshirë ato në planet e veta strategjike dhe operacionale.

Një formë e tillë bashkëpunimi kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ekzistuese dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, bankave qendrore të rajonit dhe Eurosistemit. Ndër faktorët kryesorë të suksesit të programit ishin shkalla e lartë e përgjegjësisë të treguar nga Banka e Shqipërisë, niveli i lartë i besimit, profesionalizmit dhe dedikimit të ekspertëve vendas dhe të huaj të angazhuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit.

Përfundimi i këtij programi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë, transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit të Bankës së Shqipërisë, si dhe për nxitjen e stabilitetit monetar dhe financiar në vend.