BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Njoftim i Këshillit Evropian të Pagesave për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA

Data e publikimit: 21.11.2024

 

Nga sot, Shqipëria është pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA) 

 

Bruksel, 21 nëntor 2024: Shqipëria, nga sot, është pjesë e zonës gjeografike të skemave të pagesave SEPA. Shqipëria, nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë (BSh), është angazhuar në përpjekje të konsiderueshme për përfarimin e rregulloreve dhe sistemeve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian (BE), duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen zonës gjeografike SEPA, si parakusht për hyrjen në BE.

Si rezultat, të gjithë pjesëmarrësit ekzistues të skemës së Këshillit Evropian të Pagesave (KEP) do të mund të dërgojnë apo të marrin Transferta Krediti SEPA (SCT), Transferta Krediti të Shpejta (SCT Inst) dhe Debitime Direkte SEPA (SDD) nga dhe për pjesëmarrësit në skemat SCT, SCT Inst dhe SDD nga Shqipëria, kur institucionet e tyre financiare të aderojnë në këto skema.

Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të KEP-it, do të mundësohet duke nisur nga muaji prill 2025, ndërsa KEP-i do të komunikojë në një moment të dytë datën e gatishmërisë operacionale (ORD) për ofruesit e shërbimeve të pagesave (OShP) që operojnë në Shqipëri.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, deklaroi se: “Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët  për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane.  Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së.”

Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i KEP-it, deklaroi se: “Përfshirja e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA është një progres i mëtejshëm për KEP-in, në përputhje me misionin e tij për të harmonizuar dhe integruar pagesat elektronike në nivel evropian”.

 

Rreth Këshillit Evropian të Pagesave (KEP)

Këshilli Evropian i Pagesave (KEP), një shoqatë ndërkombëtare jofitimprurëse, e cila përfaqëson ofruesit e shërbimeve të pagesave, mbështet dhe nxit integrimin dhe zhvillimin evropian të pagesave, veçanërisht Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA). KEP-i është i angazhuar të kontribuojë për kryerjen e pagesave të sigurta, të besueshme, efikase, të përshtatshme, të balancuara ekonomikisht dhe të qëndrueshme, të cilat përmbushin nevojat e përdoruesve të shërbimeve të pagesave dhe mbështesin objektivat për rritjen e konkurrencës dhe të inovacionit në një ekonomi të integruar evropiane. Këshilli përmbush këtë objektiv nëpërmjet zhvillimit dhe administrimit të pagesave dhe skemave  të lidhura të pagesave gjithëpërfshirëse evropiane, si dhe nëpërmjet formulimit të qëndrimeve e propozimeve për çështje të lidhura me pagesat evropiane duke zhvilluar një dialog të vazhdueshëm me aktorë dhe rregullatorë të tjerë në nivel evropian dhe sipas një këndvështrimi strategjik dhe gjithëpërfshirës. Detyra kryesore e KEP-it është të administrojë skemat e: Transferta Krediti SEPA (SEPA Credit Transfer), Debitime Direkte SEPA (SEPA Direct Debit), Kërkimi i Kundërpalës SEPA (SEPA Proxy Lookup), Kërkesë për të Paguar SEPA (SEPA Request-to-Pay), Akses në Llogarinë e Pagesës SEPA (SEPA Payment Account Access) dhe Transfertë e Njëanshme Krediti e Menjëhershme (One-Leg Out Instant Credit Transfer), në dialog të ngushtë me të gjithë aktorët. KEP-i është gjithashtu aktiv në fushat a pagesave që kryhen me kartë, pagesave që kryhen nëpërmjet telefonisë celulare, duke përfshirë pagesat Individ-me Individ, sigurinë e  pagesave si dhe paranë fizike.